Rusia dhe Serbia po bashkëpunojnë ta destabilizojnë Kosovën në kohë zgjedhjesh!

Opinione

Rusia dhe Serbia po bashkëpunojnë ta destabilizojnë Kosovën në kohë zgjedhjesh!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 24 janar 2025 Në ora: 08:48
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Rusia dhe Serbia po shfrytëzojnë zgjedhjet e 9 shkurtit me qëllim që të destabilizojnë Kosovën. Të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, deklaroi se “Pengesa kryesore për institucionet në Prishtinë është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Srpska, e cila është e vetmja e aftë për t’i rezistuar shkeljes masive të të drejtave të popullatës serbe në zgjedhjet e ardhshme të 9 shkurtit”! Më tej Zakharova, duke folur për skenarë kundër serbëve, thotë se “Një skenar i tillë sjell pasojat më të tmerrshme për serbët që jetojnë në rajon dhe stabilitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit”.

Një retorikë si kjo përdoret vazhdimisht në Beograd. Ideja është që për një destabilizim të mundshëm të Kosovës dhe rajonit të mund të fajësohej qeveria e Kosovës e kryesuar nga Albin Kurti. Por ajo që vihet re lidhet me faktin se sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, aq më shumë shtohen akuzat kundër Kosovës. Kësaj radhe të dy vendet dhe qeveritë e tyre, ajo e Rusisë dhe kjo e Serbisë, po marrin në mbrojtje Listën Srpska, madje duke akuzuar KQZ-në dhe qeverinë e Kosovës, se këta po bëjnë përpjekje për falsifikimin e rezultatit zgjedhor në dëm të Listës Srpska.

Ka mundësi që në Moskë dhe në Beograd të kenë info se partia e Vuçiq në Kosovë do të humbasë këto zgjedhje dhe këto dy kryeqytete të kenë zgjedhur këtë lloj retorike luftënxitëse e destabilizuese për të sensibilizuar serbët e Kosovës që ta votojnë këtë parti. Por në kushtet e situatës së krijuar në Beograd me protestat e studentëve dhe të qytetarëve serbë kundër presidentit Vuçiq, nuk përjashtohet mundësia që ky i fundit të luajë kartën e destabilizimit të rajonit përmes konfliktit ose provokimeve të armatosura kundër Kosovës. Meqenëse ky operacion destabilizues nuk kryhet dot nga ushtria dhe policia serbe, politika ruse e serbe, si dhe strukturat e të dy shteteve po koordinohen për të aktivizuar serbët në Kosovë për të realizuar planet e tyre anti-Kosovë, anti- Europë dhe anti- Perëndim.

Eshtë i njohur fakti se Serbia të gjitha luftërat dhe konfliktet në Ballkan prej më shumë se një shekull i ka nis me formacione paramilitare, kryesisht të strukturuara përmes pakicës serbe në Bosnjë, Kosovë, Mal të Zi apo në Maqedoninë e Veriut. Sipas kësaj metode Serbia e Milosheviçit nisi luftën në vitin 1992 në Bosnjë-Hercegovinë e në Kroaci dhe më e pakta mundi t’i ikte përgjegjësisë direkte për t’u akuzuar për genocid dhe t’i paguante dëmet viktimave të shkaktuara. Vetëm në Kosovë Serbia nuk mundi t’i kamuflojë dhunën, masakrat, krimet kundër njerëzimit dhe genocidin e saj përmes kësaj formule. Sepse është e provuar se të gjitha këto i shkaktoi ushtria dhe policia serbe e komanduar nga qeveria, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë dhe e frymëzuar nga Kisha dhe Akademia. Tani Aleksandër Vuçiq po përpiqet të aplikojë në Kosovë mobilizimin paramilitar të modelit Bosnje dhe Kroaci.

Megjithatë nuk duket se rreziku qëndron para datës 9 shkurt. Rreziku më i madh i destabilizimit mund të jetë dita e votimit dhe periudha e dy javëve pas kësaj date. Në ditën e votimeve ka shumë mundësi që të ketë akte dhune e terrori, me qëllim njollosjen e zgjedhjeve. Dhe nëse nuk ndodh kjo më 9 shkurt, atëherë Beogradi dhe Moska do të përpiqen të mobilizojnë serbët e Kosovës në akte dhune, duke akuzuar institucionet e Kosovës për manipulimin e zgjedhjeve dhe rezultatit zgjedhor.  Akuzat e zëdhënëses së diplomacisë ruse dhe deklaratat akuzuese të vazhdueshme të Aleksandër Vuçiq provojnë faktin se këta duan dhe punojnë për destabilizimin e Kosovës e të rajonit.

Nga ana tjetër dekëlarata e Zakharova na bën me dije edhe se Kremlini po bashkëpunon ngusht me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Fakti se ajo sjell në vemendje të publikut të njëjtën retorikë si edhe Vuçiq do të thotë se Moska qëndron pas presidentit serb. Dhe kjo nuk është vështirë të kuptohet. Në kushtet e trysnisë nga protestat e studentëve dhe të rinisë kundër autoriteteve qeverisëse në Serbi, Aleksandër Vuçiq ka thirrur në ndihmë Vladimir Putin. Ai çdo ditë veç Kosovës akuzon edhe Perendimin, Bashkimin Europian, Kroacinë, boshnjakët, shqiptarët.

Në këto kushte do të ishte mirë që institucionet e Kosovës, sidomos ato që administrojnë zgjedhjet, të mos shkelin asnjë pikë e nen të ligjit për zgjedhjet. Organizimi i zgjedhjeve në respekt të ligjit dhe kodit zgjedhor duhet kuptuar jo vetëm si detyrim ligjor, por edhe si përkushtim ndaj rendit, paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat