Asnjë si Rugova!

Opinione

Asnjë si Rugova!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 22 janar 2025 Në ora: 09:55
Presidenti historik Ibrahim Rugova

19 vite më parë ndërroi jetë dhe shkoi në amshim Ibrahim Rugova, njeriu që nuk do t’i vijë Kosovës dhe shqiptarisë së paku edhe një shekull. E pamundur të lindë ndonjë popull me përmasa gjigande në popullsi e sipërfaqe siç Kosova lindi, rriti dhe zgjodhi Ibrahim Rugovën. Nëse lidrshipi i Kosovës pas Rugovës do ta kishte gjysmën e dinjitetit, integritetit, dijes, mençurisë, urtësisë dhe largpamësisë së Ibrahim Rugovës, sot Kosova do ta kishte vendin e saj në OKB dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Ibrahim Rugova ishte i vetmi që arrinte qëllime, synime dhe strategjitë e veta, përmes taktikave që e bindnin edhe më skeptikun për realizimin e tyre. Kur ai përsëriste që prej vitit 1992 formulën “pavarësia është zgjidhja më e mirë për Kosovën”, dikush nga bashkëpunëtorët e tij i tha: “O kryetar a mos po e teprojmë duke e përmend pavarësinë me çdo personalitet të perëndimit?! E disave nuk po ju pëlqen kjo”! Rugova i përgjigjet: “Dëgjo! Këta as e kanë shkuar ndërmend ndonjëherë se Kosova do ta ketë ose duhet ta ketë shtetin e vet. Ne duhet t’ua përsërisim këtë vazhdimisht që këtyre t’u mësohet veshi. Pasi t’u mësohet veshi, do të fillojnë ta marrin në konsideratë kërkesën tonë”! Filozofia e tij ishte: - Me durim mund ta bindim botën për aspiratën dhe kërkesën tonë për shtetin e pavarur të Kosovës.

Një histori tjetër e pashkruar. Menjëherë pas ngjarjeve të 17-18 marsit 2004 vjen në Prishtinë një nga diplomatët më me emër të SHBA-ve. Ai i mbledh politikanët kryesorë të Kosovës dhe diskuton me ta kërkesën që kishin shtetet aleate të Evropës që Kosova të hiqte dorë nga kërkesa për pavarësi dhe të pranonte statusin e Republikës në Federatën Serbi-Mali i Zi. Të gjithë kundërshtojnë me këmbëngulje. Vetëm presidenti Rugova nuk po fliste. Dikur ambasadori amerikan kujtohet se Rugova nuk kishte folur dhe ai i kërkon mendim. Ibrahim Rugova, ashtu qetë-qetë përgjigjet me gjakftohtësi: “E kuptojmë pozicionin e vështirë të miqve tanë amerikanë. Por ne na mjafton që shtetin e Kosovës dhe pavarësinë e saj ta njihni ju! Ne jemi të kënaqur me ju, po ta bëni këtë”! Me kaq u mbyll diskutimi. Le të më thotë dikush se mund të gjejë një formulë më bindëse.

Sërishmi një tjetër fakt. Albert Rohan ishte një nga miqtë më të mirë të Kosovës dhe shqiptarëve. Ambasador i Austrisë dhe zëvendës i Martti Ahtisaari në bisedimet Kosovë-Serbi. Ambasadori Rohan kishte shkuar në zyrën e presidentit Rugova në dhjetor 1995 pak mbas Konferencës së Dayton-it. Ishte i zhgënjyer për vendimet për Kosovën të kësaj konference. Ndaj e pyet Rugovën: “Çfarë fituat ju me këtë lëvizjen paqësore aktive? Konferenca e Dayton-it ju la jashtë saj.” Dhe rugova që përgjigjet me dy fjalë “Ne jemi këtu zoti ambasador”! Në pranverën e vitit 1999 Rohan, kur Milosheviçi po spastronte Kosovën nga shqiptarët, shkruante: “Tani e kuptoj se ç’ka dashur të thotë Rugova kur më thoshte “Po ne jemi këtu”! Mesazhi: Nëse do të ndodhte ndonjë kryengritje e armatosur atëherë Kosova do spastrohej etnikisht nga shqiptarët dhe do të serbizohej.

Ka edhe shumë shembuj të tjerë, me të cilët ne mund të provojmë urtësinë e fjalës, sjelljes dhe qartësinë dhe saktësinë e ideve, vizionit dhe strategjisë së Ibrahim Rugovës. Së paku deri sa Kosova të njihet plotësisht ndërkombëtarisht si shtet sovran dhe i pavarur do të duhej që të gjithë pasuesit e tij ta kishin atë vizion, atë maturi, atë guxim dhe vendosmëri për vendin e tyre. Por thuajse të gjithë pasuesit e Rugovës, edhe ata të LDK-së, bënë pazare të brendshme dhe të jashtme. Përveç Fatmir Sejdiut dhe besoj fort edhe te Vjosa Osmani. Por zonja Osmani ka kohë ta dëshmojë deri në fund konsekuencën e vet rugoviane.

Dikush ia heq portretin në sy të gazetarit që e interviston e pastaj thërret armikun e Rugovës të mbajë fjalime lavdëruese për presidentin historik. Para tij dikush tjetër bëri pakt me djallin për një copë karrige si kryeministër. Të tjerë kishin planifikuar likuidimin e presidentit historik e pas vdekjes mbiunin përherë te varri i tij me “përulje”! Dikur e kishin shënuar në listën e likudimit fizik e më pas u kthyen e thanë JO, e ekmi prijës. Disa ish bashkëpunëtorë të presidentit Rugova ikën nga dritarja e pasme, sepse nuk qenë dakord me sjelljen e qëndrimet e tij. Tani dalin e na thonë se “Ishin miqtë dhe besnikët më të mirë” të Presidentit historik! Ndonjë bashkëpunëtor i afërt i Rugovës e la atë në mes të rrugës dhe tani shkruan libra, në të cilat nuk merret vesh kush ka qenë heroi, Rugova apo autori i librit të shkruar! Ka bashkëpunëtorë të Rugovës që dalin e mbajnë fjalime për rolin historik të tij e në anën tjetër në bisedime private nxjerrin gjuhën në shenjë mosmirënjohjeje!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat