Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte arritur të sigurojë tetë ulëse, me 7.12% të votave nga zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, së bashku edhe me PSD-në e Dardan Molliqaj. AAK futet në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti në koalicion me Nismën dhe Konservatorët. Synimi kryesor i tyre është kalimi i pragut në mënyrë që të futen në Kuvend, me idenë se Kurti nuk fiton 51%, pastaj eventualisht të futen në qeveri. Në mungesë të parimeve, ky koalicion njeh vetëm pazaret e pushtetit.
Por, qytetarët, a do të jenë kaq miopë sa të votojnë ata që Kosovës nuk i kanë sjellë të mira? Apo çfarë do të prodhojë rezultati i 9 shkurtit, mbetet të shihet pas dy javësh. Prandaj, Kosova ka nevojë që të rritet pragu në 10%, në mënyrë që partitë me grupe të vogla të mos mund të futen në Kuvend dhe deri në qeveri. Imagjino, me 6% kemi pasur raste kur kanë qeverisur vendin me kryeministër; e tmerrshme! Për të mos ndodhur kjo, duhet të rritet pragu. AAK s'ka çfarë të ofrojë në politikë për qytetarët e vendit. Çfarë partie është ajo, sa synim ka vetëm të kalojë pragun, ku pushtetin e sheh si mjet për të rehatuar njerëzit e saj nëpër pozita të shtetit?
Besoj se Kosova ka nevojë për parti që janë mbi kryetarin e partisë dhe të cilat janë të mëdha përmes garës së brendshme politike. AAK dhe Nisma identifikohen nga kryetari i partisë, nuk kanë bazë të madhe për të mbijetuar në politikë. Më shumë nuk mund të rriten, sepse partitë e mëdha e kanë elektoratin e vet; hisën e madhe të votave e marrin ato.
Gjithësesi, janë qytetarët ata që votojnë më 9 shkurt dhe japin përgjigjen më meritore për secilin. Andaj, mbetet të shihet se sa vota do të marrë koalicioni AAK-NISMA dhe Konservatorët.