Nuk i ka mbetur asgjë tjetër Vuçiqit, vetëm po i numëron ditët… dhe e gjithë kjo nuk është vetëm shpëtimi i tij, pushteti i të cilit e ka quar deri në fodullëk dhe në përçmimin e popullit të vet, apo edhe fajësia ndaj popujve të tjerë, prandaj njeriut të dhunshëm i kundërvihet njeriu i arsyeshëm, siq janë nxënësit, studentët, punëtorët dhe i gjithë populli demokrat në Serbi, duke protestuar me muaj të tërë ndaj një regjimi të tillë autokrat.
Problemi nuk ekziston te ne, dhe nuk do të ishte preokupuese një çështje e tillë brenda Serbisë, por problemi qëndron marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë, konkretisht probleme të cilat janë urgjente dhe si çështje historike, që kërkon një angazhim të veçantë dhe vullnet edhe nga BE-ja, së cilës i mungon, vetëm nëse SHBA-të, do ia shtojnë me ardhjen e presidentit Donald Trump.
Shumë njerëz eminent të njohur të historisë të kulturave botërore kanë shkruar e shpjeguar luftërat e përgjakshme dhe përmasat shkatërruese të tyre, ku të fuqishmit edhe tiranët për të dominuar kanë bërë gjëra të tmershme deri në asgjësime të qenies njerëzore, duke i kolonizuar dhe okupuar trojet dhe pronat e huaja, dhe më në fund të shfletosh tërë këtë histori të dhimbshme, nuk është e mundur ta gjejmë ndonjë dobi që ka rrjedh prej këtyre ngjarjeve tragjike, por vetëm humbje të jetëve njerëzore dhe materiale.
Çfarë fitoi Serbia, me lufta të vazhdueshme dhe luftën e fundit që shkaktoi Millosheviqi, me dhunën dhe gjenocidin ndaj popullit të pa fajshëm shqiptarë të Kosovës dhe ndaj popujve të tjerë. Vetëm në luftën e fundit të vitit 1998-99, në Kosovë, duke shkaktuar me qindra masakra dhe duke dëbuar mbi 1 milion shqiptarë nga trojet e veta, por prapë se prapë populli i Kosovës, me sakrifica të shumta dhe gjakun e popullit të vet dhe me ndihmën NATO-s, në krye me SHBA-atë, ky popull jeton sot i lirë në shtetin e vet të pavarur.
Megjithatë, Kosova me Serbinë, akoma nuk e kanë gjetur një mirëkuptim të përbashkët, për një marrëveshje paqësore e ndër fqinjësore, me ç’rast duhet marrë parasysh dhunën dhe luftën e përgjakshme që shkaktoi regjimi i Millosheviqit, prandaj, është proces dhe rregull i jetës njerëzore, që edhe njeriu i dhunshëm të pranoj gabimet e veta, sikur në këtë rast Serbia, të kërkoj falje ndaj popullit të Kosovës.
Dhe në një mënyrë do të përfundonte edhe një kapitull i rëndë dhe i dhimbshëm e historik në mes dy popujve, si një projekt i rëndësishëm e i domosdoshëm për paqen dhe sigurinë, jo vetëm në mes këtyre dy popujve por edhe për rajonin dhe tërë Ballkanin Perëndimor.
Të marrim parasysh edhe shumë provokime që shkaktuan pasardhësit e Millosheviqit, të cilat janë të shumta dhe të vazhdueshme në Kosovë, sikur sulmi i terroristëve serb në Banjskë të Zveçanit, pastaj skandali i fundit në kanalin Iber-Lepennc, të cilat projekte arkitektin e kanë në Beograd, kryekriminelin Aleksandër Vuçiq, lojërat e të cilit e kanë qëllimin për ta destabilizuar Kosovën.
Prandaj, kërcënimet dhe shantazhet që vijnë nga politikat e Beogradit në drejtim të Kosovës, nuk mund të maten me peshore, por më rëndësi për popullin dhe qeveritarët e këtij vendi, duhet që të merren me problemet e veta dhe me projektet zhvillimore të vendit të vet, sepse rreziku i ngatërrimit dhe i shkatërrimit të një vendi, vjen nga vetë imazhi i atij vendi, që krijon dhe përgatit shkatërrimin ndaj palës tjetër njerëzore, që do i kthehet në vendin e burimit.
Dhe sot, nuk është e çuditshme, se çka po ndodhë në Serbi, kur vetë shoqëria dhe qytetarët e këtij vendi janë të pa kënaqur me presidentin e vet dhe të këtij shteti, të cilët nuk pajtohen me qeverisjen e tij autokrate, dhe sikur i është mbushur kupa dhe tani në një mënyrë kjo kupë duhet të shpërthejë, ose të vlojë, sikur këto ditë në sheshin e Beogradit, Novisadit dhe shumë qytete tjera të këtij vendi, duke u ngritur në protesta, duke kërkuar shkarkimin e Vuçiqit.
Prandaj, ajo që duhet të mbizotëroj në ndjenjat dhe vullnetin e popullit, duhet të respektohet dhe vlerësohet, që lidhet me perceptimin e botës si diçka demokratike tashmë të formuar dhe të plotësuar në jetën e secilit njeri dhe shtetin e vet të lirë e demokratik, një vlerë, të cilën secili popull duhet ta ruaj dhe vlerësojë.
Edhe Kosova si shtet i ri, ka përpara vetës mjaftë projekte për ti realizuar, si edhe detyra të shumta për t’u përmbushur, dhe ndër të tjera edhe për ta forcuar dhe zhvilluar FSK-në, ushtrinë tonë të respektuar, përmes së cilës populli i këtij vendi është i aftë që të mbrojë dhe realizojë zotërimet e veta mbi këtë tokë deri në rrjedhojat më të skajshme.
Përmes projekteve zhvillimore dhe përmes një unifikimi të forcave të përbashkëta pa dallime partiake e grupore, pa humbur kohë, që të merret me politikat dhe shantazhet e Vuçiqave dhe të shumë « viqave » të tillë, të cilët nuk mund të sfidohen lehtë, por me vullnetin dhe fuqinë e popullit gjithçka është e mundur, po ashtu edhe autokratin e fundit Vuçiqin, populli i vet do ta sfidojë dhe shkarkojë shumë shpejt, i cili po i numëron ditët e mbetura.