Mjaft me ngushëllimet jargavitëse!

Opinione

Mjaft me ngushëllimet jargavitëse!

Milaim Nela Nga Milaim Nela Më 26 janar 2025 Në ora: 20:34
Anastas Janullatus

Të paktën ju bashkëkombasit e Dardanisë na i kurseni ngushëllimet qurravitëse për Janullatusin!

Në Shqipërinë Londineze nuk habitem sepse politika ka marrë rrugën e qoftëlargut me kohë e as nuk e marrin mundimin të paktën të lexojnë historikun e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare që u nda nga ajo greke me kaq mund e sakrifica në kohën e Mbretërisë Shqiptare.

Sa klerikë patriotë kanë dhënë jetën e janë masakruar për Autoqefalinë e Kishës!?

Anastas Janullatus ishte uzurpues i kësaj kishe e në kundërshtim flagrant me rregullat kanonike të Kishës Shqiptare u vendos në krye të saj.

Qendra e Kishës Orthodokse në Stamboll duke caktuar Janullatusin në krye të Kishës Shqiptare në fakt e zhbëri procesin aq të mundimshëm të ndarjes së Kishës Shqiptare dhe e fshinë Autoqefaline e saj.

Ajo Kishë falë Janullatusit në të gjitha shkresat zyrtare nuk quhet më Kisha Orthodokse Autoqefale Shqiptare siç quhej para vitit 1967 por Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Një shërbëtor i Janullatusit sot në një TV shqiptar tha që Janullatus e shkëputi kishën nga etnitë. Në fakt ai genjeu hapur sepse Janullatus efektivisht e shkëputi kishën nga kombi shqiptar dhe praktiksht e bëri atë një degë të kishës orthodokse greke.

Janullatus pretendoi se ishte shërbetor i Perëndisë por ne fakt siç e tha vetë kryeministri grek Micotaqis dje, ai ishte mbrojtësi më i mirê e interesave të grekëve.

Ka dy ditë që jo vetëm politikanë por njerëz publikë të ndryshëm po na e shpifin me statuse e lutje për shërbëtorin e interesave të shovinizmit grek e helenizimit në Shqipëri!

Deklaratat e politikanëve të Shqipërisë e në veçanti ajo e presidentit kukull të Shqipërisë duke e quajtur atë "udhëheqës shpirtëror të kishës" tregojnë mbi të gjitha nivelin moçalor të institucioneve të shtetit e politikës shqiptare. Kjo dëshmon edhe batakun ku është kantandisur vetëdija jonë kombëtare e kush i mbron interesat tona.

Janullatus i ka ngulur fort piketat e territorit të pretenduar grek deri të paktën në mes të Shqipërisë.

Në mos neve, femijëve tanë e gjeneratave të ardhshme do ju duhet të merren qoftë me piketat e Janullatusit qoftë edhe me varrezat e ushtarëve pushtues grekë (shumica imagjinarë) në tokën shqiptare.

Ai nguli kisha ku nuk ka patur kurrë të tilla.

Kishat e ndërtuara janë kisha me arkitekturë e simbole helene e jo shqiptare.

Mjafton të shikoni çatinë e kishës ortodokse në qendër të Tiranës që nga sipër ka flamurin e Vorio-Epirit.

Ai jo vetëm nuk mbajti kurrë një meshë në gjuhën shqipe por kurrë nuk mbajti një meshë për viktimat shqiptare.

Ai kurrë nuk mbajti një meshë për viktimat e luftës së Kosovës!

Afërmendsh kisha nuk është më shqiptare!

Por në vazhdimësi ka qenë shumë i zëshëm në mbrojtje të çdo krimineli apo mercenari grek në tokën shqiptare si psh terroristi Kacifas!

Erdhi si eksark e pat premtuar se do ishte i përkohshëm ...vetëm sa ti vinte ca punë për vije. Ne fakt iku vetëm kur e mori Perëndia por duket se nuk do iki kurrë pasi trupin do ja sjellin e varrosin aty ku e kanë planifikuar ata që e dërguan në krye të herës e tani përveç Shën Kozmait do kemi shumë shpejt edhe Shën Anastasin!

E di së shumë do të më turren se unë si jo i besimit orthodoks nuk duhet të përzihem në punët e besimtareve orthodoksë!

E para por merrem me interesat e vendit tim edhe kur merrem me kishën ortodokse edhe kur merrem me shtetin bektashi siç jam marrë mëse një herë.

E dyta, unë besoj në Zot që besoj se eshte NJË e i vetëm për të gjitha qeniet mbi tokë e nuk e kam të nevojshme të shkoj tek Zoti përmes feve, kishave apo xhamive të cilat kush me pak e kush më shumë bëjnë politikë që jo dosmosdoshmërisht ju shërben interesave të kombit shqiptar.

Për mua KOMBI dhe ATDHEU janë mbi të gjitha!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat