Fushata zgjedhore në skenën politike të Kosovës

Opinione

Fushata zgjedhore në skenën politike të Kosovës

Nga: Hamza Halabaku Më: 28 janar 2025 Në ora: 11:28
Autori Hamza Halabaku

Fushata zgjedhore në skenën politike të Kosovës shpërfaq gjithnjë e më shumë rënie të integritetit moral të politikanit, i cili angazhohet pa zgjedhur mjete për marrjen e pushtetit dhe më e keqja është se shoqëria jonë dalëngadalë po i adaptohet luftës dhe sjelljes së tillë politike, duke e konsideruar një gjë të tillë si krejtësisht normale. Prandaj në fushatë zgjedhore po dominon gjuha fyese dhe denigruese e përcjellë me grindje të politikanëve, me intriga, dredhi e përbaltje të kundërshtarëve politik, ndërsa po mbeten nën hije analizat serioze politike e strategjike zhvillimore të vendit. Është kjo një gjuhë inatçore dhe tejet e vrazhdë. Në këso rrethanash është thuaja e pamundshme të flitet për ruajtjen e integritetit moral të politikanit të sotshëm kosovar. Në këtë nivel shumë të ulët të kulturës politike, duke përdorur fjalor rrugaçërie jo vetëm nga militantët partiak, por edhe nga ata që janë politikan e funksionar partiak, ish-qeveritarë, diplomatë e ish-diplomatë, njerëz që i thonë vetit intelektualë.

Opinioni publik në Kosovë aktualisht është i bombarduar me premtime pa mbulesë dhe me vetëlavdërime të pushtetarëve aktual e të atyre të opozitës, që ishin në pushtet në legjislaturat e shkuara. Këto premtime shkojnë aq larg sa figurativisht mund të shprehemi se “edhe hënën do ta zbresin në Majën e Goleshit” dhe “plazhet e Durrësit do t’i sjellin diku në periferi të Ferizajt apo ku të dëshirojnë zgjedhësit e tyre”. Është e ditur se të gjithë garuesit kanë ambicie fitoren, por dihet se të gjithë nuk ia arrijnë. Këtë fakt thuaja nuk e mendojnë asnjëra nga partitë garuese dhe thuaja asnjë fjalë nuk e kanë se si do të veprojnë e çka do të kontribuojnë edhe si parti jo fituese.

Ambiciet për pushtet me çdo kusht humbin arsyen dhe logjikën

Ambiciet për pushtet me çdo kusht duket që e kanë humbur arsyen dhe logjikën te pjesa dërmuese e politikanëve tanë, të cilët këtë fushatë zgjedhore, bazuar në gjuhën e tyre degraduese e denigruese, me sulmet më të ulëta, e filluan mjaft egër dhe me inate të skajshme.

Çështja që më së shumti mua më bën përshtypje është ajo se disa nga liderët tanë politik me aq bindje të thellë konstatojnë se do t’i fitojnë zgjedhjet, madje edhe përmendin numra se sa vende do t’i kenë partitë e tyre në Parlament në legjislaturën e ardhshme. Edhe pse nuk dua të dyshoj në rregullsinë e zgjedhjeve, konstatimet e këtilla më bëjnë të dyshoj se mund të ketë manipulime, vjedhje të votës, blerja dhe kushtëzim të votës.

Fakti se premtimet e shumta pa mbulesë jepen nga ata që e sollën Kosovën buzë greminës, të cilët me plot gojën shprehin sigurinë se do t’i fitojnë serish zgjedhjet, bën që te qytetarët e Kosovës gjithnjë e më shumë të zbehet bindja se zgjedhjet në demokracinë tonë kosovare janë të shenjta dhe se qytetarët me të drejtë vote duhet të gëzohen se po u jepet shansi, që përmes votës së lirë, të vendosin për fatin e shtetit të tyre. Pra gjithnjë e më shumë te qytetarët po ngulitet bindja se vullneti i zgjedhësve mund të manipulohet me vjedhje të votës dhe kryesisht me blerje apo kushtëzim të votës në radhët e armatës së militantëve të punësuar me mëritë a pa mëritë në organet e në institucionet buxhetore, por edhe në kompanitë e pakta publike me të cilat udhëheq garnitura e pushtetmbajtësve të tanishëm dhe të pushteteve të kaluara të Kosovës.

Baba im, ndjesë pastë, më thoshte se asnjëherë nuk kishte dëgjuar se dikujt i thonë “hajdut aga”!

Unë mendoj se në këtë fazë vetëm komuniteti serb mund të flasë për numra të këtillë, sepse i ka vendet e rezervuara në Parlamentin e Kosovës, të caktuara me planin e Martti Ahtisaarit. Serbët në Kosovë ishin dhe mbetën të përkëdhelurit e Evropës, me shumë privilegje, favore e të drejta të veçanta, por deri më tash u dëshmua se një përkëdhelje të këtillë e patën edhe nga ata që me çdo kusht synuan të marrin pushtetin në Kosovë.

Por, të kthehem aty për çka edhe fillova këtë shkrim. Duke i shikuar emisionet e drejtpërdrejta televizive, në cilindo televizion qoftë, vëren njerëz që flasin e nuk dinë çka flasin dhe lëre me që ne shikuesit nuk i marrim vesh, por jam i bindur se as moderatorët e emisionit nuk i kuptojnë fare përgjigjet e tyre, por kalojnë heshturazi mbi to. Ajo që qartë kuptohet janë grindjet me njëri-tjetrin, shpesh me sharje e ofendime. Nuk lodhën fare se me këtë mënyrë debati përçajnë qytetarët e ngratë.

Drenica nuk e meriton njollën e keqe që ia vunë militantët e shfrenuar

E paralajmëruar si fushatë zgjedhore mjaft e egër, bazuar në gjuhën e disa liderëve partiakë, gjuhë kjo që jo rrallëherë kalon në degradim dhe në sulmet më të ulëta, domosdo se militantët partiak i cyt për veprime jodemokratike, por edhe të rrezikshme për mbrojtjen e personalitetit të njeriut. Rasti më eklatantë deri më tash i fushatës zgjedhore është ai në Skenderaj ku me mjete të ndryshme piroteknike u sulmua lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Nuk kam qëllim e as prirje që këtë incident ta lidhi, siç po ka tendenca, me primitivizmin, por nuk mund të mos them se incidentet e këtilla janë produkt i gjuhës fyese, denigruese dhe tejet armiqësore që po përdorët nga disa liderë partiakë të nivelit qendror dhe atij lokal. Uroj që njolla e Drenicës në Skenderaj të mbetet një rast i izoluar. Sepse, Drenica e njohur për trimëri e qëndresë, për burrëri dhe mikpritje nuk e meritoi atë njollë të keqe që ia vunë militantët e shfrenuar.

Rasti në Skenderaj dhe njolla e Drenicës në këtë fushatë zgjedhore nuk ka se si të mos kujtoj kohën e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, mbi të cilin u ushtrua një presion jo vetëm medial se përse ai nuk po e viziton Drenicën dhe Prekazin legjendar. Mirëpo, Rugova kishte vizion dhe e merrte me mend se po i përgatitej diçka që më së paku, sipas kreatorëve, do ta turpëronte Rugovën. Presidenti Rugova nuk e kishte hallin te vetvetja, po i dhimbsej turpi që do t’i mbetej Drenicës. Rugova pranoi që atë “turp” të parapërgatitur ta mbajë për vete, por jo t’ia lë Drenicës trime.

Uroj që zgjedhjet e nëntë shkurtit të këtij viti t’i fitojnë ata që më shumë e duan Kosovën se hajninë e korrupsionin, ata që më shumë e duan Kosovën se nepotizmin e interesat e ngushta grupore e partiake, uroj që zgjedhjet t’i fitojnë ata që janë të gatshëm ta luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar, dukuri këto që e kanë ngufatur Kosovën dhe qytetarët e saj.

Nuremberg, 27 janar 2025

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat