Kur pronari i jashtëligjshëm - i dirigjon lajmet

Opinione

Kur pronari i jashtëligjshëm - i dirigjon lajmet

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 24 janar 2025 Në ora: 13:29
Autori Zejnullah Jakupi

KlanKosova në lajmet e orës 20:00 (të datës 23.01.2025), në mbrëmje, solli lajmin kryesor me titull: "Raportet Kosovë-SHBA: Grenell - Në nivelin më të ulët, shkaku Kurti", i cili sipas këtij lajmi është dënuar nga SHBA dhe BE, si dhe nga Joe Biden.

Me këtë lajm, Klan Kosova dhe pronari i saj, Sh. Devolli nga "Devolli Corporation", i cili ishte në SHBA për betimin e Presidentit D. Trump, ka bërë shumë foto dhe ka marrë prononcime sikur të ishte ambasador, i dërguar special, apo lobiist i shtetit të Kosovës. Nuk dihet se si janë marrë këto prononcime dhe nëse ato janë thënë nga R. Grenell, pasi lajmi u transmetua vetëm me materiale video nga arkivi. Kur jepen pamje të tilla, duhet të shënohen si "pamje nga arkivi".

Vendosja e temës nr. 1 si TOP LAJM është tendencioze dhe shkel rregullat e gazetarisë.

Manipulimi që bën TV KlanKosova është se disa ditë më parë reklamohet Shkëlqim Devolli dhe Kompania e tij, e cila ka në pronësi KlanKosovën, se ai ka qenë i vetmi që ka marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit D. Trump, duke postuar foto dhe duke bërë lajme me delegacione dhe përfaqësues të administratës Trump.

Pra, TV KlanKosova duhet të prezantojë vizitën e bosit të "Devolli Corporation", por duhet të ketë kujdes me lajmet që jepen për kryeministrin, sepse lajmet duhet të jenë të pavarura dhe të mos bëhen sipas dëshirave të pronarit të medias.

Avni Zogiani shkruan në FB me të drejtë: "KPM, a po i shef lajmet e Klan Kosova?!". Nëse raportohet se Sh. Devolli ka marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit D. Trump, duhet të raportohet gjithashtu se aty ka pasur edhe mysafirë të tjerë nga Kosova. Nëse prezantohet vetëm një person, kjo është cenzurë dhe manipulim.

Duhet të theksohet disa fjalë bazuar në shkencën e gazetarisë, jo për të sulmuar KlanKosovën, por as pronarin e saj, i cili ka marrë licencë nga shteti, për të bërë gazetari profesionale, jo të njëanshme dhe jo për interesat e tij personale, por për publikun. Lajmet duhet të jenë objektive dhe të informojnë pa ndikuar nga ideologjitë apo interesat e pronarit të medias.

Për këtë arsye, siç kam shkruar edhe më parë, redaksia duhet të balancojë debatet, të ofrojë pikëpamje të ndryshme, dhe të sjellë ekspertë të ndryshëm. Pronari i Klankosovës nuk duhet të përzihet në punën e gazetarisë. Ai nuk mund të ndikojë në redaksi, as menaxhmenti nuk duhet të përzihet në punën e gazetarëve.

Kritika ime nuk ka të bëjë me xhelozi, por është e bazuar në përvojën time në Berlin, në Freie Universität, dhe jo në përvojat e profesionistëve të tjerë të gazetarisë.

Klankosova, me këto lajme dhe debatet e vazhdueshme kundër qeverisë dhe Albin Kurtit, nuk po informon objektivisht, por po paragjykon. Paragjykimi i lajmeve ka të bëjë me tendencën e medias për të paraqitur informacionin në mënyrë që favorizon një këndvështrim të caktuar.

Disa tema theksohen ndërsa të tjera injorohen, çka mund të çojë në një pasqyrë të shtrembëruar të realitetit. Gjuha dhe toni i përdorur gjithashtu ndikojnë në perceptimin e temës.

Përzgjedhja e burimeve dhe interpretimi i fakteve gjithashtu mund të krijojnë paragjykime dhe të formësojnë opinione të njëanshme.

Prandaj është e rëndësishme që të konsumojmë lajmet në mënyrë kritike, të krahasojmë informacionin nga burime të ndryshme dhe të bëjmë një analizë të balancuar për të marrë një pasqyrë më të drejtë dhe objektive.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat