Serbisë po i del tymi!

Opinione

Serbisë po i del tymi!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 3 shkurt 2025 Në ora: 14:51
Sherif Ramabaja

Shqiptarët janë edukuar që mos t´i gëzohen fatkeqësisë së tjetrit. Në këtë rast nuk po i gëzohen tymit, i cili po i del Serbisë. Me dëshirë do të dëshironin që fqinji i tyre Serbia, të demokratizohej. Të ballafaqohet, njëherë në jetën e saj,  me realitetin. Të distancohet nga e kaluara e saj terroriste dhe t´ua shtrij fqinjëve dorën e pajtimit, duke u kërkuar falje për mizoritë të cilat me shekuj ua ka shkaktuar. Të pritet një kthesë e tillë nga Serbia është paksa e vështirë, derisa ende mburret dhe është e bindur se gjithmonë e ka pas vetes Rusinë.

Skeptikët do të përgjigjeshin: ajo me shekuj ka mbetur e tillë. Me shekuj i ka terrorizuar fqinjët. Me shekuj i ka pushtuar tokat e fqinjëve. Me shekuj ajo është përpjekur t´i shfaros popuj për rreth. Me shekuj ka dëbuar, ka shpërngulur, ka hartuar programe për zhdukjen e shqiptarëve dhe jo serbëve. Me shekuj e ka marr rolin e viktimës, t´i arsyetoi krimet para të tjerëve. Me shekuj e ka falsifikuar historinë, që ta shtrembëroi të vërtetën historike. Me shekuj përpiqet që shqiptarëve t´ua mohoi identitetin historik dhe fetar, duke ua imponuar myslimanizmin që t´i frikësoi të tjerët. Me shekuj ua ka grabitur manastiret dhe kishat e tyre, duke i paraqitur shqiptarët si mysliman. Dhe tash të pritet demokratizimi i saj?

Optimistët do të përgjigjeshin: ne nuk mund ta përsërisim rrugën e tyre. Shikoni gjermanët, ende i vuajnë pasojat e nacional - socializmit dhe holokaustit. Gjenerata të tëra ndihen fajtor dhe turpërohen nga paraardhësit e tyre, çfarë kanë bërë ndaj hebrenjve dhe popujve të tjerë. Ne duhet t´u ndihmojmë që t´i pranojnë gabimet e tyre dhe t´i kthehen botës së civilizuar. Për hir të së ardhmes së përbashkët, ne duhet t´i falim. Falja do të thotë të mendojmë edhe për gjeneratat dhe fëmijët tanë që të nisin një jetë të re, pa pasur frikë për të ardhmen.

Realistët do të përgjigjeshin: ne duhet të jemi të kujdesshëm. T´i përcjellim me vëmendje veprimet e tyre. Deri më sot as opozita e tyre nuk ka dhënë shenja se është për zgjidhjen të përgjithshme paqësore. Edhe ata sikurse udhëheqësit e tyre shtetëror bënin thirrje raciste dhe nacionaliste, ndaj fqinjëve. Ne duhet të forcohemi në pikëpamje ushtarake dhe të sigurisë në mënyrë që të mendojnë realisht, para se të nisen në aventurat e tyre luftarake. Vetëm kur e dinë që je forcë e barabartë me ta zmbrapsen, përndryshe po patën epërsi për mëshirën që kanë ndaj të tjerëve, të zhdukin nga faqja e dheut.

Demagogët do të përgjigjeshin: duhet respektuar edhe kërkesat e Serbisë. Ajo është fuqi rajonale, pastaj për të gjetur një zgjidhje duhet t´i ofroni diçka. Nëse e dëshironi një paqe të përhershme, duhet t´i keni parasysh të gjitha opsionet, deri te një ndarje territoriale. Veriu është një tokë e askujt. Duhet të përcaktohet se kujt i takon ajo pjesë. Duhet edhe ju t´i respektoni të drejtat e pakicave dhe kërkesat e tyre. Gjithçka duhet zgjidhur me bisedime, pa imponime dhe me koordinime të përbashkëta.

Edhe kërkesat e Serbëve dhe të Serbisë duhet marr parasysh. Ju duhet t´i zbatoni të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash, pa marr parasysh se si vepron Serbia. Ju duhet t´i kryeni detyrat e juaja. Të mos e provokoni situatën. Të mos nxitni dhunë. Të reagoni me masa të kufizuara ndaj atyre që e injorojnë dhe rrezikojnë sistemin shtetëror të sigurisë, në mënyrë që t´i iket eskalimit të përgjithshëm. Të punoni në deeskalimin e situatës së përgjithshme, pa u bazuar në funksionalitetin shtetëror.

 Ditët dhe javët e ardhme do të tregojnë, a do ti del Serbisë vetëm tymi, apo edhe flaka. Më së miri do të ishte të demokratizohej dhe të mos t´i dilte as tymi e as flaka. Kjo do varet tërësisht prej tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat