Serbi- Shqipëri, realitete “binjake”, qëndrime të kundërta!?

Opinione

Serbi- Shqipëri, realitete “binjake”, qëndrime të kundërta!?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 25 janar 2025 Në ora: 11:49
Xhevat Mustafa

Në Serbi e Shqipëri janë si binjake apo tejet të ngjashme qeverisjet, diktaturat dhe diktatorët, korrupsioni, emigracioni masiv Edhe Vuçiç e Rama janë si "vëllezër ideali" jo vetëm për "Ballkanin e hapur"! Megjithatë në Shqipëri ka pamje, reflektime, reagime, qëndrime të ndryshme ndaj qeverisjes!? Rinia, sidomos ajo studentore, janë spektatorë dhe aktorë në spektakle "droguese", paralizuese, çthurëse apo degjeneruese si Big brother apo jo të kësaj natyre si "E djela Shqiptare", koncerte si Kënga Magjike, X Factor! Apo mbushin lokale nate..., ndjekin masivisht serialet e telenovelave turke, ndeshje sportive...Për më keq, pjesëmarrja e të rinjve e të rejave edhe në protestat e PD-opozitës, rrallë e për mallë në Tiranë, këto javët e fundit me të njenjtën etiketë apo slogan, si në protestat në Serbi, “Mosbindje civile”, ka qenë jo ajo e duhura dhe e pritshmja, por e kufizuar...!? Kjo është e kuptueshme! Në këta 11 vjet të Rama-qeverive moshat e reja kanë qenë kontingjentet më masivë në ushtrinë rreth 1 milionëshe të emigrantëve që kanë ikur për në vende të Perëndimit! Të gjitha këto investohen dhe bëhen edhe me synimin dhe llogaritë që të përcillet në vend e në botë një imazh dhe e vërtetë krejt tjetër nga ato në jetën e përditshme në shumicën e familjeve në Shqipëri. Edhe më shqip, sikur të rinjtë e të reja në vendin tonë të jenë më të pasurit, më të lumturit, pa mungesa e halle jetësore, më të përmbyturit nga të mirat e qeverisë dhe të demokracisë...!?

Moshatarët e tyre në Serbi prej javësh mbushin sheshet dhe rrugët e Beogradit e të qyteteve të tjerë të vendit, bien viktima të dhunës policore... ! Kërkesa e tyre e parë ka qenë dhe mbetet largimi i presidentit Aleksandar Vuçiç dhe i qeverisjes së karakterizuar nga autokratizmi, nepotizmi, korrupsioni e si rrjedhojë e tyre, nivelet e larta të varfërisë e të emigracionit! Siç është bërë publike më herët, studentët e universiteteve dhe punonjës të fushave e sektorëve të ndryshëm të prodhimit, arsimit, shendetsisë, shërbimeve... në Beograd e në disa qytete të tjerë të Serbisë, janë bashkuar në këtë valë masive demonstratash anti-qeveritare, që nisën pas vdekjes së 15 personave si pasojë e shembjes së çatisë së një stacioni treni në Novi Sad, në fillim nëntor 2024. Për këtë aksident opozita dhe protestuesit fajësojnë autoritetet lokale dhe qëndrore, sidomos ministrinë e transporteve. Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe partiakë e pushtetarë të tij të afërt, nga ana e tyre, duke minimizuar ndikimin e motiveve dhe të arsyeve ekonomiko-sociale, kanë akuzuar opozitën dhe studentët se po e shfrytëzojnë këtë tragjedi vetëm për interesa politike e për rrëzimin e tij. Gjithashtu, edhe se janë të nxitur dhe financuar edhe nga qarqe politike jashtë Serbisë, duke aluduar deri në absurdin e mbështetjes së tyre edhe nga qeveritë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë!?

Duke dëshiruar dhe uruar rrëzimin sa më të shpejtë të Aleksandar Vuçiçit e të qeverisë së tij, ne shqiptarët nuk ka pse të kemi iluzione se pas tyre në Beograd do të vijë në pushtet një koalicion dhe qeverisje më pak antishqiptare, më pak filoruse, më shumë e dëshiruar për njohjen e Kosovës dhe për nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare me qeverinë e sotme apo të paszgjedhjeve në Kosovë. Nga çdo këndvështrim, i afërt apo ca më i largët, dozat e këtyre të këqijave të Serbisë dhe të shumicës së serbëve nuk janë më të pakta dhe më të kufizuara si shtrirje tek ne në Shqipëri, së pari e mbi të gjitha në Rama- qeveri!

Merret me mend se ky ndryshim apo dallim mes dy rinive, shoqërive, popujve, edhe pse me qeverisje, realitete, dukuri e përjetime të përafërta apo të ngjashme, është më shumë "fryt" i investimit mbi 11 vjeçar të Rama- qeverisë për depolitizimin sa më masiv të shoqërisë shqiptare, sidomos të rinisë, mbizotërimin shifror dhe sidomos si mendësi, në çdo institucion, zyrë, hallkë, qelizë..., nga "katundaria"! Por, edhe nga slogani i sajuar nga truri i Edi Ramës se "të dy palët janë njësoj", kur në të vërtetë, pa ia mohuar, harruar, lehtësuar opozitës plot gabime e të meta, përsëri mbetet e qartë si drita e diellit se nuk ka pasur e nuk do të ketë Shqipëria e këtyre 33 viteve qeverisje më të keqe, më të korruptuar, më të papërgjegjshme e më të pandjeshme ndaj interesave njerëzore dhe kombëtare, se kjo e 11 viteve të fundit!

Me një dozë më të fortë politizimi, nuk mund të mos çohet ndërmend edhe se kjo strategji po zbatohet në shekullin 21, edhe sipas direktivës së Leninit e të Mao Ce Dunit "fshati të rrethojë qytetin", që tek ne është përkthyer e zbatuar në variantin "fshati të pushtojë e sundojë qytetin"!

Ky skenar sorosian ka pasur si shprehje apo rrjedhojë parësore pakësimin masiv të popullsisë bio qytetare, me nivel të lavdërueshëm emancipimi kulturor e demokratik; të rinisë, të elektoratit "të djathtë"...! Shprehur ndryshe, ky skenar ka sjellë emigracionin masiv të një ushtrie afro 1 milionëshe në vende të afërta e të largëta të Perëndimit dhe zëvendësimin e tyre, kryesisht me afrikano- aziatikë...!? Objektivat e kësaj strategjie mund të quhen të përmbushura! Shqipëria ka mbetur pa POPULL, pa RINI, pa SINDIKATA, pa POZITË, pa OPOZITË, pa SHOQËRI CIVILE, pa QYTETARË të emancipuar! Për më tepër, që nuk lejojnë të mashtrohen paturpësisht, t'u nëpërkëmben dhe tregtohen dinjiteti, bindja, vota... ! Që kanë kurajo t'i mbrojnë ato edhe në sheshe protestash, pa ua vënë fare veshin etiketimeve të propagandës hapur qeveritare e të asaj publike, me maska pavarësie si dhe presioneve aspak ligjore e qartësisht antidemokratike!

Por, Shqipëria e fillim vitit 2025 është edhe e përmbytur nga drogërat dhe betoni, nga militantizmi e fanatizmi partiak, nga pushtetizimi i bosëve apo bandave të mafias shumëngjyrëshe me përhapje shqetësuese deri në vende të largëta të Amerikës Latine...! Edhe nga kriminaliteti thuajse rrezik dhe veprues i përditshëm, nga pesimizmi e skepticizmi për një të ardhme të shpejtë shumë më ndryshe e më të mirë, sidomos për nga standardet e mirëqenies e të demokratizimit!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat