Ti Tucker Carlson, mund ta quash veten gazetar edhe pse nuk paske asfarë sensi prej gazetari. Ti nuk paske fare ndjenja dhe moral njeriu, ti qenke krijesë me pamje njeriu por fare pa etikë njerëzore.
Unë jam gazetar shqiptar i moshës 80 vjeçe që më shumë se 60 vite i kam kaluar në gazetari hulumtuese. Aktualisht po bashkëpunoj me mediumin “Bota Sot”, mediumi më prestigjioz shqiptar me seli në Prishtinë dhe në Zvicër. Stafi drejtues dhe tërë gazetarët e këtij mediumi janë të përkushtuar dhe e respektojnë me përpikëri etikën gazetareske dhe janë shëmbëlltyrë e objektivitetit në gazetari. Unë si gazetar kam qenë i përndjekur dhe i burgosur politik në vitin 1971 në kohën e Jugosllavisë së Titos kur punoja si gazetar i të përditshmes “Rilindja” që asokohe botohej në Prishtinë.
Në WEB faqen e “Bota Sot” të datës 1 shkurt 2025 lexova informacionin me titull “Përplasje mes Piers Morgan dhe Tucker Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë”.
Në këtë debat mbi rolin e NATO-s në ndërhyrjen e vitit 1999 në Kosovë gazetari i nderuar Piers Morgan në mënyrë dinjitoze e mbrojti veprimin e NATO-s duke deklaruar se, ”NATO është një organizatë mbrojtëse dhe nuk ka vepruar në mënyrë agresive, por ishte një ndërhyrje e dizajnuar për të ndalur spastrimin etnik të përhapur”.
Ti “gazetari” Tucker Carlson deklaron se, ”Ata po bombardonin rëndë të krishterët. . . në Jugosllavi. . . kjo ishte një ofensivë. . . ”
Kjo deklaratë e jote sa është e turpshme, e papërgjegjshme dhe e pa argumentuar po aqë është edhe anti njerëzore. Kur ti ke qenë fëmijë tre vjeç unë kam qenë në moshën rinore përplot me energji pozitive gazetareske dhe në respektim të plotë të etikës gazetareske, që gjithmonë ka qenë dhe mbetet e pranishme në shkrimet e mia.
Gjatë agresionit të Serbië gjenocidale në Kosovë në vitet 1998/99, ushtarët, paramilitarët dhe policët e Serbisë vranë e masakruan 15 mijë shqiptarë autoktonë e të pafajshëm, në mesin e tyre edhe fëmijë duke pi qumësht në gjoksin e nënave shqiptare. Dhunuan në mënyrë shtazarake 20 mijë femra autoktone të pafajshme shqiptare. Rrëmbyen 1643 shqiptarë të pafajshën të të gjitha moshave e gjinive, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur. E bënë shkrum e hi Kosovën dhe detyruan më shumë se 1 milion shqiptarë të marrin rrugën e eksodit, a pak pot të duken këto mizori serbe ndaj shqiptarëve autoktonë?!
Ti duhet ta din se serbët në Ballkan erdhën si hordhi të egra nga Karpatet duke sjellë egërsi bishash, duke vrarë, masakruar e dëbuar fiset Ilire pasardhës së të cilëve janë shqitarët dhe fillimisht janë vendosur në lokacionin e Beogradit të sotëm që ka qenë tokë Ilire.
Këtë më emiri e dëshmon kjo hartë e Enciklopedisë Ruse e vitit 1817, ku shihet sa e vogël ka qenë Serbia në ato vite që janë shënuar në brendësi të kësaj harte.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/02/auto_fmh1738516308.jpg)
Serbia gjenocidale me shekuj ka kryer gjenocide ndaj shqiptarëve autoktonë e të pafajshëm për t’i zgjeruar kufijtë e saj në trojet shqiptare.
Leo Freudlich, shkrimtari hebre austriak në librin e tij “Golgota Shqiptare” e viteve 1912/13 shkruan për faktet tronditëse të gjenocidit serb ku femrat shqiptare përdhunoheshin, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla.
Leo Freundlich me këtë libër shprehte protestën e tij kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913, me ç’ rast ushtria serbe vrau mbi gjysmë milioni shqiptarë.
Shkrimtari Leo Freundlich me banim në Vjenë, është njëri ndër intelektualët e rrallë që mblodhi koleksionin e të gjitha gazetave të mëdha të kohës që informonin për shfarosjen kolektive nga serbët në vitet 1912-13 te më shumë se gjysëm milioni shqiptarëve autoktonë.
Në këtë libër shkruan “Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundin t’i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, shqiptarët thereshin si delet. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, më pas lidheshin, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ata ishin shtatzëna, ju çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku e vendosnin në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të”. Kështu i përshkruan maskrat mizore serbe ndaj shqiptarëve shkrimtari Leo Freundlich në librin Albanienes Golgotha, Wien, 1913 (“Golgota Shqiptare, Vjenë 1913”), të kryera nga mesi i tetorit 1912 (kur filloi lufta e Parë Ballkanike) deri në mars 1913. Më 12 nëntor të 1912-ës, gazeta “Daily Chronicle” (Kronika ditore) kishte raportuar se “Afër Shkupit-2000 shqiptarë myslimanë dhe 5000 të tjerë jo larg Prizrenit u masakruan. Shumë fshatrave u ishte dhënë flaka dhe banorët e tyre ishin masakruar. Kur shtëpitë ishin kontrolluar për armë, shqiptarët vriteshin në mënyrën më të thjesht, edhe pse kurrfarë arme nuk kishin gjetur në shtëpitë e tyre. Serbët bënë të qartë se shqiptarët myslimanë duhet zhdukur dhe çrrënjosur. Ata pohonin se kjo është mënyra më efektive për ta qetësuar vendin. ”(Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 8-9)”.
Në një artikull të publikuar në “Crusading”, profesori Shiman (Schiemann), konstaton se “serbët janë duke bërë një luftë gjenocidi kundër shqiptarëve. Ata duan që ta shfarosin tërë kombin-me rrënjë dhe degë”. Një mjek rumun, dr. Leonte, më 6 janar 1913 kishte raportuar në “Adeverul” të Bukureshtit se mizoritë të cilat i kishte bërë armata serbe mbi shqiptarët e të cilat i kishte parë vetë, kishin qenë shumë më të trishtueshme sesa mund t’i imagjinojë ndonjë njeri. Dr. Leonte në një përshkrim të dëbimit të qindra shqiptarëve të zënë robë, shkruan:“…këta njerëz të shkretë duke ecur rrugëve nga rraskapitja, uria dhe etja rrëzoheshin për tokë, kurse ushtarët serbë në ato çaste ua ngulnin bajonetat në fyt duke shkuar currili i gjakut dhe duke mbetur përplot kufoma të tyre të pavarrosura rrugëve. Edhe fushat, ishin mbuluar me kufoma të trupave të vrarë, duke përfshirë të rinj, gra por edhe fëmijë. ”(Po aty) “Një vajzë shqiptare 15 vjeçare”-shkruan Dr. Leonte-“ishte rrëmbyer dhe ishte dërguar në Kështjellën e Nishit. Ajo ishte e dyshimtë se ka hudhur bomba kundër serbëve, të cilët kishin hyrë në Ferizaj. E gjora vajzë e vogël e cila ishte ngarkuar me krim iu dorëzua ushtarëve serbë në vend se të dërgohej në gjyqin ushtarak. Ushtarët i mëshuan në kafkë me dajak derisa ia thyen kokën grimca-grimca”! (Po aty) Dr. Leonte, ngjashëm me këto i përshkruan edhe masakrat e bëra nga serbët në Kumanovë, Prizren e gjetiu. Gazeta “Humanite” e Parisit publikoi një shpjegim zyrtar i cili ishte komunikuar në Konsullatën e Selanikut, ku tregon lidhur me mënyrën se si serbët kishin vepruar në Shqipëri-për grabitjet e tyre, shkatërrimet dhe masakrat. Aty vihet në pah shkatërrimi i 31 lokaliteteve shqiptare, plaçkitja e të gjitha lokaliteteve në rajonin e Kratovës dhe Koçanit si dhe djegien dhe vrasjen e popullatës shqiptare. Në këtë kronikë, gazeta shkruan, se në “Rajonin e Kavadarcit (Kavadar), nga gjithsej 98 fshatra, u dogjën dhe u shkatërruan 34 prej tyre…, ndërkaq në Drenovë, të gjithë banorët ishin vrarë. Midis këtij vendi dhe Palikurës ishin zbuluar me radhë shumë varreza, ku prej disave dukeshin kokat e nxjerra jashtë. Të fundit ishin varret e martirëve të cilët ishin varrosur për së gjalli”.
Për ta kuptuar se gjenocidet e Serbisë kriminale ndaj shqiptarëve autoktonë ndër shekuj e kanë patur të njëjtën egërsi, po Jua prezantoj edhe disa copëza të vogla nga rrëfimet autentike të përshkruara në librin me titull “ Rrëfimet e femrave të dhunuara gjatë agresionit gjenocidal të Serbisë në Kosovë” (1998/99) i autores kosovare Luljeta Selimi:“ Ma pushkatuan nënën e vëllain, kurse mua më dhunuan dhe trupin tim e masakruan për së gjalli me cigare”. Një nga mjeket deklaron se, ”Vajzës së dhunuar i ishte shqyer mitra dhe se në organet gjenitale i kishin futur rërë, këmbët e gërvishtura dhe mes dy gjinjve me majën e thikës kishte të vizatuar kryqin serb”. Ose rrëfimet e tjera, ”Fëmijët vajtonin mbi trupin e përgjakur të babait të tyre të vrarë, e mua më çnderonin vetëm disa metra larg tij”. ”Pasi ma vranë djalin, mua më çnderuan disa ditë me radhë”, “Djalit dy vjeçar ia prenë veshin dhe tre gishtërinj, e pastaj më dhunuan”, “Cigaren e ndezur te gjinjtë e mi”, “Më dhunuan dhe me thikë shkruan fjalë mbi trupin tim”, “Më detyronin t’i shiqoja femrat që po i dhunonin me radhë”, “Pasi më dhunuan, m’i hoqën thonjtë me dana”, “Motrën e mbytën me kundak të pushkës”, “14-vjeçarja u dhunua në borë”, “Pasi e dhunuan 13-vjeçaren e hudhën në pus”, “Më çnderuan para syve të babait dhe nënës”, “Në muajin e tetë të shtatzanisë më përdhunoi para vjehrës dhe burrit, e pastaj më goditi në gjoks e në bark dhe linda fëmijën e vdekur”, “Më dhunuan dhe në krah ma vizatuan kryqin serb”, “Pasi i çnderuan tri vajza, ua prenë organet gjenitale…”
Sheradin Berisha, në WEB faqen e “Bota Sot”, të mediumit mbarë kombëtar shqiptar me seli në Zvicër dhe Prishtinë, më datë 26 prill 2021, në rubrikën Opinione, botoi shkrimin e tij tmerrues me titull “Gjenocidi i pandëshkuar”. Në këtë shkrim të tij të shoqëruar edhe me 9 fotografi, shkruan se: “Pas përfundimit të luftës në qershor 1999 gjurmët e krimit serb u gjetën kudo në vendbanimet e Kosovës. Shqipatët e shpërngulur kur janë kthyer në shtëpitë e tyre kanë gjetur qindra dokumente edhe fotografi ku shihen kriminelët serbë, duke buzëqeshur me armë në dorë përpara shtëpive që i kishte kapur zjarri duke i plaçkitur shtëpitë e shqiptarëve. Edhe trupat e NATO-së ( KFOR-it) gjatë dislokimit të tyre në Kosovë kanë gjetur dhjetëra varreza masive dhe objekte publike e private, në të cilat janë torturuar e vrarë mizorisht shqiptarët. Me këtë rast po e vë në spikamë zbulimin e një qendre serbe të krimit në Prishtinë të zbuluar nga KFOR-i anglez. Njësitë parashutiste të KFOR-it anglez gjatë kontrollit të objekteve publike e private, në një ndërtesë disa katëshe kanë gjetur dhoma, ku forcat kriminale serbe kanë kryer tortura e pastaj kanë ekzekutuar mizorisht qindra shqiptarë.
Në këto dhoma torturimi janë gjetur shpata të gjata, thika e maska të zeza, e sende tjera metali, shufra e boksa metali, shkopinj të thyer bejsbolli, drogë e shiringa, litarë të përgjakur për ngulfatje, krevate ku shqiptarët e lidhur këmbë e duar janë mbytur. Mbi një tavolinë është gjetur një motosharrë me shenja gjaku, që tregon se aty janë prerë koka dhe gjymtyrë të shqiptarëve. Në një dhomë tjetër është gjetur edhe një akumulator që është përdorur për mbytje me elektroshok. Janë gjetur edhe shumë fotografi të fëmijëve shqiptarë të evidentuar me numra, ngjashëm siç kishte vepruar Hitleri në Luftën e Dytë Botërore në llogoret e vdekjes. Në dhomat e krimit janë gjetur edhe shumë uniforma të policisë serbe, armë dhe arka me municion dhe një inventar me qindra dokumente (dosje), që dëshmojnë qartë krimin monstruoz të kryer në këtë objekt të regjimit kriminal të Millosheviqit. Pas zbulimit këtë qendër të krimit për herë të parë e ka vizituar ekipi i prokurorëve dhe hetuesve të Hagës, i cili i ka mbledhur dhe evidentuar të gjitha provat e gjetura aty. Tani po pyes, ku përfunduan këto dëshmi të tmerrshme nga Tribunali i Hagës?! Pas 21 vitesh nga përfundimi i luftës, askush nga kryerësit e këtij krimi të pashembullt në historinë njerëzore nuk është arrestuar apo nxjerrë para drejtësisë?! As policia, as prokuroria , as gjyqtarët e UNMIK-ut (1999-2008). As ato të EULEX-it 2008”, shkruan mes tjerash në shkrimin e tij Sheradin Berisha. Në Kosovë ekzistojnë mijëra dëshmi të këtilla të masakrave serbe të shkruara dhe të inçizuara.
Esat Shala me shokët e tij gjatë agresionit gjenocidal të Serbisë në vitet 1998/99, kanë incizuar 2 mijë kaseta dhe CD të masakrave që Serbia i kreu në Kosovë. Serbia i ofruar Esat Shalës 2 milionë euro që Esat Shala t’ia dorëzojë këto kaseta e CD, por Esat Shala këto kaseta dhe CD muaj më parë i dorëzoi në Institutin e krimeve të luftës në Prishtinë.
Tucker Carlon, pasi ta lexoni këtë letër publike vendoseni dorën në zemër nëse keni zemër e ndjenja njeriu dhe mendoni çfarë qëndrimi do të kishit ndaj Serbisë gjenocidale dhe kriminelëve Aleksandër Vuçiq, Ivica Daçiq dhe Aleksandër Vulin, po qe se ushtria serbe, paramilitarët serbë dhe policët serbë do t’i kishin kryer këto krime ndaj familjes Tuaj, ndaj farefisit Tuaj, ndaj kombit apo ndaj shtetit Tuaj”?!
Shqiptarët janë kombi më i lashtë, më fisniku dhe më paqedashësi në Ballkan. Shqiptarët deri sot nuk kanë okupuar as edhe një pëllëmbë tokë të huaj, ndërsa Serbia dhe fqinjët i kanë okupuar më shumë se gjysmën e trojeve shqiptare dhe të kombit shqiptar, e sot Shqipëria amë e shqiptarëve duket si mollë e kafshuar nga të gjitha anët.