Kush mund t´i fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Opinione

Kush mund t´i fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 26 janar 2025 Në ora: 09:58
Liderët e partive politike

Prognozimet, se cila parti do dal fituese në zgjedhjet e shkurtit 2025 janë të ndryshme. Ato e nxirrnin edhe Kamala Harris se do t´i fitonte zgjedhjet presidenciale në SHBA, po në fund Trump, i fitoi me rezultat tejet të thellë.

Edhe në Kosovë po ashtu prognozat e nxjerrin fitues Albin Kurtin me LVV, por me këtë sigurisht nuk pajtohen LDK, PDK, AAK etj.

LDK, tash në fushatën zgjedhore po thirret në rugovizmin, por sa është i pranishëm rugovizmi në LDK, është një çështje tërësisht tjetër. Një numër shumë i madh mendojnë se partia nuk është reformuar dhe nuk është distancuar nga ata të cilët partinë e kanë larguar nga vlerat e mirëfillta, të ish presidentit Rugova.

PDK, po ashtu mundohet të përfitoi duke u thirr në vlerat e luftës dhe në liderin e kësaj partie Hashim Thaçin, por pyetja do të ishte: ku qëndron reputacioni i Thaçit sot në Kosovë, kur të analizohen planet e tij me Vuçiqin e Ramën, mbi ndarjen e Kosovës.

AAK, ka bërë koalicion parazgjedhor me shpresë që të arrij ta kaloi pragun e pesë përqindëshit, përndryshe liderët Ramush Haradinaj dhe Limaj edhe pse, edhe këta thirren në vlerat e luftës, me sjelljet e tyre, sidomos Haradinaj, kanë humbur shumë nga autoriteti i tyre.

Marr në përgjithësi 25 vite pas përfundimit të luftës, rrethanat kanë ndryshuar shumë në Kosovë. Derisa menjëherë pas çlirimit, autoriteti i ish presidentit Rugova ishte aq i fuqishëm, saqë askush nuk arrinte t´ia rrezikonte udhëheqjen shtetërore, por pas vdekjes së tij, ndodhën ndryshime të mëdha.

LDK pa liderin e saj historik erdh duke u dobësuar, kurse ish liderët (komandantët ) e dal nga lufta erdhën duke i forcuar pozicionet e tyre.

Po këta lider të cilët në luftë kishin arritur të afirmoheshin si çlirimtar, në qeverisjen e vendit u verbuan nga lakmia për pushtet dhe pasurimi, prandaj edhe populli e humbi besimin në ta, duke i dënuar me votën e tij.

Nga mos durimi për t´i kthyer pozitat dhe pushtetin, ata po bien pre e sjelljeve të tyre, siç është Ramush Haradinaj, duke u munduar që ta përlyej Albin Kurtin si bashkëpunëtor i Vuçiqit.

Si arriti Albin Kurti nga një disident majtist, ta fitoi përkrahjen e popullit?

Albin Kurti në fillimet e karrierës së tij më tepër bënte ekzibicione politike, derisa arriti të profilizohej si forcë konkurruese në skenën politike të Kosovës. Ai mësonte nga gabimet e liderëve politik të zhytur në korrupsion, të cilët një nga një i merrnin nën kontroll të gjitha institucionet shtetërore. Kurti premtonte transparencë dhe luftë kundër korrupsionit, ndoshta ky ishte edhe çelësi i fitores së tij.

Në anën tjetër, nëse Albin Kurti në katër vitet e kaluara e kishte fituar besimin e popullit, me Veriun dhe ndaj Serbisë, mund të thuhet se ai nuk e ka pasur pas vetes perëndimin, EU dhe SHBA. Veprimet e tij, të shumtën janë cilësuar të pakoordinuara me ta dhe kishte fërkime serioze. Në bazë të këtyre fërkimeve me iniciativën e Borrellit dhe Lajcakut, dy emisarëve të papërgjegjshëm të EU, u aprovuan edhe sanksione ndaj Kosovës.

Edhe mandati i ardhshëm i Kurtit, nëse i fiton zgjedhjet, nuk do të jetë aspak i lehtë për te, pasi me ardhjen e Trumpit, si president i SHBA, rrethanat do të ndryshojnë rrënjësisht. Askush dot nuk mund ta parashikoi se në ç´drejtim do zhvillohen ngjarjet, pozitiv apo negativ, megjithatë për të mirën e Kosovës, Kurti duhet t´u përshtatet rrethanave të krijuara.

 Në situatë të pa lakmueshme ndodhet edhe Ukraina, pas paralajmërimeve me ardhjen e presidentit Trump, në ndërprerjen e ndihmës amerikane, por u duhet strategji e re nëse duan të mbijetojnë.

Edhe Albin Kurti duhet të llogaris në ballafaqimin me Grenellin, i cili mundësisht Kurtin do ta linte jashtë loje, po as njëri e as tjetri nuk mund të vendosin për pozitat të cilat i posedojnë. Pra u duhet t´i afrojnë qëndrimet. Do të ishte shumë e rëndësishme që Albin Kurti në mandatin e dytë, t´i ketë pas vetes edhe SHBA edhe EU, që të mos përfundonim në lakun e Bosnjës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat