Ende nuk isha lindur në këtë botë kur heroi Jusuf Gërvalla, me vëllain Bardhoshin dhe shokun Kadri Zeka, u vranë në pritë para 43 vitesh. I ftohti i 17 janarit të vitit 1982 do të ishte dita e fundit e jetës fizike të tre heronjve të atdheut, me veprën e tyre që na frymëzon çdo ditë e më shumë. S’ka asnjë dyshim se vrasja ishte përgatitur nga UDB-ja, me frikën që më shoqëron mos ka pasur shqiptarë që kanë ndihmuar në pritën në Gjermani. Fillimisht, Jusufi kishte mbetur i plagosur, dhe para se të vdiste në spital kishte pëshpëritur: “Ka qenë UDB-ja.”
Ishte UDB-ja ajo që vrau Jusufin, por vrasësit mund të kenë qenë edhe shqiptarë, pra vrasës me pagesë, që e rëndon edhe më shumë dhimbjen për familjen Gërvalla dhe mbarë kombin.
17 janari ngërthen në vete datën më tragjike, por edhe të lavdishme për kombin shqiptar. Vdekja e Skënderbeut, vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës shënjon një moment historik për kombin. Jusuf Gërvalla, intelektual i rrallë i çështjes kombëtare, i mungon ende Kosovës. Shteti i Kosovës duhet të bëjë çdo përpjekje, në bashkëpunim me shtetin gjerman, të hetojë vdekjen e tij, me çka mund të dihet se kush qëndron pas vdekjes së tre atdhetarëve shqiptarë.
Serbia ka përfituar shumë nga vdekja e Jusufit; ajo ka arritur të ndalojë sado pak hovin e lëvizjes së nisur nga studentët për liri dhe pavarësi. Besoj se 17 janari duhet të na rikujtojë se vepra e Jusufit është themel mbi të cilin Kosova frymon lirshëm. Përfundimisht, ta përsëris edhe një herë nevojën për të hetuar kush qëndron pas vdekjes së tij: UDB-ja dha urdhër, por kush qëlloi mbi Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun.