Showmenët e manipulimit

Opinione

Showmenët e manipulimit

Nga: Ismail Muçiqi Më: 2 shkurt 2025 Në ora: 17:49
Ismail Muçiqi

Naim Abazi dhe Besim Dina, përmes emisioneve Odeon dhe Oxygen, me vite po e manipulojnë publikun përmes antivlerave që po e degradojnë kulturën tonë. Odeoni, një show "tallava" i përbërë nga klani familjar i demoduar, skajshmërisht tregon mjerimin dhe gjendjen në shoqërinë kosovare. Temat që trajtohen në këto dy “spektakle” e imponojnë pyetjen: çfarë karakteri dhe vlerash kanë këto dy misione? Nëse kanë menduar ta zhvillojnë kulturën, ata kanë dështuar katërçipërisht. Vetë humori që e shfaqin apo ju servohet publikut është antikulturë.

Storjet, ku mundohet të shfaqet publiku në sallë, janë storje të errësuara, improvizime të kaluara para shumë viteve, që do të thotë se kjo është një manipulim i falsifikuar përmes teknologjisë së avancuar.

Kalkulanti Naim Abazi, tani më me përvojë të gjatë në showbiz, ka gjetur kodin për të fituar materialisht, dhe ky din ka vijënë paratë. Vetëm fakti se numri i reklamave të gjata të bizneseve të ndryshme i sigurojnë këtij të mira materiale.

Kështu, ky i fton biznesmenët e kompanive të fuqishme në emisionin e tij kinse të suksesshëm për t’i promovuar. Kur e kërkon puna, ai fton edhe politikanët me ndikim për ta ruajtur imazhin dhe balancimin e tij karshi shoqërisë. Por kur e kërkon nevoja, ky nuk i harron as komandantët, gjeneralët, humanistët, patriotët që e “donë shumë Nënën Shqipëri”. Ky shpesh në emisionin e tij i fton edhe mjekët, sepse e do shumë misionin e "Hipokratit", edhe pse vetë është mjek pa stazh pune, pasi fitimi i madh ishte në kulturën e “Telebingos” dhe tani në atë të “Odeonit”.

Të njëjtën rrugë po e ndjek edhe Besim Dina me “showprogramin Oxygen”. Por Dina është i shkathët për t’i hipnotizuar njerëzit me kalkulimet dhe stilin e tij diplomatik. Ky di saktë t’i prekë pulsin dhe sentimentin e njerëzve në situata të caktuara, duke e gërshetuar Artin me Politikën, Biznesin me Ekonominë, Sportin me Muzikën. Ky është mjeshtër dhe ka sens psikologjik për t’i ringjallur figurat e dështuara të politikës për ndonjë favor apo marketing… Kjo është gjendja e tanishme në kulturën tonë shqiptare, e cila ka mbetur në duar të matrapazëve. Dhe kjo do të vazhdojë derisa shtresat intelektuale të heshtin dhe të qëndrojnë pa inovacion. Kjo do të vazhdojë derisa interesi materialo-financiar do t’i shkelë vlerat kulturore, morale, njerëzore, kombëtare për të cilat vlera u sakrifikuan shumë gjenerata.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat