Në Shqipëri dhe në Diasporë janë me bollëk njerëzit gjase të pavarur apo edhe gjoja "të majtë të moderuar", me mendim "ndryshe", deri në oponencë të hapur e publike...ndaj partisë, kryetarit dhe kryeministrit të saj, Edi Rama! Përgjithësisht, për t'u vetëreklamuar edhe si "trima të çartur" që nuk mendojnë si kryetari i zemrës dhe shumica e partisë, këta, me fjalë, "i pranojnë" gabimet, skandalet, faturat stratosferike të korrupsionit të ministrave nëpër burgje apo akoma në qeveri! Nuk i kundërshtojnë prerazi, duke t'u hedhur në fyt, as gjëmat e pushtetarëve dhe politikanëve të lartë e bashkiakë për partinë e tyre dhe mbarë Shqipërinë e kombin! Po me fjalë thonë se nuk mund t'i tolerojnë dhe falin masakrimet në trupa, xhepa, kuleta...; zhgënjimet e turpërimet prej Edi Ramës me shoqe e shokë...!
Gjatë mbi 11 viteve nga vetë Rama- Balluku dhe ministresha e ministra të tjerë janë dhënë e vazhdojnë të jepen fakte të shumtë e të freskët për korrupsionin e tyre të pafre e të paskrupullt! Një pjesë e bëmave të tyre, nën hundën e SPAK- Dumanit, i rizbuloi në intervistën e tij të tretë në SYRI TV, më 27 janar 2025, ish zv.kryeministri dhe ish ministri i Rama- qeverisë, Arben Ahmetaj. Me shumë gjasa këtë intervistë e kanë ndjekur edhe shumë "socialistë" dhe SOCIALISTË! Si janë ndjerë e çfarë kanë përjetuar nga ai bum faktesh që u dhuroi atyre dhe SPAK- ut "të verbër e shurdh" Arben Ahmetaj? Pa e vlerësuar edhe unë këtë ish pushtetar të lartë socialist të panjollë si ëngjëll e si foshnje e porsa lindur dhe "pa ia ia hedhur në koshin e plehrave" të gjitha faktet që dha, normalisht, mund të mendohet se nuk e kanë pasur aspak të lehtë gëlltitjen e një lëmshi dozash turpërimi, zhgënjimi, revoltimi? Apo, vazhdojnë t'u besojnë verbërisht Edi Ramës, Linda Ballukut, ("plaçkitëses më të madhe të buxhetit të shtetit dhe të pasurisë kombëtare"), Elisa Spiropalit, Taulant Ballës, Ervin Hoxhës("shkarkuar nga Edi Rama për korrupsion dhe imponuar atij nga krimi i organizuar për ta emëruar ministër të brendshëm")...e ta gjykojnë Ahmetajn me mendjet dhe gojët e tyre?
Duke njohur mirë dozën e fortë të enverizmit, edramizmit, militantizmit, fanatizmit majtist të shumicës së "socialistëve", si dhe të urrejtjes histerike ndaj PD, Berishës, opozitës, është e pritshme që kur të vijë dita dhe ora e votimit, t' ia falin të gjitha, bashkë me votën...! Justifikimi bajat dhe i pasinqertë do të jetë ai i moçmi e i pasinqerti: "ia dhamë votat, sepse nuk na hyjnë në zemra PD dhe Berisha"! Por, "harrojnë" apo nuk kanë burrërrinë të pranojnë të vërtetën se në vend të Enverit, në koka u është ulur këmbëkryq, edhe pa hequr brekushet e kepucët, Edi Rama! Për më keq, duke qenë edhe vetë të bindur e të ndërgjegjshëm se Arben Ahmetaj nuk ia futi kot, për inat e hakmarrje, kur tha në mbrëmjen e 27 janarit se kryeministri Edi Rama është "kreu i organizatës kriminale në Shqipëri"! Apo, ndryshe, koka e mafias politike dhe qeveritare, me ortakëri shumëformëshe me bosët më të fuqishëm të krimit të organizuar shqiptar e ndërkombëtar! Ndërsa ata "të majtë" që ndjehen sinqerisht të zhgënjyer e të turpëruar nga Edi Rama, edhe pa i dëgjuar faktet e reja që i la në derë SPAK- ut, Arben Ahmetajn, nuk do t'ia falin më 11 maj 2025 gjithçka ka bërë, më shumë me dashje se nga mungesa e dijes dhe përvojës, keq e në të keqe të vendit e të shumicës së shqiptarëve, janë pak e numërohen, e shumta, me gishtërinjtë e dy duarve!
Me shumë gjasa këta, pa pasur vullnetin dhe kurajon të votojnë kundra partisë së tyre, siç bënë qindra mijëra apo miliona anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokrate në SHBA, në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit 2024, që votuan për Donald Trump, mund të mos shkojnë në qendrat e votimit! Nëse "hajdutët profesionistë të votave", nuk arrijnë t'i fusin në listat e votuesve për PS- Rilindjen, bojkotimi i tyre meriton përgëzime dhe respekt! Por, "socialistët", me ose pa tesera, nëse do të ishin edhe SHQIPTARË dhe QYTETARË, do të shkonin në qendrat e votimit me bindje të plotë për të votuar kundër PS- së, me arsyen e fortë, të faktuar, bindëse se ajo i ka terroriziar, tradhtuar, zhgënjyer, turpëruar...për 80 vjet! Ndërsa me emrin e tretë, për afro 34 vjet!
Për thellim në analizë le t'i lëmë mënjanë dengjet me dosje korrupsioni deri në miliarda gjaku dhe djerse, toke e pasurishë shqiptare, shndërruar prej "organizatës kriminale" në pushtet për mbi 11 vjet në prona e miliona për Edi Ramën me shoqe e shokë dhe për ortakët e tyre oligarkë dhe bosë të krimit të organizuar shqiptar dhe ndërkombëtar, edhe atë ndraghetas dhe latino- amerikan...! Ndoshta për këto masakra financiare mbi buxhetin e shtetit ndër më të varfrit në botë, ka "socialistë" që kanë thënë e thonë me krenari e çmendurisht:"U lumtë! Janë më të zgjuar nga gjithë të tjerët! Dinë të vjedhin e t'ua hedhin prokurorëve dhe gjyqtarëve ...artistikisht e mjeshtrisht, duke fshehur gjurmë e prova...!"??? Po për bizneset e pista dhe gjëmasjellëse me copa Shqipërie dhe me interesat kombëtare të pushtetarëve të tyre të zemrës, teserës, votës, mitingjeve, 21 janarëve, Gërdecëve..., a ndjejnë ndonjë pikë shqetësimi këta gjase socialistë dhe gjase shqiptarë??? Edhe pas gjithë këtyre skandaleve korruptivë, turpeve, bëmave dhe gjëmave edhe mbi xhepat, kuletat, shëndetin, jetën e tyre..., do të shkojnë më 11 maj 2025 për t'i rivotuar? Domethënë, fare SHQIP: që Edi Rama me "çeta e banda", që ndoshta mund t'i kishte zili dhe Ali Baba me 40 hajdutët e tij, të vazhdojnë edhe 4 vjet të tjerë të vjedhin miliarda; t'i mashtrojnë, tallin, nëpërkëmbin; t'i shikojnë e trajtojnë si skllevër e si tufa bagëtishë me trupa njerëzorë; t'i zhgënjejnë dhe turpërojnë...??? Një "kujtesë": Nëse i doni, mbështesni, votoni edhe më 11 maj 2025, bëheni jo pa dashje, por me vetëdije të plotë bashkëpunëtorë të tyre në të gjitha veprimet korruptive, kriminale, çnjerëzore, antikombëtare...dhe për suksesin e plotë të skenarit sorosian për mbetjen e Shqipërisë "një përrallë nga e kaluara"!? Nëse ndodh kjo, shumica e shqiptarëve dhe e miqve ndërkombëtarë, kanë të drejtë të plotë t'ju pyesin: a jeni vërtetë SHQIPTARË...???