Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 janë një moment kyç për zhvillimin demokratik të Kosovës. Në një kohë kur pritshmëritë e qytetarëve janë të larta, institucionet kryesore të vendit – përfshirë prokurorinë dhe Gjykatën Kushtetuese – janë në fokus të kritikave për ndikimin që mund të kenë në procesin zgjedhor dhe stabilitetin politik. Kjo analizë trajton sfidat kryesore që lidhen me procesin zgjedhor, duke u përqendruar në rolin e institucioneve kushtetuese dhe drejtësisë, ndikimin e tyre në fushatë dhe nevojën për një qeverisje të përgjegjshme pas zgjedhjeve.
Parlamenti është reflektim i drejtpërdrejtë i vullnetit të qytetarëve. Çdo kufizim në procesin zgjedhor apo çdo ndërhyrje nga institucionet shtetërore që perceptohet si politike, rrezikon të dëmtojë themelet e demokracisë parlamentare. Në të kaluarën, ndërhyrjet e Gjykatës Kushtetuese në përcaktimin e koalicioneve qeverisëse, si rasti VLAN i vitit 2014, kanë ngritur dyshime mbi paanshmërinë dhe ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve.
Në prag të zgjedhjeve të 2025-ës, prokuroria ka ftuar kryeministrin në hetime, një veprim që ka ngjallur debat të madh publik. Kjo lëvizje, edhe pse mund të jetë legjitime nga këndvështrimi juridik, është parë si ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe si një tentativë për të dobësuar pozitën politike të tij dhe të partisë që ai përfaqëson.
Ndikimi i thirrjes së kryeministrit në prokurori në prag të zgjedhjeve
Thirrja e një lideri politik aktiv në hetime gjatë fushatës zgjedhore krijon një dinamikë që mund të ndikojë negativisht në barazinë e garës elektorale. Ky veprim mund të shihet si një përpjekje për të dobësuar pozitën e kryeministrit dhe të partisë së tij në prag të zgjedhjeve, duke larguar fokusin nga temat kyçe të fushatës. Në një proces zgjedhor, çdo veprim që ndikon në balancën e garës mund të dëmtojë besimin e qytetarëve te institucionet dhe procesi demokratik. Prokuroria, si organ i pavarur, duhet të ushtrojë kompetencat e saj me kujdes të madh, duke shmangur çdo perceptim të ndërhyrjes në çështjet politike, veçanërisht gjatë fushatës.
Reforma zgjedhore dhe pjesëmarrja qytetare
Një nga sfidat kryesore të zgjedhjeve të 2025-ës mbetet mungesa e reformave të mirëfillta zgjedhore. Pavarësisht rritjes së numrit të votuesve, përfshirë mbi 125,000 votues të rinj, sistemi aktual zgjedhor vazhdon të përballet me sfida të tilla si: listat e papërditësuara të votuesve; kuotat gjinore, si dhe transparenca në financimin e partive politike. Këto sfida, të kombinuara me përpjekjet për ndërhyrje të perceptuara nga institucionet shtetërore, rrisin skepticizmin e qytetarëve për drejtësinë e procesit zgjedhor
Thirrja e kryeministri në prokurori përpjekje për devijim të zgjedhjeve
Fushata zgjedhore ka nisur më 11 janar 2025, dhe partitë janë fokusuar në tema si: Zhvillimi ekonomik; plane për krijimin e vendeve të reja të punës dhe investime të huaja; integrimi evropian: Harmonizimi i politikave dhe avancimi i agjendës së integrimit; lufta kundër korrupsionit; masa konkrete për rritjen e transparencës dhe fuqizimin e sistemit të drejtësisë. Mirëpo thirrja e kryeministrit në prokurori ka devijuar vëmendjen e publikut nga këto çështje, duke zhvendosur fokusin e debatit në hetimet dhe ndikimin e tyre potencial në garën zgjedhore.
Roli i diasporës dhe integriteti zgjedhor
Me një numër të madh qytetarësh që jetojnë jashtë vendit, diaspora mbetet një forcë e rëndësishme elektorale. Megjithatë, procedurat e ndërlikuara për votimin e tyre dhe mungesa e aksesit të barabartë për të shprehur vullnetin elektoral mbeten shqetësime të vazhdueshme. Garantimi i një procesi të thjeshtë dhe të ndershëm votimi për diasporën është kyç për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe për të rritur legjitimitetin e zgjedhjeve.
Stabiliteti dhe qeverisja, sfidë parazgjedhore
Formimi i qeverisë pas zgjedhjeve të 2025-ës do të jetë një provë për demokracinë parlamentare të Kosovës. Përvoja ka treguar se ndërlikimet në negociatat për koalicionet qeverisëse shpesh janë burim i paqëndrueshmërisë politike. Integrimi evropian, lufta kundër korrupsionit dhe reforma e sistemit të drejtësisë duhet të jenë prioritetet kryesore të qeverisë së re. Për më tepër, është thelbësore që institucionet si prokuroria dhe Gjykata Kushtetuese të luajnë rolin e tyre në mënyrë neutrale dhe profesionale, pa ndërhyrje në proceset politike.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë një mundësi për Kosovën që të përforcojë demokracinë e saj dhe të adresojë sfidat që e kanë penguar deri më tani. Për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor, është jetike që institucionet shtetërore të veprojnë në përputhje me standardet më të larta të paanësisë dhe transparencës. Parlamenti duhet të mbetet shtëpi e popullit, jo arenë për interesa të ngushta politike apo ndërhyrje institucionale. Nëse Kosova arrin të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të drejta, duke garantuar që qytetarët të ushtrojnë vullnetin e tyre pa frikë apo ndikime, atëherë ky proces mund të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt një të ardhme më të ndritur demokratike.