Si duket Rama pa konkurrencë, sërish do t´i fitoi zgjedhjet në Shqipëri?!

Opinione

Si duket Rama pa konkurrencë, sërish do t´i fitoi zgjedhjet në Shqipëri?!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 19 janar 2025 Në ora: 09:33
Edi Rama

Nuk do të niseshim nga ajo se sa ka arritur Shqipëria që të largohej nga strukturat enveriste, po më e rëndësishme do të ishte, si është profiluar opozita, që të ketë një kandidat serioz për një rotacion, për të cilin shqiptarët aq shumë sot kanë nevojë.

Vitet e fundit, apo më mirë të thuhet decenien e fundit, opozita luftën kryesore e ka zhvilluar dhe po e bënë me vetveten, prandaj tërë energjitë i ka konsumuar në atë drejtim. Dhe ku ka arritur, shtrohet pyetja? Timonin e saj sërish e ka rrëmbyer një figurë e cila tashmë është tërësisht e harxhuar, e ai është zoti Berisha.

Kjo luftë e z. Berisha është për mbijetesën e tij dhe duke u marr me mbijetesën e tij premton se do të merret edhe me hallet e popullit dhe kombit, po çështja është se sa mund të jetë real një premtim i tillë, kur edhe ai për shumë vite ishte kryeministër i shtetit, kurse Shqipëria mbeti gjithnjë e ngulfatur nga korrupsioni.

Për kryeministrin e tashëm Rama, as që ia vlen të flitet për te dhe qëndrimin e tij ndaj Kosovës, Luginës, Maqedonisë etj. Diktatori Enver Hoxha punonte ngushtë me armiqtë numër një të popullit shqiptar me serbët, Mugoshën dhe Miladin Popoviqin, kurse sot pas një shekulli e më shumë, Rama njëjtë po vepron me Vuçiqin e Serbisë. Diktatori E. Hoxha punonte sipas direktivave të Mugoshës dhe Miladin Popoviqi, në shfarosjen e popullit shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, kurse Rama me Vuçiqin po me të njëjtin program , Ballkani i Hapur, përpiqej që shqiptarët ti vente vullnetarisht nën dominimin dhe sundimin serb.

Nëse Basha nuk ishte figurë e përshtatshme dhe kompetente që ta udhëhiqte opozitën, pse nuk u gjet një figurë tjetër, si për shembull ish presidenti Bamir Topi, të cilin e njohim si personalitet të pa komprometuar dhe i respektuar (nga shqiptarët jashtë Shqipërisë) që ti printe opozitës.

Si llogaritet që zoti Berisha, me njërën këmbë në burg e tjetrën person non grata, të vihet në krye të opozitës. Si të vendoset për një person i cili tërësisht është i harxhuar politikisht dhe i cili nuk ka se çka t´u ofroi tutje shqiptarëve. Pse ende krijojmë idhuj dhe legjenda, prej të cilave vetëm humbje mund të numërojmë?

Për Ramën momentalisht nuk ka dhuratë më të madhe, sesa emërimi i Berishës në krye të opozitës. Perëndimi dhe ndërkombëtarët nuk shohin një figurë të opozitës, e cila do t´u printe shqiptarëve, prandaj ata deshën apo nuk deshën, detyrohen të bashkëpunojnë me Ramën.

 Pra fitorja e Ramës edhe një mandat, do të ishte një humbje më e madhe për Kosovën, Kosovën Lindore, Maqedoninë dhe për shqiptarët në përgjithësi, po kush është fajtor për këtë? Kuptohet zgjedhësit shqiptar brenda Shqipërisë dhe tash edhe ata të diasporës, por në realitet ata s´kanë edhe alternativë tjetër.

 Cilin ta votonin nga opozita, Zotin Berisha. Mosbesimi ndaj tij është i thellë edhe nëse  administrata Trump, ia anulont non gratën. Arsyet janë të shumta. Është shkruar gjithnjë për to. Mjafton të ceket mosha e tij, por dështimet e shumta, i zbehin edhe sukseset që i kishte etj.

Protestat e tashme të fuqishme në Serbi, duhet të jenë edhe një sinjal për Ramën, i cili në të njëjtën mënyrë autokratike sundon në Shqipëri.

Në këto momente do të mjaftonte që të lindte një figurë e fuqishme politike në Shqipëri, e cila do ta bashkonte opozitën që pa revolucion, por me zgjedhje do t´i bashkonte shqiptarët drejt fitores, si në shtetin amë, po ashtu edhe jashtë tij. Kjo do të ishte një fitore e madhe edhe për Kosovën, por edhe shqiptarët e Luginës, të Maqedonisë, Malit të Zi dhe kudo qofshin.

 Vota e diasporës së Moldavisë, ishte vendimtare që presidentja pro EU t´i fitonte zgjedhjet. Diaspora shqiptare ka shansin që çështjen kombëtare, ta orientoi në favorin e të gjithë shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat