Opinioni në Kosovë është tejet i shqetësuar me lajmet që po plasohen përmes mediumeve, përkatësisht përmes ekraneve televizive në këto ditë të fushatës zgjedhore. E dëgjova dhe e shikova mbrëmë ditarin e lajmeve që emitohet në ora 20:00 në Klan Kosova, i cili që nga fillimi e deri në fund ishte përplot lajme bombastike, shpifje të pa vërteta kundër Qeverisë në pushtet dhe Kryeministrit të saj. Nuk ka dyshim se politika redaktuese në disa mediume nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën, etikën, dhe profesionalizmin në mjetet tona të informimit. Kështu, televizioni Klan Kosova është shndërruar në medium tendencioz me akuza hakmarrëse ndaj Kryeministrit të Kosovës. Nuk kam asnjë interes nga Lëvizja Vetëvendosje apo nga Qeveria Kurti, as nuk jam anëtar i asnjë partie politike, por ajo që po ndodh kohëve të fundit me kulturën e komunikimit të njerëzve që punojnë në mediumet e ndryshme është për çdo kritikë dhe e pajustifikueshme.
E kuptoj motivin dhe qëllimin e themelimit të disa mediumeve private, përkatësisht disa televizioneve, të cilat u themeluan nga biznesmenë të dyshimtë, të cilët punuan dhe u pasuruan në të dy sistemet që funksiononin në Kosovë, me atë paralufte dhe tani në Kosovën e pavarur dhe demokratike. Këto mediume u formuan jo për ta informuar, edukuar dhe emancipuar opinionin, por u formuan nga biznesmenët privatë që përmes synimit kanë ta mbrojnë kapitalin e biznesit që e kanë arritur përmes formave shumë të dyshimta.
Në këto mediume janë instaluar ish-gazetarët, tani më të njohur kalkulantë, të cilët karrierën e filluan dhe e zhvilluan si asistent informativ të pronarëve të biznesit gazetaresk e më vonë të televizionit. Këta moderatorë të ashtuquajtur (drejtorë) dhe të korruptuar padyshim, jo që po ndërtojnë ndonjë klimë bashkëkohore në ndërtimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe demokratike, por të njëjtit kanë dizajnuar emisione informative (debate politike), përmes të cilëve, me muaj dhe me vite, po e helmojnë opinionin e gjerë.
Lista e opinionistëve të ashtuquajtur “analistë” janë të njëjtat figura që nuk kanë kurrfarë CV-je profesionale apo që kanë ndonjë imazh politik apo shoqëror në Kosovë. Këto emisione debate pa vlerë, me plot shpifje dhe urrejtje ndaj rivalëve partiakë, mjerisht pa dashje, po i shikojnë edhe gjeneratat e reja: nxënës, studentë, adoleshentë. Kjo gjeneratë ka nevojë për tema dhe emisione edukative që kanë vlerë kulturore dhe emancipuese në ndërtimin e personalitetit të njeriut që nesër i duhet Kosovës.
Mjerisht, kjo nuk po ndodh; po ndodh e kundërta, ku opinionistët e rekrutuar në këto televizione, bashkë me moderatorët, po i sjellin opinionit tragjikomedi duke u përlarë në studio, duke ngritur zëra trishtues që nuk dëshiron askush t’i dëgjojë. Këto sjellje me përmasa patologjike të xhelozisë së smurë, me plot ngarkesa dhe urrejtje ndaj proceseve që po zhvillohen në Kosovë, janë duke e shkatërruar shoqërinë tonë.