Pse dialogu Kosovë – Serbi është i dështuar?!

Opinione

Pse dialogu Kosovë – Serbi është i dështuar?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 20 janar 2025 Në ora: 15:02
Albin Kurti, Christopher Hill dhe Aleksander Vuçiq

Ambasadori amerikan, Christopher Hill, para pak ditësh fajësoi Kosovën, mës së shumti, siç thoshte ai, për dështimin e dialogut të këtij vendi me Serbinë. Unë e kam lexuar deklaratën e tij si pragmatiste në diplomaci. Një ambasador në Serbi nuk pritet që të bëjë përgjegjëse vendin ku shërben për dështime të tilla. Se Serbia ende nuk është në nivelin e politikës në Shqipëri e një pjese të saj në Kosovë, që ambasadorët të luajnë rolin e guvernatorëve. Pra, nëse Hill do të fajësonte për këtë dialog Serbinë, atëherë atij do t’i vështirësohej detyra dhe pozita në Beograd. Ndryshe ndodh në vendet viktima të Serbisë, përfshirë edhe Kosovën.

Duhet të pajtohemi me konstatimin e zotit ambasador Hill se dialogu Kosovë-Serbi është i dështuar. Por edhe ai e di se ky dështim nuk vjen prej autoriteteve të Kosovës. Thjesht deklarata e tij bëhet ushqim mediatik për kundërshtarët e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, të cilët sulmohen me justifikimin e sulmeve të zotit Hill për arsye të pushtetit. Arsyet e dështimit janë krejt të tjera. Përgjegjës për këtë dështim janë ekipet ndërmjetësuese euro-amerikane, aq sa edhe qeveria e presidenti i Serbisë. Nëse do ta ndanim përgjegjësinë e këtij dështimi, do të thoja se 50-60 përqind i takon Beogradit, 30-40 përqind ndërmjetësuesve ndërkombëtarë dhe më pak se 10 përqind Prishtinës, e cila nuk përjashtohet që në raste të caktuara të ketë edhe ajo përgjegjësi.

Beogradi ka qenë dhe mbetet bllokuesi i zgjidhjes. Kjo është e ditur. Dmth qeveria dhe presidenti Vuçiq nuk duan ende që ta njohin Kosovën shtet sovran e të pavarur. Bisedimet kanë nis para gati 14 viteve me këtë objektiv, që Serbia të njohë de facto e de jure shtetin e Kosovës. Autoritetet serbe kanë bllokuar të gjitha ato nene marrëveshjesh, të cilat vetë i kanë nënshkruar, me të cilat de facto njihet shteti i Kosovës. Nuk i zbatojnë, sepse nuk duan të heqin dorë nga Kosova, edhe pse e kanë masakruar atë si askush tjetër në botë, përveç hebrejve në Holokaust. Nisur nga qëndrimet e shtetit dhe institucioneve serbe ndaj Kosovës, çdo vrojtues i interesuar kupton se pengesa e marrëveshjes midis të të dy vendeve është Beogradi. Hill thotë jo, përgjegjëse është Kosova.

Po pse qenka Kosova përgjegjëse? Se qeveria e saj mbron pavarësinë, shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të vet?! Cila qeveri në botë, përveçse qeverive kuislinge nën pushtim, heq dorë vullnetarisht nga territori, kur dihet se pa territor nuk ekziston as shteti?! Mbrojtja e territorit nuk është mëkat. Dhe çka nuk është mëkat nuk është fajësi, as përgjegjësi e kritikueshme! Ambasadori Hill i ka ngatërruar paksa rolet, jo rastësisht e jo se është i painformuar! Nuk guxon të kritikojë qeverinë dhe presidentin e Serbisë, edhe pse është në fundin e mandatit të tij në këtë vend. Nga pikëpamja e karrierës së tij ndoshta ka të drejtë. Sepse i duhet mbështetja dhe opinioni i mirë i presidentit Vuçiq te miqtë e tij në SHBA për të garantuar vazhdimin e kësaj karriere.

Po Borrell dhe Lajçak, Eskobar dhe të tjerë nuk paskan përgjegjësi?! Ata kanë thuajse të njëjtën përgjegjësi sa edhe Aleksandër Vuçiq, sepse u bënë gjithnjë palë me Serbinë në konfliktin e saj me Kosovën. Ne e dimë se kur dështonin seancat e bisedimeve në Bruksel, të dy përfaqësuesit e BE-së, ose fajësonin vetëm zotin Kurti, ose i fajësonin të dy palët, pavarësisht faktit se fajtori i vetëm ishte presidenti serb. Ne i kemi ndjekur me vëmendje deklaratat dhe veprimet e Lajçak dhe Borrell. Lajçak më shumë mbante kontakte me Radoiçiqin në veri të Kosovës, sesa me kryeministrin e këtij vendi. Më shumë konsultohej me lobet pro-serbe në Europë dhe SHBA, sesa me politikanë e diplomatë neutralë. Atij dhe Borrell u pëlqenin shumë këshillat e autoriteteve pro-serbe të BE-së dhe administratës Biden.

Me emrat e këtyre autoriteteve ata justifikonin qëndrimet e tyre. Gjatë gjithë kohës ishin të shqetësuar që këto qëndrime të shiheshin edhe si pozicionime të BE-së dhe SHBA-ve.

Loja e flliqtë e dy ose tre mdërmjetësuesve nuk e fajëson Kosovën. Por Christopher Hill nuk mund të fajësojë kolegët e tij diplomatë. Nuk është kjo etikë profesionale dhe në këtë aspekt ai ka të drejtë. Çeshtja është thjesht pse fajëson Kosovën? Ku është hileja dhe kujt po përpiqet t’i bjerë në sy me këtë qëndrim? Këto dilema duan një përgjigje për të ndërtuar një ragim korrekt e të dobishëm në prakitkën e sjelljes diplomatike të shtetit të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat