Koalicioni plëngprishës nuk ka qëllim të hyjë në zgjedhje për të qene pjesë e parlamentit, por për t’i hequr mandate opozitës në tërësi.
Sigurish, çdo parti politike ka të drejtën të gjejë hapësirën e vet politikë dhe koalicioni opozitar i shtrirë përtej të djathtës është një ide e mirë, por parë në aspektin politik ky koalicion nuk ka fuqinë të ndryshojë asgjë, përsa i përket politikës në tërësi.
Pra, misioni i tyre është pak më specifik sesa bërja politikë, thjeshtë ata duan që opozitës t’i heqin vota duke favorizuar pushtetin, që në pamje të parë nuk është se ia ka nevojën, por lideri i mazhorancës e ka zakon ti hedh pak thartinë politikës sa për lezet.
Koha ka treguar se të gjitha partitë fraksion të PD-së nuk kanë arritur të marrin mbështetje nga qytetarët, dhe këta do të kenë fatin e tyre, por ama edhe se nuk marrin mandate, ata i dhurojnë mandate palës tjetër sepse Kodi Zgjedhor është i tillë që emri i fundit në listë që ka një votë më shumë mbledh vota e partive të tjera politike.
Pra, koalicioni i polit opozitar nuk merr mandate, por i heq mandat opozitës, duke u vetë etiketuar plëngprishës.
Opozita, e ka provuar edhe më herë tentativën e polit, me “Polin e Lirisë”, por nuk ia doli, mbeti një nocion politik, që po përsëritet.
E vetmja shpresë që ka koalicioni është mungesa e pjesëmarrjes në zgjedhje e PD dhe koalicionit të saj, duke u lutur që të ndodh ajo që bëri opozita, djegia e mandateve të deputetëve dhe krijimin e mbetjes opozitare në kuvend, por shanse janë të vogla.
Por dikush i ka informuar, se ka gjasa që PD të mos hyjë në zgjedhje, dhe ata janë turrur të mblidhen për të kapur rolin e opozitës, e cila nuk bëhet me fantazi por me numra, mbështetje qytetare.
Krerët e partive në “polin opozitar”, nuk marrin asnjë mandat, por marrin atë që duan, çmimin e mercenarit politik. Leje minerale, leje pallati, tendera, punë, pra janë të blerë paraprakisht, punonjës me pagesë, pra tharma e pushteti për të ngrenë petullat e 11 majit.
Ka dhe nga ata që mendojnë se ata e kanë marrë tharmë nga Sigurimi i Shteti, dhe sa herë që opozita është afër pushteti, ata dalin kundër për të favorizuar politikën e vjetër, pra janë misionar të së keqes.