Kosova mundet “ma mirë”, por jo me ata që e kanë shkatërruar

Opinione

Kosova mundet “ma mirë”, por jo me ata që e kanë shkatërruar

Nga: Faton Mehmeti Më: 1 shkurt 2025 Në ora: 19:09
Faton Mehmeti

Sloganet janë të rëndësishme në fushatë, ndonëse pas tyre fshihen ata që s’kanë asgjë të bëjnë me përmbajtjen e saj. Për zgjedhjet e 9 shkurtit edhe PDK ka krijuar sloganin e saj të quajtur "Kosova mundet ma mirë".

Më mirë nënkupton që diçka që nuk është bërë mirë sa duhet të bëhet edhe më mirë. Në parim është korrekt, por pikëpyetje ka se kush me ba më mirë. Ironi e madhe është me besu se bën më mirë dikush që e ka rrënuar vendin, e ka shkatërruar. Të gjithë e dimë gjendjen në Kosovë, rrënimin e saj në të gjitha segmentet e jetës, të cilat kanë detyruar mbi 200.000 qytetarë të lëshojnë vendin, të gjitha këto gjatë kohës sa PDK ishte në pushtet.

Të mendosh ndryshe është naïve, kur dihet se janë vetë krerët e PDK, konkretisht kjo parti që e ka rrënuar, realitetin e dinë të gjithë qytetarët. Me këtë “mashtrim” të saj, PDK vetëm sa irriton qytetarët, të cilët i merr sikur të ishin dele, dhe jo njerëz që kanë jetuar këtu dhe shumë mirë e dinë se kush e ka rrënuar vendin. Të kërkosh të ndërtosh diçka nga ata që e kanë rrënuar, i bie sikur të vendosësh hajnin prokuror për të luftuar hajninë. PDK në krye me Hashim Thaçin, që ka qeverisur nga 2007, me Hashimin kryeministër për 7 vite ka rrënuar të gjitha shtyllat kryesore të vendit.

Nuk ka tjetër PDK, është po kjo që qysh në vitin 2010 premtonte se brenda vitit do të bëhet liberalizimi i vizave, mbi 300 mijë qytetarë do të punësohen, të gjitha dolën të ishin rrena. Asnjë nga këto nuk u bë, vendi nga dëshpërimi u zbraz nga qytetarët, varfëria u shtua, kriminaliteti po, shëndetësia dhe arsimi vetëm sa u rrënuan. Prandaj, para se me dal në fushatë PDK duhet ta shikojë vetën në pasqyrë, kush janë, dëmet e mëdha që i kanë bërë vendit. Dhe mbi të gjitha, të distancohet nga Hashim Thaçi, fajtori kryesor që vendi është në rrënim.

Sigurisht se jashtëtokësorët nuk erdhën për ta rrënuar vendin, janë po ata me të cilët lavdërohet PDK, dëshmi e mjaftueshme e mos sinqeritet të tyre. Përveç se të distancohet nga Thaçi, PDK duhet të kërkojë falje për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar vendit, të largoj nga partia të gjithë zullumqaret e vendit, si dëshmi se vërtet kjo parti e ka seriozisht ta rimëkëmb këtë vend, të rrënuar nga ata të cilët lavdërohen nga kjo parti, dhe disa prej tyre akoma në strukturat drejtuese të saj. Derisa nuk i bën këto veprime, të gjitha veprimet e PDK nuk janë asgjë më shumë se pallavra, me të cilat jemi mësuar tani e 20 vjet. Koha e fjalëve ka kaluar, duhen vepra, ndryshe PDK do të mbetet gjatë në opozitë.

Kosova, po mundet më mire, por jo me ata që kanë bërë mirë veç për veten, Kosovën e kanë shkatërruar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat