Vajtim i politikanëve për kreun grek të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

Opinione

Vajtim i politikanëve për kreun grek të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

Nga: Delvina KËRLUKU Më: 30 janar 2025 Në ora: 10:17
Autorja Delvina KËRLUKU

Gjuha shqipe, megjithëse ishte e pranishme në jetën e përditshme dhe në shumë aspekte të kulturës, nuk ka qenë gjithmonë gjuha e përdorur në liturgjitë fetare të shqiptarëve ortodoksë, sidomos në Maqedoni dhe Shqipëri

Shqiptarët ortodoksë pa meshë në gjuhën shqipe në Maqedoni, por edhe në kishat e Shqipërisë, se në krye të Sinodit qe përfaqësuesi i një kishe të huaj, e cila ka bërë çmos për mosekzistimin e saj. Këtë frazë e kam potencuar në dekorimin e patriotëve dibranë me titullin “Kalorës i urdhrit të Flamurit” nga Presidenca e Shqipërisë. Ndonëse kam kaluar një dekadë nga misioni për zbardhjen e identifikimit të shqiptarëve ortodoks në anët tona, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, akoma mbetet një temë e rëndësishme dhe e ndërlikuar që lidhet me historinë, kulturën, identitetin kombëtar dhe ndërlidhjet mes fesë dhe gjuhës.

Historikisht, shqiptarët ortodoksë janë pjesë e një popullsie që, për një periudhë të gjatë kohore, kanë pasur lidhje të ngushta me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe me Kishën Ortodokse Serbe, sidomos gjatë periudhave të ndryshme të pushtimeve dhe ndikimeve të huaja. Gjuha shqipe, megjithëse ishte e pranishme në jetën e përditshme dhe në shumë aspekte të kulturës, nuk ka qenë gjithmonë gjuha e përdorur në liturgjitë fetare të shqiptarëve ortodoksë, sidomos në Maqedoni dhe Shqipëri.

Në Maqedoni, shqiptarët ortodoksë shpesh kanë ndjekur liturgjitë dhe meshat në gjuhën sllave, pasi kjo ka qenë gjuha e Kishës Ortodokse Greke që ka pasur ndikim të madh në rajon. Kjo ka shkaktuar një hendek mes gjuhës së lutjeve dhe gjuhës amtare të shqiptarëve ortodoksë, duke çuar në një humbje të ndjeshme të identitetit kulturor dhe fetar të komunitetit shqiptar ortodoks.

PËRPJEKJET DHE REZISTENCA

Një situatë e ngjashme është vërejtur dhe në Shqipëri, ku, ndonëse shqiptarët ortodoksë janë shumicë në disa rajone, shumë nga ta janë detyruar të ndjekin meshën dhe ceremonitë fetare në gjuhën greke, veçanërisht pas periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe nën ndikimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë. Ky fenomen ka vazhduar për disa dekada dhe ka shkaktuar një shkëputje të shqipes nga funksionet e saj fetare dhe kulturore. Në vitet e fundit, ka pasur përpjekje të shumta për të rivendosur përdorimin e gjuhës shqipe në meshë dhe në liturgji, duke filluar me nismat për përkthimin e teksteve fetare në shqip dhe organizimin e meshave të drejtuara në gjuhën amtare. Ky proces ka hasur në rezistencë nga disa pjesë të kishës tradicionale, të cilat e shohin përdorimin e shqipes në liturgji si një rrezik për ndikimin e Kishës Ortodokse Greke dhe identitetin fetar të shqiptarëve ortodoksë.

Rivendosja e përdorimit të shqipes në kishat e shqiptarëve ortodoksë është një hap i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kulturor dhe për forcimin e lidhjeve të besimtarëve me gjuhën dhe kulturën e tyre. Në këtë mënyrë, ndihmohet që shqiptaret ortodoksë të ndihen më afër njëri-tjetrit dhe të krijojnë një bashkësi më të fortë dhe të vetëdijshme për trashëgiminë e tyre.

Përdorimi i shqipes në liturgjitë ortodokse nuk është vetëm një çështje fetare, por edhe një çështje kombëtare dhe kulturore, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e identitetit shqiptar në rajon dhe në botë.

Megjithëse, ky problem nuk është vetëm një çështje teologjike, por një çështje e rëndësishme kulturore dhe identitare, e cila ka ndikim të madh në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe forcimin e unitetit kombëtar, sidomos për shqiptarët ortodoksë që jetojnë në Maqedoni.

SHQIPTARËT ORTODOKS TË SHQUAR

Në lidhje me figurat e shquara si Teodor Dibrani dhe Josif Bageri, një realitet i hidhur është se, përkundër vlerës dhe rëndësisë së tyre të jashtëzakonshme për besimtarët ortodoksë shqiptarë, (potencova në Presidencën e Shqipërisë) nuk ka ndodhur dhe nuk pritet që të ketë meshë të përshpirtshme në kishat e Shqipërisë për nder të këtyre personaliteteve. Ky fakt është i lidhur ngushtë me ndikimin e një kishe të huaj, e cila, përmes përfaqësuesve të saj, ka pasur ndikim të madh në strukturat e Kishës Ortodokse Shqiptare, përfshirë Sinodin e Shenjtë, si organi udhëheqës i kishës. Teodor Dibrani dhe Josif Bageri janë figura të rëndësishme në historinë e besimit ortodoks shqiptar, veçanërisht për kontributet e tyre në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe fetar të shqiptarëve, përfshirë luftën e tyre për ruajtjen e kishës autoqefale shqiptare dhe për përpjekjet për të afruar shqiptarët më shumë me besimin e tyre dhe me gjuhën shqipe.

Përkundër këtij kontributi të vyer, pengesat që lidhen me ndikimet e jashtme dhe me strukturat e drejtuara nga kisha e huaj kanë bërë që figura të tilla të mbeten të margjinalizuara në përkujdesin fetar.

Në krye të Sinodit të Kishës Ortodokse Shqiptare ka qenë Anastas Janullatos dhe mbase do ta trashëgojë një i njëjtë, pra përfaqësues i Kishës Ortodokse Greke, i cili është një ndër faktorët kryesorë që ka penguar njohjen dhe nderimin e këtyre figurave të shquar në kishat shqiptare. Kisha Greke, me ndikimin e saj historik dhe administrativ, ka bërë çmos për të ruajtur një kontroll të fortë mbi kishat ortodokse shqiptare, duke injoruar shpeshherë trashëgiminë kulturore dhe fetare të shqiptarëve dhe duke e detyruar atë të mbetet në një gjendje të nënshtruar ndaj ndikimeve të jashtme. Ky kontroll i huaj ka çuar në një shkëputje të thellë nga traditat dhe dëshirat e besimtarëve shqiptarë për një kishë të pavarur dhe të vetëdijshme për identitetin e vet.

Ndërkohë që shqiptarët ortodoksë kanë nevojë për një kishë që reflekton plotësisht traditat dhe kulturën e tyre, mbetet ende e qartë se kishat shqiptare, nën ndikimin e Kishës Ortodokse Greke, nuk janë të gatshme të ofrojnë një nderim të merituar, sidomos për shenjtorët shqiptarë. Kjo është një humbje jo vetëm për kishën, por edhe për komunitetin ortodoks shqiptar, që meriton të nderohet dhe të kujtohet si duhet.

Sot, ajo që na vret ne shqiptarëve të çështjes kombëtare është se si e vajtojnë politikanët tanë kreun grek të Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili ndërroi jetë këto ditë, kur ende nuk ka ndodhur një çlirimi i plotë i kishës nga ndikimi i Kishës Ortodokse Greke, dhe se procesi i njohjes dhe afirmimit të personaliteteve të rëndësishme fetare kombëtare mbetet ende një sfidë!

(Autorja ka qenë kryetarja e parë e shoqatës “Josif Bageri”)

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat