Thirrje për politikë bërësit qeveritar të Tiranës e Prishtinës që Tropoja të jetë e trajtohet si “Një rast i veçantë”!

Opinione

Thirrje për politikë bërësit qeveritar të Tiranës e Prishtinës që Tropoja të jetë e trajtohet si “Një rast i veçantë”!

Nga: Sami Mulaj Më: 22 janar 2025 Në ora: 09:41
Autori Sami Mulaj

Thirrje për politikë bërësit qeveritar të Tiranës e Prishtinës që Tropoja të jetë e trajtohet si “Një rast i veçantë”! Tropoja vendlindja ime në “Dializë” midis Kosovës e Shqipërisë ?! Në vitin 2025 nuk ka asnjë kovaçhane për të pre as një sakicë dhe me sakica në duar bashkëvendësit e mi turren për Gjakovë (?!) Nuk ka asnjë mjeshtër për të rregulluar e meremetuar varrezat, duhet thirrë mjeshtër guri e hekuri në Pejë, Junik, Deçan a Gjakovë…(?!) Edhe për të pre postërmen e dimrit duhet thirre atje një kasap dhe bashkëvendësit e mi paguajnë nga 60 deri 100 euro…(?!)

Qytetarët e Tropojës për nevoja shëndetësore emergjente dhe për Dializën ( tre herë në javë) shpresat e shërbimet i kryejnë në spitalet e Gjakovës, në Prizren e deri në Prishtinë…(?!) Pushteti politik ka hequr shumicën e shërbimeve shtetërore e qytetarët e Tropojës për një librezë, dëftesë, për sigurime, për patenta e leje të ndryshme a për procese gjyqësore etj duhet të mësyjnë Kukësin, Shkodrën e Tiranën, duke bërë qindra kilometra për të shkuar atje.(?!) Përvëç largimit masiv një plagë tani më se tridhjetëvjeçare e bashkëvendlindësve të mi, që ka vështirësuar gjithçka e shtrenjtuar jetesën për gjithë banorët që kanë saktifikuar e nuk janë larguar akoma nga Tropoja, heqja e përjashtimi i shërbimeve shtetërore nga Tropoja është akti më i tmerrshëm dhe abuziv i pushtetit i cili denigron dhe poshtëron çdo ditë ata qytetarë që meritojnë vlerësim, dashuri e ndihmë dhe mbështetje pushteti me politika që lehtësojnë e jo dhunojnë të drejtat e tyre. E keqja më e madhe është se askush nuk e qan hallin e tyre, as ata vetë nuk dinë se çfarë të kërkojnë dhe janë të dehur nga propaganda bajate e politikës e nga boshllëku folklorik me zhurmë e tymnajë daullesh e lahutash. Ata si në qiellin e shtatë hidhen e kërcejnë nëpër dasma e ditëlindje të shtrenjta e të sforcuara, nëpër sofra lokaliste e shoqatash shumë emërore, në tubime e promovime librash e lapidarësh, shpenzojnë shuma marramendëse për dukje në përvjetorë vdekjesh e ndërtime varrezash si përmendore dhe kanë filluar të “zaptojnë” atdheun e të gjithëve Bjeshkën me betonime, gardhe e mure të shëmtuara.

Bashkëvendlindësit e mi që kanë ikur nga Tropoja e banojnë në kryeqytet a qendrat e mëdha e që merren me politikë a aktivitete të tjera pushtetarë deri në qeverisjen qendrore, në vend që të organizohen e bëjnë diçka me biznese të vogla a ndonjë veprimtari tjetër ndihmese i joshin me aktivitete krejt bajate dhe i torturojnë në fushata të gjata politike partish. Me ekipe si dikur e mësyjnë Tropojën në të katër anët për vota dhe nuk i japin asgjë asaj e banorëve të saj. Por, e kanë braktisë me gjithçka sikur të ja kishin inatin. Heqja e institucioneve dhe e shërbimeve shtetërore në Tropojë është rasti më flagrant i shkeljes të drejtave të qytetarit….Qytetari nuk duhet të shkojë kurrë tek pushteti…Pushteti që dëshiron të bëj shtet duhet të shkoj tek qytetari. Tropoja duhet të trajtohet nga shteti e politika si një rast krejt I veçantë. Sa më shpejt ta kuptojnë banorët e Tropojës dhe politikë bërja e qeverisjes aq më shpejt gjinden zgjidhjet… Politika nuk i heq dot barrierat gjeografike, malet e qafat, lumenjtë e kodrinat e thepisura….Porse, krejt normale politikat qeverisëse mund të afrohen.

Organizimi në qarqe e prefektura nuk do të thotë që për hir të gërshërës së “pushtetit” ta izolojë Tropojën e të “torturojnë “banorët e saj. Me organizimin e sotëm, me zyrat e punonjësit në administratë “favorizohet ”në një farë mënyre Kukësi, duke mbajtë administratë edhe për Tropojën por pa tropojanë…e kjo nuk është fatkeqësia më e madhe, le të ketë disa favore Kukësi por jo të diskriminohet Tropoja(?!). Boll është diskredituar nga gjeopolitika e padrejtë më se shekullore e përjashtuar nga Gjakova si pjesë e saj jetësore e gjeografike, ku çdo fshat a lagje e saj nuk është më larg se një orë e gjysmë prej Gjakove (?!) Pushteti lokal duhet të mbajë ekuilibër e baraspeshe dhe jo deformime të tilla që sjellin padrejtësi pushteti. A nuk e shohin realitetin drejtuesit e pushtetarët lokalë e deri në qeveri se tropojanët i kryejnë gati gjithë nevojat e tyre në Kosovë, edhe barë e krunde për bagëti atje i sigurojnë, gjithë shërbimet e riparimet për transportin e makineritë bujqësore atje i kryejnë, atje i blejnë të gjitha…Gjithçka që është e lidhur me veprimtarinë e mbijetesën tropojanët e kryejnë në Kosovë ( kryesisht në Gjakovë ) e tani edhe naftën e benzinën e marrin krejt atje se është shumë më e lirë se kudo në Shqipëri (?!). Tani që është një “ndezje” motorësh të politikës në të dy krahët e kufirit shqiptaro-shqiptar me zgjedhje, çfarë duhet të thonë politikanët që duan të shalojnë fushatën… .

Asgjë nuk kemi dëgjuar nga asnjë, as nga Prishtina e as nga Tirana politike, asnjë palë as nga pushteti-shtet që i ka të gjitha dhe e ka degdisur Tropojën si në Afrikë dhe as opozitarët që i rrinë akoma larg dhe e kundrojnë nga kryeqendrat pa ja njohur Tropojës dhimbjet as të ardhmen. Unë nuk pretendoj të shpalos magji porse thjeshtë i mendoj vetëm dy rrugë: - E para organizim të ri të pushtetit lokal ( rast i veçantë ) për Tropojën, ose duke ri sjellë aty strukturat qeverisëse të domosdoshme ose duke organizuar përditësime shërbimesh ( disa ditë në javë ose në muaj )në Tropojë me punonjës ose të Tropojës ose edhe të ardhur nga administratat me shërbime ditore që të kryejnë shërbimet në Tropojë e jo të shkojnë qytetarët e Tropojës në Kukes, Shkodër a Tiranë (?!) duke humbur kohe e me shpenzime të mëdha… - E dyta, e kjo shumë e rëndësishme që shumë pak është punuar në lidhjet serioze me pushtetin lokal a qendror në Kosovë. Këto lidhje duhet të jenë dypalëshe me interesa jetësore e detyrime reciproke pa i dëmtuar me “dashuri” vëllazërorë që prej kohësh nuk kanë dhënë rezultat… Në treg e biznese nuk ka vëllazëri e miqësi e tropojanët e kanë kuptuar tani që as në Tiranë e as në Prishtinë nuk e gjejnë e as nuk kanë për ta gjetur…

Jetesa e tyre në periferi të qendrave e ka ketë fat por fal pasurive të mëdha e bukurive të natyrës tropojanët e kanë edhe mundësinë për të mbijetuar. Tani është në dorë të tyre, a do të manipulohen si gjithmonë nga pushteti e politika apo do të “trimërohen” e të mbijetojnë me dinjitet. Dhe unë i ftoj sinqerisht të rebelohen politikisht e të kërkojnë nderim e respekt nga pushteti e politika….

Kur them rebelim mendoj që ata pra tropojanët e mi ta detyrojnë politikën të shtrohet me ta e të garantojnë këto dy rrugë….në të kundërt ju lind e drejta që të mos dëgjojnë më përralla politike por të mendojnë seriozisht për mbijetesën e tyre, duke kërkuar ndryshime drastike të gjeografisë politike (!!!!). E si hap i parë duke i mohuar zgjedhjet me mospjesëmarrje….Po, po me mospjesmarrje (?!) Është një e drejtë universale në gjithë botën që qytetarët të zgjedhin se si duhet të qeverisen…! Në të kundërt, pa asnjë çudi Tropoja e tropojanët do të vazhdojnë me jetesë si bijë midis dy njerkave dhe në “dializë” duke u lutur sa në Kosovë e sa në Tiranë si qytetarë të dorës së dytë e të tretë….

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat