Propozim: Sharjet dhe ofendimet publike ndaj nënave dhe grave të pafajshme të radhiten në mesin e veprave kundërvajtëse

Opinione

Propozim: Sharjet dhe ofendimet publike ndaj nënave dhe grave të pafajshme të radhiten në mesin e veprave kundërvajtëse

Nga: Ejup Berisha Më: 24 janar 2025 Në ora: 13:06
Autori Ejup Berisha

Ka kohë që në opinion shumë shpesh, nga njerëz të ndryshëm, bile edhe nga pjesëtarë të popullit shqiptar, dëgjojmë dhe lexojmë sharje dhe ofendime nga më të ndryshmet. Disa meshkuj shajnë dhe ofendojnë me aq lehtësi nënat dhe gratë në opinion, saqë as syri prrrrt nuk ua bën. Këta meshkuj unë i quaj burrecë dhe jo burra, sepse po të ishin të tillë, ata nuk do t’i shanin pa të drejtë dhe pa asnjë arsye nënat dhe gratë. Pyes se si është e mundur që disa individë, pa fije turpi dhe frike, shajnë publikisht nënat dhe gratë dhe atë drejt për drejt me fjalorin më vulgar të mundshëm. Burrat e guximshëm dhe trima nuk merren kot me femra, por ata ballafaqohen burrërisht me burra. E ata të parët, nëse janë meshkuj të vërtetë, nuk merren me sharje dhe ofendime të gjinisë femrore.

Sharja e pabazë e nënës apo edhe e gruas propozoj që të radhitet në mesin e veprave kundërvajtëse dhe institucionet kompetente shtetërore, ata që shajnë dhe ofendojnë duhet t’i sankcionojnë me ligj duke u shqiptuar atyre gjoba të majme. Bile unë do të propozoja që për këto vepra shumë të këqija, të tmerrshme dhe të shëmtuara të mos ketë të drejtë faljeje. Kjo për faktin se sharjet dhe ofendimet kanë të bëjnë me ruajtjen e nderit të pakontestueshëm të dy shtyllave kryesore të familjes shqiptare: nënës dhe gruas. Pse njerëzit shajnë dhe ofendojnë pa kurrfar turpi dhe frike në opinion? Këta, pra, këto gjëra i bëjnë sepse u mungon edukata dhe kultura elementare familjare. Dikush sharjen e konsideron si trimëri, guxim apo dhe burrëri. A e dini kush shajnë?

Shajnë vetëmse fëmijët dhe pleqët, dhe nuk duhet të shajnë burrat e pjekur dhe të rritur. Më tej, kush shan dhe ofendon nënat dhe gratë, nuk është njeri i ndershëm, por është njeriu më i pandershëm në botë. Nuk do të doja kurrë në opinion të lexoja apo të dëgjoja ndonjë debat apo koment që përmban sharje dhe ofendime në adresë të nënave dhe grave të ndershme dhe të pafajshme. Vetëm njerëzit pa asnjë virtyt njerëzor dhe moral përdorin sharje dhe fyerje në adresë të njerëzve të pafajshëm. O burrecë, në opinion komentoni me argumente, me fakte dhe me dëshmi reale dhe konkrete e jo me ofendime dhe sharje të pista. Kush shan dhe ofendon nënat dhe gratë, në fakt, nuk ka bërë dhe nuk bën gjë tjetër, përveçse ka sha dhe shanë nënën dhe gruan e vet, sepse në përditshmëri çfarë bën ajo, do të të kthehet si bumerang.

Në fakt, në të shumtën e rasteve, fjalori i ofendimeve dhe sharjeve është produkt ose pasojë e mosedukimit të fëmijëve në rininë e hershme nga ana e prindërve. Kur prindi qesh kur fëmija i tij i mitur shan, ky i fundit do të mendojë se është duke bërë punë të madhe. Prandaj, prindërit doemos duhet t’i çortojnë fuqishëm fëmijët kur ata shajnë dhe ofendojnë në fazën e fëmijërisë së hershme të tyre, sepse këta pastaj gjatë tërë jetës do ta bartin atë ves shumë të keq, jonjerëzor, me vete dhe të njëjtin do ta përdorin me shumë lehtësi. Dhe ta dini se askund nëpër botë nuk shajnë nënat dhe gratë, përveçse njerëzit në Ballkan, duke filluar nga Serbia e deri në Shqipëri. Nënat dhe gratë e gjithkujt në botë janë qenie të shenjta dhe askush nuk ka të drejtë dhe nuk guxon t’i shajë dhe t’i ofendojë ato. O burra, jo më falni, o burrecë që shani dhe ofendoni, nëse jeni trima dilni dhe ballafaqohuni me burra, e mos e bëni punë të panevojshme me femra. Pastroni fjalorin e pisët nga mendjet dhe gojët tuaja dhe tregoni pak dinjitet dhe edukatë familjare e njerëzore, nëse i keni. Është momenti dhe koha e duhur të dëshmoni pjekuri njerëzore e jo tërë jetën të jeni të papjekur dhe të pafytyrë.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat