Modeli i demokracisë grushtuese

Opinione

Modeli i demokracisë grushtuese

Nga: Ejup Berisha Më: 22 janar 2025 Në ora: 15:03
Autori Ejup Berisha

Në përpjekjet për t’i prezantuar dhe për t’i shpjeguar modelet e shumta të Demokracisë, të cilat zbatohen në shtete dhe në shoqëri të ndryshme anembanë botës, unë në këtë shkrim do të përqendrohem në modelin e Demokracisë grushtuese. Ky nuk është model teorik shkencor, por është model empirik i cili po zbatohet vazhdimisht në praktikë për një kohë të gjatë këtu te ne. Siç thashë më lartë, ky model tanimë tepër i njohur "Demokracia" praktikohet më së tepërmi në vendbanimet tona. Dhe do të them se përmes tij të gjitha kontestet, mosmarrëveshjet dhe aksidentet e rastësishme apo ato që ndodhin padashje mes individëve zgjidhen jo me bisedime e me dialog, por me dhunë dhe, atë, në të shumtën e rasteve, me përdorim grushtash.

Dhe jo vetëm me to, por nëse këto nuk ndihmojnë në tejkalimin e mosmarrëveshjeve, atëherë demokratët-grushtaxhinj kalojnë në përdorimin e mjeteve të tjera më të rrezikshme të dhunës, si shufra metalike, thika dhe, në raste specifike, edhe pistoleta. Po po, edhe kjo ka ndodhur dhe ndodh shumë shpesh. Vetëm rastësisht gjindeni në ndonjë ngjarje apo dhe në ndonjë situatë të pakëndshme me ndonjë djalë të ri nëpër rrugët e fshatrave dhe qyteteve tona dhe do të bindeni në gatishmërinë e grusht-demokratëve për t’u marrë me ju, siç thashë, jo në mënyrë paqësore, por me luftë.

Sigurisht ju intereson se si ndodh ky realitet apo kjo gjendje te ne dhe cilët janë fajtorët kryesorë për të. Pra, për këtë gjë nuk janë fajtorë pjesëtarët e gjeneratave të rinjve dhe të rejave, por faj kanë, në radhë të parë, familjet, pastaj shkollat, si dhe institucionet e tjera shtetërore dhe publike, të cilat, edhe pse duhet, aspak nuk merren me udhëzimin dhe orientimin e të rinjve, me qëllim që të njëjtët ta gjejnë dhe të ecin në rrugën e duhur dhe të drejtë, dhe kështu të këta, ngadalë, të formohen, të ngriten dhe të zhvillohen si personalitete të shëndosha e përparimtare në shoqëri dhe në shtet.

Në të shumtën e rasteve rinia këtu te ne edukohet dhe arsimohet në rrugë, dhe ky ambient në të gjitha mënyrat dhe variantet formon njerëz delikuentë, agresivë, hajdutë, dhunuesë, apo dhe në raste më ekstreme edhe vrasës. Dhe botërisht dihet se rruga nuk formon njerëz me virtyte dhe cilësi morale e njerëzore, por ajo formon njerëz me karakteristikat dhe predispozitat që u përmendën më lartë. Prandaj, të gjithë njerëzit duhet të tmerrohen për këtë realitet dhe të njëjtët duhet të marrin masa për ndryshimin e kësaj gjendjeje tejet të pavolitshme dhe shumë të rrezikshme që mbreton në mesin tonë. Nuk ka nevojë për të toleruar situata dhe sjellje të tilla të dhunshme, të tmerrshme dhe jonjerëzore të të rinjve.

Gjeneratave të reja duhet shpjeguar me argumente, me dëshmi dhe me fakte se jeta e përditshme e njerëzve nuk duhet të zhvillohet me parime dhe rregulla mafiozo-vrasëse. Të paktën jo me ato që janë mësuar të shohin nëpër filma, siç është edhe ai filmi i famshëm turk Kurtlar Vadisi. Lexues të nderuar, më merr mendja se e dini për cilin film e kam fjalën. Siç dihet, Demokracia përherë mundohet që në shoqëri dhe në shtet të eliminojë dhunën dhe sjelljet e pahijshme e të papranueshme të individëve, qofshin ata të rinj apo edhe të moshuar. Por dhe e njëjta, në të shumtën e rasteve, i stimulon urtësinë, tolerancën dhe dialogun, me qëllim të tejkalimit apo dhe të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe zënkave në mënyrë dhe me mjete paqësore, e jo me dhunë.

E rinisë tonë, fatkeqësisht, një kohë të gjatë ia morën në dorë disa televizione private, të cilat atyre ua prezantonin dhe vazhdojnë t’u prezantojnë filmat më të këqij të mundshëm, në të cilët askund nuk mund të shihen skena me porosi se si njerëzit duhen, respektohen dhe ndihmohen mes vete, apo dhe ato se si njerëzit duhet ta duan jetën e tyre dhe të kujdesen për jetët e njerëzve të tjerë, por në të shumtën e rasteve në to dominojnë pamje dhe skena se si të urrehen, si të lëndohen, apo dhe se si njerëzit të vriten me njëri-tjetrin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat