Në RMV më shumë hapsirë dhe rëndësi ti jepet Aspirin politikës së re shqiptare sesa Diazepam politikës së vjetër

Opinione

Në RMV më shumë hapsirë dhe rëndësi ti jepet Aspirin politikës së re shqiptare sesa Diazepam politikës së vjetër

Nga: Ejup Berisha Më: 29 janar 2025 Në ora: 14:13
Autori Ejup Berisha

Shqiptarët e RMV-së tani, krahas Diazepam-politikës, kanë një politikë tjetër të instaluar dhe të zbatuar, të cilën unë e kam emëruar si "Aspirin politikë". Kjo e fundit është e Koalicionit qeveritar VLEN, ndërsa e para është e BDI-së. Ky subjekt politik e ka zbatuar politikën e tij për më shumë se 22 vjet në skenën politike vendore, dhe, pavarësisht rekomandimeve të shpeshta nga përfaqësues të faktorit ndërkombëtar për ta ndryshuar, BDI ka vendosur të mos bëjë asnjë ndryshim dhe të vazhdojë me "Diazepam politikën" e saj të njëjtë, pa ndryshuar asnjë pikë, as presje.

Nga ana tjetër, "Aspirin politika" është më e re dhe po zbatohet prej më shumë se gjashtë muajsh. Për "Diazepam politikën", kam shkruar më herët në media, si Bota sot, Tetova sot dhe Lideri.mk, ndërsa për "Aspirin politikën", po shkruaj për herë të parë. Dua të theksoj se emërtimet që kam përdorur për të identifikuar dy politikat e subjekteve politike shqiptare që veprojnë në mesin e shqiptarëve të RMV-së janë figurative dhe siç dihet, ato janë emra të barnave të njohura farmaceutike. Edhe efektet nga zbatimi i politikave me këto emra kanë ngjashmëri me efektet e Aspirinës dhe Diazepamit.

Në krahasim me "Diazepam politikën" e BDI-së, e cila i destabilizoi, i çrregulloi dhe i dëmtoi shumë shqiptarët, "Aspirin politika" e Koalicionit VLEN po tenton të veprojë pozitivisht dhe të sanojë dëmet dhe efektet negative të shkaktuara nga "Diazepam politika" te shqiptarët, dhe këtë jo vetëm në politikë, por edhe në të gjitha sferat e tjera të jetës shoqërore. Ky koalicion po tenton t’i stabilizojë, t’i rehabilitojë dhe t’i shërojë qytetarët shqiptarë nga efektet negative të politikës kundërshtare.

"Diazepam politika" e BDI-së jo vetëm që i vuri në gjumë të dhunshëm shqiptarët, por shkoi edhe më larg, duke i hutuar, i paralizuar dhe çrregulluar jetët e tyre. Ekspertët e farmacisë thonë se përdorimi i shpeshtë i diazepamit ka efekte negative te përdoruesit, si:

Përgjumja

Lodhja

Plogështia

Ankthi dhe shqetësimi, si dhe

Çrregullime të tjera për konsumuesit.

Pra, sa i përket efektit të parë negativ nga zbatimi afatgjatë i "Diazepam politikës" së BDI-së, ajo një kohë të gjatë i vuri dhe i mbajti në gjumë të thellë me ëndërra të kota shqiptarët. Politika e fundme dhe kundër interesave të tyre i ka lodhur dhe i ka rraskapitur ata. Më tej, lodhja e gjatë njerëzit i bën të plogësht, thonë ekspertët e mjekësisë. Ndërsa ata pak shqiptarë që nuk janë mundur t’i fusë në gjumë BDI me "Diazepam politikën" e saj, kjo ka ndodhur sepse këta kanë qenë më të vetëdijshëm për situatën e pavolitshme politike në të cilën ndodhen. Ata kanë qenë të shqetësuar, por fatkeqësisht nuk kanë mundur të bëjnë asgjë më mirë dhe më ndryshe, sepse kanë qenë pakicë. BDI, pra, me shumë sukses dhe efikasitet përmes "Diazepam politikës" ka arritur t’i mbajë shqiptarët në gjumë të gjatë, dhe shumica e tyre janë zgjuar vetëm tre muaj pas kalimit të kësaj partie në opozitë. Fatkeqësisht, ky zgjim ka ardhur shumë vonë, ndërsa të këqijat dhe dëmet janë ende të freskëta.

Kështu, kjo situatë e vështirëson përpjekjet dhe tentimet e Koalicionit qeveritar VLEN, që përmes "Aspirin politikës" të rregullojë dhe të sanojë gjendjen e rëndë të qytetarëve shqiptarë këtu në RMV. Po, VLEN do të mund ta shërojë, ta stabilizojë dhe rehabilitojë të gjithë shqiptarët këtu? Thuhet se politika me një veprim të vetëm mund të shkaktojë pasoja të rënda, të rrezikshme dhe të pariparueshme për individët në shtet dhe në shoqëri. Dhe mund të paramendohet se sa pasoja të tilla kanë shkaktuar ata të "Diazepam politikës" te qytetarët shqiptarë, si dhe sa e rëndë dhe e ndjerë është gjendja te ata pas shumë vendimeve dhe veprimeve të gabueshme, të dëmshme dhe tendencioze të BDI-së në skenën politike.

Sipas ekspertëve të farmacisë, sa i përket përdorimit të shpeshtë të Aspirinit, ky ilaç, nëse përdoret shpesh, mund të ketë efekte pozitive, për dallim nga efektet negative që shkakton Diazepami nga përdorimi i shpeshtë i tij. Prandaj, shqiptarët e RMV-së duhet t’i japin më shumë mundësi, rëndësi dhe hapësirë zbatimit të "Aspirin politikës" të Koalicionit VLEN dhe jo "Diazepam politikës" së BDI-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat