Të rritet pragu zgjedhor nga 5 në 10%

Opinione

Të rritet pragu zgjedhor nga 5 në 10%

Nga: Faton Mehmeti Më: 24 janar 2025 Në ora: 13:20
Autori Faton Mehmeti

Kosova, si asnjë vend tjetër, ka numrin më të lartë të partive politike. Me një popullatë prej 1.6 milionë banorësh, është e tepërt që të ketë kaq shumë parti politike. Besoj se vendi ka nevojë të "zhdukë" shumicën e partive që nuk përfaqësojnë më shumë se interesat e dhjetë vetëve. Të gjithë synojnë në mënyra të ndryshme të arrijnë pragun prej 5% për të hyrë në Kuvend.

Kur flasim për Kuvendin, Kosova është një Republikë Parlamentare, ku votuesit zgjedhin anëtarët e parlamentit (deputetët) drejtpërdrejt përmes votimit të fshehtë çdo katër vjet. Kuvendi ka 120 deputetë, prej të cilëve 100 deputetë zgjidhen përmes përfaqësimit proporcional me votim të fshehtë, bazuar në listat e hapura, ndërsa 20 vende shtesë janë të rezervuara për deputetët e pakicave kombëtare.

Në lidhje me vendet e rezervuara, shpërndarja bëhet si në vijim: 10 vende për komunitetin serb, katër për romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit, tre për komunitetin boshnjak, dy për komunitetin turk dhe një për komunitetin goran.

Pragu zgjedhor për partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur është 5% e votave të përgjithshme, ndërkohë që për partitë që përfaqësojnë pakicat kombëtare nuk ka prag zgjedhor.

Në mënyrë që të ketë më shumë garë brenda partive të mëdha, mendoj se duhet të rritet pragu nga 5% në 10%. Kjo do ta pasuronte skenën politike dhe do të largonte ngarkesën e madhe të partive të shumta, duke ndërtuar një sistem më afër atij amerikan, me dy ose tri parti të mëdha, ku gara për të parin e partisë do të ishte më e fortë, çka do ta përmirësonte cilësinë. Imagjinoni një parti me 5 ose 6% që futet në Kuvend dhe arrin të marrë postin e kryeministrit – kjo do të ishte e tmerrshme.

Sistemi zgjedhor ka nevojë për ndryshim, përfshirë ndarjen në zona zgjedhore dhe rritjen e pragut në 10% për arsyet e përmendura më sipër.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat