Vuçiq për ta shpëtuar veten, po e spastron skenën politike serbe

Opinione

Vuçiq për ta shpëtuar veten, po e spastron skenën politike serbe

Nga: Sherif Ramabaja Më: 28 janar 2025 Në ora: 18:22
Sherif Ramabaja

Protestat dhe protestuesit deri më tash i kishte injoruar, i kishte fyer, i kishte përulur, i kishte sharë, i kishte quajtur mercenarë. Kishte organizuar banda mafioze që t´i sulmonin, i shtypnin me makina, i kërcënonin, i poshtëronin, i burgosnin dhe i frikësonin.

Një tentativë të hapur e kishte që, protestuesit t´i dirigjonte dhe t´i nxiste kundër shqiptarëve dhe Kosovës. E përdorte nacionalizmin, duke shpresuar që protestave do t´ua ndryshonte rrjedhën në favor të tij.

 Në fund u përpoq të organizonte kundër protesta, që t´i ngulfat ato që orientoheshin kundër tij. Ishte i gatshëm të ndizte edhe luftë qytetare, vetëm ta shpëtonte postin e tij.

 Në Kosovë Kurti ia kishte shuar institucionet paralele. E kishte vështirë pa institucione t´i ngriti serbët, në mënyrë që ti paraqiste si viktima. Mungesa e Listës Serbe e ka tronditur politikisht.

Me një fjalë, i ishin shterur të gjitha mundësitë që fitilin e konfliktit ta ndizte diku tjetër.

Vuçiq duke e parë se laku në fyt po i shtrëngohej dita - ditës, e aktivizoi potezin politik që ta shpëtoi veten.

 I urdhëroi bashkëpunëtorët qeveritar që të dorë hiqeshin. Edhe ashtu postet i kishin dhuratë prej tij, prandaj edhe mund t´ua shuante në çdo kohë. Kjo ishte e kuptueshme dhe ai moment si duket erdhi. Ose të shkonte shefi vetë, ose të shkonte cjapi te kasapi .

Spastrimin e eliminimit politik e filloi nga radhët e oborrit qeveritar. Si do t´i zhvillohen ngjarjet është vështirë të parashikohet, por kjo si duket ishte një përpjekje.

Pakënaqësia është rritur tej mase. Ky reagim i tij mund të vlerësohet nga protestuesit si i vonuar. Me siguri do verifikohen se a janë të mjaftueshme dhe bindëse dorëheqjet e tilla, ose mund të kërkohet që mbreti të bie nga froni. Kjo do të ishte një kërkesë maksimale dhe do t´i bllokonte të gjitha tentativat për zgjidhje paqësore.

Kur është në pyetje që të rrokulliset koka mbretërore, do të ishte një kërkesë që mund të sjell tronditje politike. Por pa kokën e mbretit, zgjidhja do të ishte gjysmake.

Serbisë i duhet një çlirim nga vetvetja. I duhet një kthesë për t´u ndarë nga e kaluara fashiste. Kush mund t´i udhëheq këto procese, vështirë mund të thuhet. Skepticizmi është i madh.

 Bota nuk është “Tronditur” asnjëherë në historinë e saj, nga proceset demokratike të Serbisë. A mund të ndodh kjo, është vështirë të thuhet.

Popujt fqinjë do ta përshëndesnin një rrugë të tillë të saj, po edhe te ta më tepër mbretëron skepticizmi, sesa optimizmi.

 Për fat të keq, ndër shekuj nuk kanë përjetuar diçka optimiste nga fqinji i tyre.  Të besojnë tash në një mrekulli, është paksa e vështirë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat