Po kalojnë më shumë se dy javë që nga fillimi i fushatës zgjedhore të partive politike në Republikën e Kosovës. Asesi nuk po e kuptojmë se Republika e Kosovës është një Republikë Parlamentare, e shpallur në mënyrën më demokratike nga sovrani (nga populli). Ka kaluar koha e kërcënimeve dhe sjelljeve diktatoriale të liderëve partiakë apo të grupeve oligarkike, duke ngritur tensione dhe pasiguri tek qytetarët. Tani koha po tregon se politika e partive është ende larg demokracisë në drejtim të shprehjes së lirë të mendimit dhe përcaktimit të votës së individit të lirë.
Kjo po shihet vazhdimisht që nga fillimi i fushatës zgjedhore, ku gjuha dhe fjalori i komunikimit politik ka mbetur i paemancipuar si pasojë e të kaluarës primitive. Sot në pushtet mund të vihet vetëm përmes votës së popullit, i cili rrallë gabon kur vendos për të ardhmen e shtetit. Shoqëria Kosovare nuk guxon t'i mbyllë sytë para antivlerave, të cilat po mundohen ta kthejnë historinë mbrapa. Askush në Republikën e Kosovës nuk ka më shumë të drejtë Kushtetuese, morale dhe njerëzore të kërkojë (bonus) apo privilegj, duke i shkelur normat dhe rregullat e demokracisë. Deklaratat e disa liderëve partiakë, të cilët ende po mendojnë si në të kaluarën se mund ta privatizojnë partinë apo pushtetin, duke dhënë deklarata bombastike: “Ne nuk do t’i lejojmë që të dëmtohet shteti apo shoqëria”, janë deklarata që pasqyrojnë mendësinë dhe botëkuptimin primitiv të një mjedisi patriarkal, që i përngjan një lagjeje të shekullit të kaluar. Kosova sot ka institucione legjitime dhe kredibile për të vendosur rend dhe ligj, të cilat institucione kanë përgjegjësi Kushtetuese për të ndërtuar një shoqëri me vlera perëndimore dhe demokratike.
Përpos kësaj, Kosova monitorohet edhe nga institucionet elitare të inteligjencës së shteteve mike perëndimore, në krye me Aleancën e NATO-s, ku përveç ruajtjes së sigurisë së kufijve të Kosovës, vazhdimisht monitorohen edhe të gjitha proceset dhe zhvillimet që ndodhin brenda 24 orëve në vendin tonë. Andaj, ka kaluar koha kur dikush “mund ta gjuaj gurin dhe ta fsheh dorën” si në të kaluarën.
Në fund, po theksojmë se deklaratat e pamatura të individëve të caktuar, që po shfaqen herë pas here përmes televizioneve private kujdestare, të cilat janë mobilizuar që të krijojnë sa më shumë përqarje dhe kaos kundër Qeverisë në pushtet, janë për çdo kritikë dhe nuk bëjnë nder askujt, përveç armiqve të Kosovës. Duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë se i gjithë populli ka dhënë kontribut për liri dhe Pavarësinë e Kosovës. Koha e bajraktarëve të fiseve apo të ashtuquajturve “shpëtimtarë” nuk i duhet më këtij vendi.