Shumë herë, besoj se me qindra herë kam shkruar për LDK-në, partinë dikur më të madhe në vend. Kosova ka nevojë për frymën e Rugovës, nga e cila lindi LDK, deshtëm apo jo, Kosova ka nevojë për LDK-në. Por, jo për LDK-në e katandisur që nga 2008 e tutje. Për t’u rikthyer si parti e parë në Kosovë, në gjykimin tim, LDK duhet të ndjekë këto katër hapa:
Së pari, partia duhet të distancohet nga Isa Mustafa, duke i hequr titullin "kryetar nderi" dhe të kërkojë falje për gabimet. Së dyti, të kërkojë falje për koalicionet me PDK-në dhe të premtojë se nuk do të ketë koalicion me PDK-në derisa kjo e fundit të pastrohet nga elementë të SHIK-ut brenda saj.
Së treti, të pastrohet vetë nga njerëz që i kanë shërbyer interesave të tyre dhe janë të "korruptuar" në sytë e opinionit publik. Dhe së fundi, të hartojë një plan programi se si të zbutet papunësia, reformat në arsim, drejtësi për të luftuar korrupsionin dhe hapa për anëtarësimin në NATO dhe BE.
Këto janë katër hapa që do t’i ndihmonin shumë LDK-së për të rikthyer të gjithë ata votues që braktisën partinë për shkak të arrogancës dhe tradhëtisë që Isa ua bëri.
Kryetari i LDK-së duhet të bëjë këto hapa nëse synon të ecë përpara, të rrisë partinë dhe të arrijë synimet e tij për të qenë kryeministër. Nuk mund të rikthehet elektorati pa reforma bindëse, për të cilat ka nevojë LDK-ja.
Gjeneratat e reja kërkojnë alternativa të sigurta, të cilat aktualisht LDK-ja nuk i posedon, duke u shndërruar në një "kazan" ku ka çdo gjë, e më së paku rugovistë. Lumiri e ka në dorë për të ecur tutje apo për të ngecur, por duhet të di se me LDK-në ecet tutje vetëm nëse partia i kthehet rugovistëve të vërtetë, e jo përfituesve që nuk kanë as parime, por vetëm interesa personale.