AGK-ja: bishti i oligarkëve, hija e opozitës dhe fantazma e UNMIK-ut

Opinione

AGK-ja: bishti i oligarkëve, hija e opozitës dhe fantazma e UNMIK-ut

Nga: Gëzim Mekuli Më: 18 janar 2025 Në ora: 14:49
Gëzim Mekuli

Në një vend ku gazetaria duhet të jetë shtylla e katërt e demokracisë, në Kosovën tonë të dashur, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është shndërruar në një simbol të dështimit, një kukull që lëvizet nga fijet e oligarkëve, nga retorika e ulët e opozitës, dhe nga një mentalitet i vjetër UNMIK-ian. Kjo organizatë, që në teori do të duhej të mbronte lirinë e medias dhe etikën profesionale, sot po e mbyt gazetarinë duke e kthyer atë në një kaos politik dhe ekonomik.

AGK-ja: nga mbrojtëse e gazetarëve në avokate e fëlliqësisë

E ashtuquajtura “zëdhënëse” e gazetarëve ka humbur çdo ndjesi të misionit të saj parësor. Në vend që të mbrojë etikën dhe të kultivojë një diskurs profesional, AGK-ja ka përqafuar gjuhën e rrugës. Në deklaratat e saj publike, shpesh duket sikur lexon mesazhet e dërguara nga ndonjë seli partike, duke mbështetur verbërisht ata që për dy dekada rrënuan dhe e rropën kë vend. Në këtë mënyrë, organizata jo vetëm që nuk ndihmon gazetarinë, por bëhet një mekanizëm që ushqen fëlliqësinë dhe anarkinë në diskursin publik.

Ironikisht, ndërsa në vendet perëndimore organizatat e gazetarëve si "Society of Professional Journalists" në SHBA apo "Reporters without Borders", punojnë për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e medias, AGK-ja ka zgjedhur të bëhet rrogtare e interesave të ngushta të një grushti njerëzish me fuqi dhe para.

AGK-ja mbytësi i oksigjenit publik

Në kohën kur Kosova ka nevojë për dekontaminim të diskursit publik dhe për ndërtimin e një ambienti ku fjala e lirë të ketë peshë dhe takt, AGK-ja promovon të kundërtën. Në vend të përmirësimit të standardeve, ajo mbështet gjuhën fyese të opozitës dhe veprimet e atyre që për vite e vite e kanë bërë këtë vend një laborator të eksperimentimit politik dhe ekonomik. Nuk mund të ketë retorikë më të gabuar se kjo: të mbështetësh ata që e poshtëruan Kosovën dhe të përjashtosh çdo përpjekje për ndërtim dhe zhvillim.

Organizatë e kapur nga oligarkia opinioniste dhe amatorizmi

AGK-ja nuk mund të fsheh dot varësinë e saj ndaj fuqisë së parasë. Njerëz, që nuk kanë as kapacitetin dhe as njohuritë për të kuptuar fushën e lirisë së medias, janë shndërruar në dirigjentë të këtij institucioni. Një organizatë që vepron sikur të ishte në Alaskë, dhe jo në Kosovën tonë që ka nevojë për mbrojtje të kodit etik, të interesit kombëtar e qytetar (pa dallim kulture, kombësie a religjioni) dhe të një gjeopolitike të ndjeshme, është dëshmi e një dështimi të thellë.

Në vend që të punojë për të krijuar standarde profesionale dhe për të promovuar gazetarinë hulumtuese, AGK-ja zgjedh të jetë një marionetë e një grushti njerëzish me interesa personale. Në botë, organizata si "The Guardian Foundation" në Mbretërinë e Bashkuar punon për të trajnuar gazetarë dhe për të siguruar një gazetari të pavarur. Ndërsa AGK-ja, e kthyer në një klub të ngushtë të jaranave e të jaranicave, nuk ka respekt as për gazetarët dhe as për publikun.

S’ka besim në publik, s’ka vlera

Sot, AGK-ja nuk ka as besimin dhe as respektin e gazetarëve të ndershëm. Përveç pak njerëzve që e përdorin këtë organizatë si trampolinë për interesa të ngushta, askush tjetër nuk e merr seriozisht. Kjo nuk është një organizatë që i shërben shoqërisë, por një “shupë e kalbur” për ata që nuk kanë as respekt, as moral dhe as etikë.

Nëse gazetaria në Kosovë do të ketë një të ardhme, ajo nuk mund të mbështetet te një organizatë e kapur dhe për faqe të zezë si AGK-ja. Është koha për një ndërhyrje të thellë, për një rindërtim të plotë të strukturave që mbrojnë fjalën e lirë, gjuhën e pastër dhe, gjithsesi, për të zhdukur ndikimin e atyre që e përdorin gazetarinë si mjet manipulimi dhe pasurimi.

Të dashur lexues,

Kosova jonë e shtrenjtë meriton një gazetari të pasur, një media që tregon të vërtetën dhe që mbron interesin publik. Por kjo nuk do të vijë kurrë për sa kohë që AGK-ja mbetet bishti i oligarkëve, mbështetësja e opozitës së korruptuar, e me gjuhë super të pistë, dhe produkti i një mentaliteti të trashëguar nga UNMIK-u, apo, më mirë të them, nga Jugosllavia.

Është koha që Kosova jonë e dashur të marrë shembull nga vendet që respektojnë gazetarinë. Deri atëherë, duhet të themi me ironi: faleminderit AGK, që je kujdesur për ta mbajtur gazetarinë në nivelin më të ulët të mundshëm!

E nga publiku im i dashur, unë kërkoj ndjesë, mirëkuptim dhe kërkoj falje për helmin, që këto media me mentalitet jugosllavian e unmikistan, ju kanë shpërndarë brenda shtëpive dhe familjeve tuaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat