Presidenti Rugova jetoi pak, por me punën dhe veprën e tij ndryshoi një shekull

Opinione

Presidenti Rugova jetoi pak, por me punën dhe veprën e tij ndryshoi një shekull

Nga: Major, Nazif Ramabaja Më: 21 janar 2025 Në ora: 09:25
Major Nazif Ramabaja dhe Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova

Tash po bëhen nëntëmbëdhjetë vjet  që kur pushoi së rrahuri zemra e prijësit, strategut, vizionarit dhe arkitektit të shtetit të pavarur dhe komandantit suprem të forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, i cili diti dhe nuk ngurroi ta ngrejë zërin në kohën e duhur, duke përfituar miq dhe simpati anekënd botës demokratike dhe të qytetëruar për të rezistuar ndaj regjimit okupues serb për liri, pavarësi dhe demokraci.

Mungesa e tij po vërehet në çdo hap dhe vend duke na bërë të kuptojmë se sa i rëndësishëm ishte presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Por, një gjë na mban me shpresë dhe na mburr, që e patëm sepse tani Kosova është njohur shtet sovran dhe i pavarur me subjektivitet të plotë ndërkombëtar, po ashtu siç ka kërkuar Rugova pareshtur e pa heshtur më se një decenie e gjysmë dhe falë këtij insistimi dhe luftës sonë të përbashkët jemi këtu ku jemi.

Do t’i jemi mirënjohës dhe shprehim konsideratën e lartë, duke e mbajtur në zemrat dhe mendjet tona, do të jetë i përjetshëm edhe pse tani fizikisht nuk është në mesin tonë. Për ne ju (president Rugova) me epokën tuaj i vutë vulë dhe hytë në histori e vepra e juaj do të jetojë me ne dhe do të bëhet sinonim frymëzues për brezat e rinjë  se si duhet qëndruar, punuar dhe vepruar.

Është i ditur fakti se gjatë luftës merret peng arkitekti i pavarësisë së Kosovës kryetari dr. Ibrahim Rugova dhe familja e tij, ndërsa atë e dërgojnë dhunshëm në Beograd për ta dhënë lajmin në mediat serbe se gjoja “Rugova po kërkon ndërprerjen e bombardimeve të aleancës veri-atlantike të NATO-s, mbi Serbinë”, një propagandë me të cilën ushqeheshin masmediat serbe dhe kundërshtarët politikë të Rugovës.

Mjetet e informimit të brendshëm, e posaçërisht atij ndërkombëtar, i dhanë një publicitet të rëndësishëm kësaj ngjarje dhe bëhej çmos që të dihet e vërteta e peng marrjes së presidentit Rugova, atëbotë isha në qendrën stërvitore në Kolsh, ku bënim përgatitjen e ushtarëve, stërvitjen e tyre për t’i dërguar në frontin e Koshares dhe thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Në qendër qarkullonin shumë gazetarë, e njëra ndër ta edhe Karolin Sinz, gazetare e televizionit kombëtar francez “France 3”, për ta marrë mendimin dhe përshtypjet e eprorëve ushtarakë institucionalë në lidhje me gjendjen e presidentit dhe komandantit të forcave të armatosura të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

Në deklaratën time dhënë kësaj gazetareje thuhet: “Autoritetet serbe duhet që ta bëjnë të mundur lirimin e Rugovës dhe familjes, dhe t’ia mundësojnë daljen jashtë shtetit, në mënyrë të lirshme t’i mundësohet që të deklarohet”.

Pas presionit që iu bë nga Amerika dhe Bashkimi Evropian regjimit serb dhe personalisht Millosheviqit, iu mundësua që Rugova të dalë jashtë Kosovës, saktësisht në Itali, dhe u pa se e gjithë ajo propagandë kundër tij s’kishte asgjë të vërtetë, por kishin për qëllim vetëm e vetëm për ta diskredituar figurën e vizionarit dhe familjen e tij.

Shtrohet pyetja: pse e gjithë ajo propagandë ndaj udhëheqësit shpirtëror, presidentit historik dr. Ibrahim Rugova? Koha tregoi se presidenti Rugova kishte të drejtë, deklaron Ismail Kadare, e tash shtiren sikurse asgjë nuk është duke ndodhur, pra a kemi të bëjmë me imoralitet apo dyfytyrësi, ju lexues të nderuar, nuk është vështirë ta vlerësoni.

Dr. Ibrahim Rugova, i cili vite me radhë punoi në projektin për Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik në fqinjësi të përhershme me SHBA-të, ky ishte vizioni i tij në të cilin këmbënguli dhe asnjëherë s´iu zmbraps kësaj ideje dhe këtij projekti madhor e kombëtar, duke formuar sistem paralel, edhe pse nën kushte dhe rrethana të okupimit u bë lider i çmueshëm dhe autoritativ për të gjithë, duke e dëgjuar fjalën e tij dhe respektuar qëndrimet e vizionin e burrështetasit Rugova, i cili udhëhoqi me një përkushtim të rrallë duke marrë primatin e kreut dhe të parit si kryetar i parë i LDK-së.

Me daljen në sipërfaqe të këtij prijësi brilant, dr. Ibrahim Rugova, i cili me mençurinë, urtësinë dhe filozofinë politike, kapërceu të gjitha pengesat dhe u bë njeri i çmueshëm si për ne shqiptarët ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Sakrifica e tij sublime për vatan e popull e bëri të respektueshëm dhe populli dëgjoi fjalën e tij në rrugëtimin tonë për bërjen e shtetit.

Populli ynë pati një fat të madh, në këtë rast fati i buzëqeshi dhe shpëtoi nga një katrahurë e çuditshme që i përgatitej për fillimin e luftës në fillim të viteve ’90-ta, mirëpo falë këtij mendimtari dhe vizionari u evitua më e keqja dhe luftën e përgatitur nga qarqe të skenës politike dhe ushtarake të ish-regjimit monist, ia hodhi atyre dhe shpëtoi popullin e vendin nga një tragjedi dhe masakër e kurdisur.

Rugova, përveç rezistencës aktive, kishte edhe në plan rezistencën e armatosur, për këtë dëshmojnë fjalët e tij, të cilat i tha: “Ne duhet dhe do t’i mbrojmë pragjet e shtëpisë” dhe si rezultat i këtyre fjalëve është formimi i ministrive të mbrojtjes, asaj 1991 dhe kësaj të fundit më 1998, pjesë e së cilës ishte edhe vetë si komandant suprem i Forcave të Armatosur të Republikës së Kosovës.

Për të mos e zgjatur më shumë, dua të them vetëm edhe një fjali të cilën presidenti historik Rugova e kishte thënë dhe e përsëriste shpeshherë: "Kokën munden të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë", kjo tregon se sa ishte i vendosur për liri, pavarësi dhe demokraci.

Tani në rrethana dhe kushte kur askush nuk respekton askënd, thyhen dhe shahen institucionet të cilat u krijuan me mund, djers dhe gjak, me të drejtë themi se dr. Ibrahim Rugova i mungon Kosovës dhe popullit të saj. Për ta evituar këtë lloj anarkie dhe katrahure mjafton të kujtohet dhe respektohet vepra e tij të cilën na e la si njeri, veprimtar dhe president, si figurë  e unifikuar dhe e pranuar nga të gjithë, sidomos nga kundërshtarët politikë.

Rugova jetoi pak, por me punën dhe veprën e tij ndryshoi një shekull.

Pas arrestit shtëpiak të presidentit Rugova dhe dërgimit peng në Beograd për tu takuar Milosheviqin, në bazë frekuentuan shumë persona, përkrahës të Presidenti Rugova. Një prej tyre, ishte Jemin Gjana, deputet i prefektit të Kukësit dhe nënkryetar i partisë Demokratike, më vonë ministër i drejtësisë në Qeverinë Sali Berisha më 2005, i cili më informoi se po bëjnë çmos për t’ia ruajtur kredibilitetin Presidentit Rugova, nga propagandat e ndyra të cilat kishin për qëllim largimin e  Ibrahim Rugovës nga skena politike.

Ajo përkrahje e madhe i vinte presidentit Rugova nga Sali Berisha. Pas asaj që u informova nga ministri Gjana, pata një takim me intelektualë të larguar nga Kosova nga presioni dhe dhuna sistematike e regjimit serb, në Bicaj afër Kukësit.

Në atë takim më përcillte edhe prefekti i Kukësit me të cilin kishim bashkëpunim të shkëlqyer dhe isha në zyrën e tij për të ndarë informacione. Gjatë tërë kohës së bisedimeve më bëri të ditur prefekti se një veturë e bardhë e tipit NIV, qëndron disa metra larg lokalit, në të cilën veturë ndodhen pjesëtarët e SHIK-ut duke na vëzhguar. Pas më shumë se dy orë e gjysmë bisedime u larguam për tu kthyer në Kuks dhe Kolsh.

Siç dihet, Ibrahim Rugova ndërroi jetë me 21 janar 2006, e shtunë, në orën 11:38.

Ajo ditë pikëllimi për familjen, farefisin, bashkëpunëtorët dhe tërë popullin shqiptar do të mbetet në faqet e historisë edhe si ditë nderi dhe krenarie për veprën dhe punën titanike në mbrojtjen e popullit të tij para shfarosjes dhe fshirjes nga faqja e dheut, e çfarë ishte më e keqe dëbimi nga trojet etnike e shekullore!

Përkrahje presidentit Rugova dhe Grupit negociues Komunikatat lëshuar në gusht 1998 nga njësitet operative të UCK-së.

Prishtinë, 18 gusht 1998 (QIK) Popullata, subjekte politike dhe njësitë operative të UÇK-së të Lugut të Baranit me 25 fshatra nga Raushiqi e deri në Nepole me më shumë se 30 mijë banorë i jep përkrahje të pa rezervë presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe Grupit negociues të caktuar për bisedime. Kërkojmë që në afat sa më të shkurtër të formohet qeveria dhe institucionet tjera përkatëse në bazë të vullnetit të popullit të dalë nga vota e 22 marsit, thuhet në komunikatë.

Kjo trevë nuk njeh kurrfarë grupesh e fraksionesh që dëshirojnë të flasin në emër të popullit të këtushëm. Nuk lejojmë që personat si Demaçi, Qosja, Hajrizi e satelitët e tyre të dështuar të luajnë me fatin e popullit e as të jenë prijës të njësive operative të UÇK-së në Lug të Baranit. Për fatin e popullit mund të vendosin vetëm ata që kanë bekimin e tij, e ata janë Parlamenti dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, theksohet në komunikatë.

Popullata e Lugut të Baranit, me rreth 20 mijë të strehuar nga regjionet e përfshira nga lufta, do të detyrohen që të nisen këmbë nëpër postblloqe drejt Prishtinës, sepse nuk mund t'i lejohet askujt të bëjë komoditet TË NDIHET KOMOD POLITIKËBËRJE politik në emër të popullit" thuhet në deklaratën e nënshkruar nga subjektet politike të Lugut të Baranit: LDK-ja, PSHDK-ja e PPK-ja, kurse në anën tjetër për njësitë e operative të UÇK-së, është nënshkruar komandanti për Lugun e Barjanit edhe e dyta siç e dinë në Lugun e Baranit kam vepruar unë me njësitet operative të UҪK-së Lugu i Baranit: Përkrahje vetëm për institucionet shtetërore, Prishtinë, 25 gusht 1998 (QIK) Rrok Berisha.

Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga PSHDK, përcolli me telefon një kërkesë të përbashkët të subjekteve politike, njësiteve të UÇK-së dhe komuniteteve fetare të kësaj ane, me anë të së cilës kërkohet nga Kryetari Rugova që sa më parë të emërojë mandatarin e ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas vullnetit të popullit, të dalë nga zgjedhjet e 22 marsit të këtij viti.

Në vazhdim të kërkesës thuhet: "Edhe njëherë po potencojmë se dështakët si Demaçi dhe mendimtarët e tij, nuk e kanë përkrahjen e këtyre subjekteve dhe të njësiteve operative të UÇK-së të Lugut të Baranit. Njëherësh

theksojmë se presidenti Rugova, është i vetmi që gëzon përkrahjen e 98 % të popullatës së këtushme, çka do të thotë se ky nuk është president “vetëm në letër”, por president i popullit.

Njësitet operative të UÇK-së së Lugut të Baranit, nuk pranojnë kurrfarë krahu politik, përveç institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Kërkojmë zhbllokimin e menjëhershëm të gjitha mjeteve të informimit e në veçanti të Televizionit Shqiptar - programi satelitor, të financuar nga djersa e mërgimtarëve tanë, dhe ndaj atyre që i keqpërdorën këto mjete, të ndërmerren masa adekuate.

Kërkesës së popullatës shqiptare të Lugut të Baranit i bashkëngjitët edhe popullata shqiptare nga këto fshatra të komunës së Klinës si Grabanica, Bokshiqi, Çeskova, Këpuzi dhe Dollova, fshatra këto që janë shkatërruar e djegur nga agresori serb".

Këtë kërkesa të përbashkët e nënshkruan: Forumi i Intelektualëve Shqiptarë të Lugut të Baranit, përfaqësuesit e klerit katolik, dom Kelmend Spaqi, të fesë islame, hoxhë Llukman Geci, tri nëndegët e LDK-së në Lug të Baranit, bashkësitë e degëve të PSHDK-së, degët e PLK-së, Shoqata e Gruas, Forumi i Rinisë i LDK-së dhe njësitet operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Lugun e Baranit.

Komandanti i njësive oprative të UÇK-së brigda 131

Major, Nazif Ramabaja

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat