Pse Grenell sulmon Albin Kurtin vetëm pak ditë para zgjedhjeve?!

Opinione

Pse Grenell sulmon Albin Kurtin vetëm pak ditë para zgjedhjeve?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 4 shkurt 2025 Në ora: 08:00
Richard Grenell dhe Albin Kurti

Richard Grenell është bërë këto ditë shumë i pranishëm në mediet e Kosovës. Megjithë punët e mëdha që ia ka ngarkuar presidenti Trump, Grennell po gjen kohë të mjaftueshme për të sulmuar kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij. Mesa duket ai ka lënë çdo gjë, me qëllim që ta ndalojë fitoren e zotit Kurti në zgjedhjet e së dialës së ardhshme. Dhe kjo përpjekje e tij nuk do të binte në sy, nëse ai me këto veprime nuk do t’i shërbente partisë së pazareve me Kosovën.

Ambasadori Grenell është tashmë i njohur në rajonin e Ballkanit, sidomos në Serbi, Kosovë e në Shqipëri. Angazhimet e tij në krah të Alekandër Vuçiq, të Hashim Thaçit e të Edi Ramës për ndarjen e Kosovës janë historia më e trishtë e pranisë së tij në rajonin tonë. Ai ka deklaruar se shkëmbimi i territoreve ishte ide e dy presidentëve, atij të Serbisë dhe të Kosovës e jo një propozim i tij. Por është fakt se Grennell arriti deri në pikën që të rrëzonte qeverinë Kurti 1 me qëllim që ta realizonte objektivin e ndarjes së Kosovës.

Aq shumë është marrë me këtë çeshtje, saqë ka lënë gjurmë të thella në Serbi, si mik i saj. Presidenti i Serbisë e dekoroi zotin Grennell me dekoratën më të lartë të vendit të tij. Për çfarë? Sigurisht që për shërbimet që ai bëri kundër Kosovës dhe pro Serbisë. Mbetet që një ditë të shohim të dekorohen nga Beogradi edhe dy bashkëpunëtorët e tjerë të Grennell, Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Jam krejt i sigurt se kur të përfundojë koha e mbajtjes sekret të shërbimeve për Serbinë të Ramës dhe Thaçit, këta të dy do të shpërblehen edhe moralisht nga autoritetet e Serbisë.

Por le të kthehemi te sulmet e këtyre ditëve të ambasadorit Grennell kundër Albin Kurtit dhe qeverisjes së tij. Ato sulme janë të mirëprogramuara e të kalkuluara. Njerëz në anën e opozitës së Kosovës, kryesisht të Partisë Demokratike, përfshirë Vlora Çitakun, Berat Buzhalën e të tjerë si këta, janë të përfshirë në skenarin e goditjeve të Grennell kundër Kurtit. Por ndërsa Grennell synon të sjellë në pushtet përkrahësit e copëtimit të Kosovës, këta brenda vendit synojnë jo vetëm vazhdimin e projektit të ndarjes, por edhe grabitjen e Kosovës në pjesën që mbetet, sipas përvojës që ata kanë krijuar në të shkuarën jo shumë të largët.

Kosova nuk harron. Edhe ata qytetarë që nuk janë aq të kënaqur me qeverisjen e sotme nuk harrojnë se ndarja e Kosovës ishte në prag të nënshkrimit, nëse nuk do të ishte shjpallur akt-akuza kundër Hashim Thaçit, qershorin e vitit 2020. Kanë kaluar vetëm katër vite e disa muaj. Tani po këta kanë thirrur sërishmi në ndihmë ambasadorin Grennell, me qëllim rimarrjen e pushtetit. E më pas për të çuar deri në fund axhendën e Vuçiq, Ramës dhe Thaçit, me garanci të Richard Grennell, i cili sot ka fuqi politike e diplomatike në Shtëpinë e Bardhë.

Sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve të përgjithshme, aq më shumë shtohet agresiviteti kundër mazhorancës së sotme. Ky nuk është thjesht padurim i forcave të së shkuarës për t’u rikthyer në pushtet. Eshtë gjithashtu përpjekje e Beogradit për t’i përdorur njerëzit e korruptuar në dobi të Serbisë. Opozitarët e Kosovës e dinë këtë fakt. Ata kanë treguar shpesh herë qëndrime anti-qeveri, edhe kur janë suspenduar institucionet serbe në Kosovë. Edhe kur u vendosën kryetarët e komunave në veri. Madje nuk guxuan të thonë asnjë fjalë të mirë as për suksesin e jashtëzakonshëm të policisë dhe instirucioneve të Kosovës për asgjësimin e terroristëve që kryen aktin barbar të Banjskës. Gjithnjë Grennell ka qenë në të njëjtën linjë të reagimeve, si edhe opozita e Kosovës. Por shqiptarët dhe qytetarët e tjerë të Kosovës kanë edhe ata sy të shohin e veshë të dëgjojnë. Ata e dinë fort mirë se atdheu nuk mbrohet duke u mbështetur te Aleksandër Vuçiq, Lista Srpska dhe miqtë e tyre kudo që janë, përfshirë dhe Richard Grennel! Ndaj dhe kritikat e ambasadorit Grennell vetëm se shtojnë vota për Albin Kurtin dhe koalicionin e tij. Siç edhe ndodhi në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat