Kujtesa e “ikur” e Ahmetajt, projeksioni i 8 shkurtit dhe kujtesa “e vrarȅ” e 21 janarit

Opinione

Kujtesa e “ikur” e Ahmetajt, projeksioni i 8 shkurtit dhe kujtesa “e vrarȅ” e 21 janarit

Nga: Llesh Ndoj Më: 31 janar 2025 Në ora: 13:06
Autori Llesh Ndoj

Për herë të parë, absolutisht për herë të parë, ndoqa me njëfar interesi intervistën e zhvilluar nga gazetari Çim Peka me “të arratisurin nga kujtesa”, ish - ministër fuqiplotë i qeverisë dhe ish - zëvendëskryeministër i Ramës, tashmë në kërkim, tigrin prej letre, Arben Ahmetaj. Pavarësisht simpative apo antipative personale ndaj tij, apo ndaj intervistuesit dhe medias të cilën përfaqëson që është kthyer në aleate e çdo llumi që flet kundër Ramës dhe Qeverisë, me apo të drejtë, me fakte reale apo me “fake news”, prisja që ky njeri të thoshtë diçka serioze, pse jo, diçka që edhe mund t’i ndryshonte balancat politike, duke deklaruar edhe ndonjë fakt të ri korruptiv nga qeverisja. E kisha këtë pritshmëri jo thjesht nga reklama allaSyri: ”…prisni edhe pak, se ose Rama, ose SPAK - u do të marrin valixhet”, por nisur kryesisht nga fakti se personazhi që intervistohej nuk ishte një njeri dosido, sepse kishte qenë figurë e rëndësishme qeverisëse në vend për një kohë të gjatë, i veshur me mister, sidomos për socialistët, që kurrë nuk e kuptuan katapultimin e tij. U tha se ishte më i zgjuari, më i afti, e bënë tigër, luan, e më vonë mace, lepur, e çfarë nuk thanë për të, por që në sytë e shumë socialistëve (jo rilindasve!) mbeti një “zog i trembur” nga hija e vet, që fluturoi pa gjemb në krahë, me ndihmën e shoqërisë mafioze që e ngriti dhe e ushqeu atë, drejt vendeve ku i kishte fshehur paratë e vjedhura të shqiptarëve të varfër, për t’i shijuar ditët “në arrati”, alla zogolliançe.

U zhgënjeva totalisht! Tigri nuk u shfaq as sa një mace, të paktën të gërvishte sadopak mbulesën e frikshme të “unitetit socialist” që nuk po e trondit asnjë “tërmet” gjithë këto vite, pavarësisht skandaleve reale (veç atyre të stisura), që e kanë shoqëruar udhëtimin e tyre të gjatë në pushtet. Por në artikulimet e tij nuk pati asgjë veç mllefit të shfrenuar ndaj qeverisë dhe ndaj Ramës, dhe gjasmë përkujdesjes që të ndriçonte mendjet e socialistëve për të shpëtuar prej tij, mllefit ndaj SPAK – ut, e rikthimit aty ku kishte qenë, mbështetës i çdo të keqeje për interesa meskine e thjesht personale. E tregonte këtë me fjalë e gjeste, me ca letra bakalli që mbante në duar, me gjithë qënien e tij që rrezatonte ankth dhe frikë nga e vërteta. Herë pas here, i intervistuari thoshte se akoma duhej të prisnim, sepse do të kishte “bomba” të tjera për të hedhur, ndërkohë që ai ishte në pritje të “rikthimit të kujtesës”. Thonë, dhe kjo është shkencërisht e vërtetuar, se në rastet e traumave të mëdha, sidomos atyre në kokë, në vartësi të thellësisë së tronditjes prej tyre, kujtesa që dëmtohet më së shumti është ajo e kohëve më të afërta me traumën që pëson, ndërsa “filet” e vjetra të saj, të “çliruara” nga kujtesa e kohëve të reja, dalin më në sipërfaqe e vijnë si të freskëta në kujtesë. Ahmetaj në gjithë rrëfimin e tij më ngjau me një pacient që ia fshihte “me dashje” anamnezën doktorit, i cili kishte marrë përsipër t’i gjente ilaçin e shpëtimit.

I gjithë “facies - i” i “pacientit” Ahmetaj, që kishte zgjedhur Pekën si mjetin e diagnostikimit, në distancë nga dr. Berisha, me shpresë për mjekimin e sëmundjes kanceroze që e gërryen atje larg në luksin e arratisë ku gjendet, dëshmonte qartë për një traumë të tij, një komocion që ndihej në gjithë qënien. Natyrisht që “rënia nga lartësitë” ku e kishin katapultuar, nuk mund të ishte e lehtë asesi, por rruga e zgjedhur prej tij, duke ikur nga vendi e duke iu shmangur drejtësisë, ia ka rënduar akoma më shumë gjendjen. Ai, në vend të përballjes me të keqen që i kishte trokitur në derë, apo e kishte gatuar me duart e veta, për të pastruar veten e të tjerët dhe duke i bërë shërbim të çmuar drejtësisë e gjithë jetës së vendit, vazhdoi në qëllimin e tij të bërë një me të, ndjekjen e parasë. Kështu, ai mori arratinë drejt vendeve ku kishte dërguar më herët “pajën”, apo paratë. Tashmë “kujtesa” e tij e tronditur e ka kthyer drejt shtresëzimeve të hershme të saj, tek gjuha angleze për të cilën thuhet se e zotëron dhe pas çdo përralle që artikulonte, i mbiu në gojë shprehja: “…follow the money!”.

Ndiq paranë, pra! Vetëm kjo i kishte mbetur në kujtesë Ahmetajt, si reminishencë e zanatit të vjetër (gjuhës angleze) dhe asaj që ai kishte bërë në qeverisje e në “arratisje”. E vë në thonjëza fjalën arratisje se dyshoj seriozisht të ketë qenë e tillë. Jo vetëm këto dy shenja qojnë drejt “diagnostikimit” me komocion cerebral, por edhe fakti se ka zgjedhur për “t’u shëruar” nga doktor Berisha, dashuria e tij e kahershme, e mbështet këtë “diagnozë”. Ahmetaj nuk është njohur si socialist, për më shumë si elitë socialiste, për të merituar “frone” aq të larta. Ai u katapultua aty nga Rama, pa asnjë dyshim si më nuhatësi për “follow the money” dhe socialistët nuk ndjejnë asnjë keqardhje për të, as nuk kanë nevojë për këshillat e tij që të shpëtojnë nga Rama, siç u përpoq të përsëriste disa herë ai. Sherbimi i vetëm që duhet t’i bëjë vendit, socialistëve e demokratëve, është që ai të bëhet burrë (tigër as që bëhet fjalë, por të paktën mace!), të kthehet në Shqipëri, të nënshkruaj marrëveshjen e ashkëpunëtorit të drejtësisë dhe të “zgjojë” nga gjumi të gjithë “folderat” e kujtesës “follow the money”. Ky është shërbimi i vetëm dhe më i madhi që mund t’i bëjë kombit dhe vetes. Intervistat me çimka e pa çimka, fjalët me çimçakizë në gojë, janë të pavlera, po aq sa të pavlera janë edhe ngazëllimet e Çimit dhe Berishës, se mund të rrëzoje Ramën me kësi monstrash, që s’kanë merituar as nuk meritojnë vëmendje.

Boja i doli shumë shpejt edhe bashkëpunimit me mediator Çimin, midis Ahmetajt dhe Berishës. Ky i fundit nuk vonoi, duke shpallur pa kaluar as 24 orë, zbritjen e opozitës në shesh, nisur nga deklarimet e ish - zëvëndëskryemistrit pseudosocialist. E kjo flet shumë! Flet, sepse skenari është hartuar dhe zhvilluar prej kohësh nën rrogoz mes tyre, në një bashkëpunim të hershëm e të vonë, flet dhe uluret për faktin se opozita jonë kryesore nuk ka një program shprese për të ardhur në pushtet, por e mbështet atë në zhvillimet në kampin e pushtetit, duke shpresuar që ata “të ngatërrohen” me këmbët e veta. Kaq do të ishte e keqja më e vogël, por dyshoj fort se Berisha fërkon duart dhe po përgatitet për një 21 janar të dytë me 8 shkurt. Ai është hakmarrës i vërtetuar dhe nuk ua fal socialistëve që për “një dorë para” të ish - zëvendësit të tij, bënë gurgulenë dhe e “tërhoqën” atë në krim, sipas tij me një skenar të dirigjuar nga brenda e nga jashtë, e që konkludoi në një grusht shteti për marrjen e pushtetit. Dyshoj, se Ai e kërkon këtë skenar me qiri dhe ja ku i erdhi, momenti I ngjashëm me atë të 2011 – s, zëvendësi i Ramës me zëvendësin e tij, të dy me bllok në dorë e të dy regjistruar me “çimka”. Tash ka lëshuar alarmin që të imitoje Ramën e të mbushë Bulevardin me 8 shkurt, si me 21 janar të 2011 - tës dhe shpreson që t’a tërheqë edhe mazhorancën aktuale drejt pozicioneve që mbajti ai atëherë. Pastaj…! Larg qoftë… skenari të vërtetohet në “fushën e xhirimeve”, e vendi të shkoje në kaos që nënkupton pushtet për të e “follow the money” për Ahmetajn me shokë. Ahmetaj përmendi dhe baxhanakun e Ramës, dhe nuk e di se si “regjisori” do t’a inkuadroje edhe këtë episod në filmin që pretendon të shfaqet në vijim, pasi baxhanaku i ishit lidhet me një tjetër ngjarje, akoma më të vjetër në kohë, që “u mbyll” me një shpërthim në Gërdec, kurrë më parë të ndodhur në ato përmasa, duke humbur dhe shumë jetë njerëzish. Si një regjisor i regjur, nuk besoj se i ka shpëtuar nga mendja kjo, por ndoshta mjaftohet që gjatë “xhirimeve” të 8 shkurtit, kjo të imitohet thjesht përmes molotovëve të përhershëm që hidhen ndaj kryeministrisë, bashkisë apo dhe ministrive.

Natyrshëm më lind pyetja: - Pse po ngutet kaq shumë zoti Berisha, për skena e skenarë “deja vu” me 21 janarin dhe jo vetëm, për t’u “ringjallë” në pushtet, në një kohë kur zgjedhjet e reja janë në derë, e le t’a kërkoje pushtetin përmes tyre? Apo kjo rruga “nga dritarja” është rruga më e shkurtër? Mbase, por udhët e shkurtëra nuk kanë gjithnjë sukses e përfundojnë jo pak herë në gremina. Apo e bën këtë si një “dëshmi” ndaj SPAK - ut që po e riheton 21 janarin me shpejtësinë e “breshkës”. Apo…! Është një skenar në zhvillim, që i ka të gjitha simptomat që nuk do të jetë dobiprurës, për të cilin urojmë të sjellë dëme sa më minimaliste.

21 janari është kujtesa “e vrarë” e rilindasve në pushtet tash 14 vite, për të cilën urojmë të mos përsëritet, e ndonëse tmerrësisht vonë, të jepet drejtësi, që eshtrat e tyre të prehen të qeta ndër varre. Shpresa, që kujtesa e “vrarë” e 21 janarit të 2011 - tës të mos përsëritet, vjen ndoshta nga e vetmja meritë e njohur e rilindasve në pushtet, që ndonëse ngjajnë fort me “berishizmin qeverisës”, të paktën deri më sot nuk janë vërtetuar si vrasës të drejtpërdrejtë të jetëve njerëzore. Kujtesa e “ikur” e Ahmetajt, duket qartë se vjen si projeksion i 21 janarit 2011 për protestën e paralajmëruar të 8 shkurtit 2025, me skena shtesë të 15 marsit 2009, por urojmë e shpresojmë të jetë ajo edhe një kujtesë “e zgjuar” e qeverisë dhe gjithë organeve të shtetit, e mbi të gjitha një ndërgjegje qytetare e alarmuar e çdo pjesmarrësi të mundshëm, për t’i kanalizuar forcat e tyre drejt kutive të votimit me 11 maj duke mbështetur alternativën që i besojnë, e duke ia kursyer vendit traumat e reja që do të ishin fatale për të ardhmen tonë evropiane.

Lezhë, më 29 janar 2025

---------------------

)* intelektual, poet

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat