Grenell, edhe pse ka status diplomatik zyrtar e qeveritar, nga sa shkruan e thotë në adresë të Albin Kurtit si kryeministër e të qeverisë së tij si ekip, më freskët më 2 dhe 3 shkurt 2025, jep vetë arsye për të krijuar bindjen se ai është një nga përzgjedhjet më të gabuara të Presidentit Donald Trump. Se ai flet de facto në emër të AMERIKËS së Trump dhe të DASH- it të Rubios, por është shumë më tepër vetvetja, një "skllav" i miqësive dhe i orgjive biseksuale në Beograd! Apo peng i pagesës mujore në rreth 100.000 mijë dollarë nga MPJ e Serbisë ose nga një burim tjetër serb! Me shumë gjasa për emërimin e tij Presidenti Donald Trump është viktimë e miqësisë dhe ortakërisë në biznese me atë të dhëndrit të tij Jared Kushner, pra edhe të bijës!
Nuk është e vështirë per t'u kuptuar se deklarimet e Grenellit janë për konsum elektoral, për të ndihmuar mikun e tij Aleksandar Vuçiç dhe opozitën në Kosovë, me shanse fare minimale për të fituar ndaj Albin Kurtit! Ky nga ana e tij, meriton të fitojë edhe për inat të Vuçiçit, Putinit, Grenellit, Edi Ramës dhe të disa liderëve e politikanëve të opozitës në Kosovë, qoftë vetëm për sukseset që ka arritur në komunat e Veriut, duke rikthyer integritetin dhe sovranitetin territorial të shtetit të Kosovës, humbur jo rastësisht, jo nga papjekuria e nga paaftësia, gjatë qeverisjeve të partive të sotme opozitare! Falë kujtesës dhe arkivit, personal si dhe të Google, mu krijua shpejt mundësia të kthehem rreth 55 muaj pas, më 15 qershor 2020, kur po ky Grenell, me statusin e të ngarkuarit të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për dialogun Serbi-Kosovë, njoftonte se “kishte arritur të bindte palën serbe dhe shqiptare për një takim mes tyre në Uashnington më 27 qershor 2020...!” Sipas tij “Serbia është pajtuar që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe se Kosova është pajtuar për të pezulluar përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë…”.
Në komentin tim botuar në gazetën “Telegraf” të Tiranës më 17 qershor 2020, me titullin “Një takim që ndjell më shumë keq se sa mirë për Kosovën” shtroja pyetjet: “Përse po nxiton kaq shumë e vetëm për kaq pak “përfitim” për këtë takim Grenell? Përse Grenell po ecën me revan, të lerë pas Lajçakun dhe SHBA-në, po vrapon të kalojë BE-në, sidomos Gjermaninë, deklaruar me kohë dhe vendosmërisht, kundër çdo marrëveshje që pjell apo sjell ndryshimin e kufijve ekzistues mes Serbisë dhe Kosovës?
Në vijim, jepja përgjigjen: vetëm për t’u regjistruar dhe reklamuar si “sukses personal politik” i Grenellit, pas një serie dështimesh të tij politike në Uashington dhe sidomos në Berlin, ku, nga analistë politikë dhe personalitete politike vendase, është cilësuar si “ambasadori më i paaftë i SHBA-ve, në listën e gjatë të ambasadorëve amerikanë në këtë vend”. Këtë përgjigje e bën edhe më të plotë e më bindëse eksperti gjerman në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, Toby Vogel, më 30 maj 2020, në një intervistë të publikuar në Radion Europa e Lirë dhe në Syri.net. Ai shprehet se “SHBA-ja do marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallë misionin e përfunduar dhe të tërheqë trupat nga Kosova…”.
Po sipas tij, “ administrata Trump dhe presidentët Thaçi dhe Vuçiç, janë protagonistët kryesorë që mbështesin shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të ishte një fitore në politikën e jashtme për presidentin amerikan, Donald Trump…Do të ishte justifikim personal edhe për Grenellin. Kjo është ajo që vërtet qëndron pas ndjenjës së urgjencës.” Personalisht, po më 15 qershor 2020, përcolla nëpërmjet facebook këtë mesazh: “Përse me kaq nxitim nga Grenell dhe jo pas dt. 3 nëntor 2020, kur të përfundojnë zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe për më shumë çështje konkrete dhe të rëndësishme në tavolinën e bisedimeve? Kur bisedimet kanë zgjatur dhe janë shtyrë shumë vite, përse të mos shtyhen edhe 5 muaj?” Këmbëngulja dhe nxitimi i mëhershëm i Grenellit që Kosova të heqë dorë nga taksa 100% për mallrat serbe si dhe nga reciprociteti dhe tani për takimin e 27 qershorit, lejon hapësirë dhe mundësi apo jep arsye të bollshme të “përkthehet në shqip” edhe si pranim me dëshirë i inferioritetit dhe vasalitetit nga Hashim Thaçi dhe nga qeveria e tij dhe e Isa Mustafës, me kryeministër Abdullah Hotin!
Si mund të mendohet e jo më të besohet se në tryezën e bisedimeve të dy palët, pa qenë të barabarta, do të arrijnë apo nënshkruajnë një marrëveshje me rezultat të barabartë apo, paradoksalisht, me humbjen e palës ”superiore”? Po sipas meje, nxitimi i SHBA-ve, nëpërmjet Grenellit, për t’i ndaluar më herët, në mes mars 2020, në formë presioni të hapur dhe për t’i rikthyer ndihmat amerikane, porsa Kurti hoqi “taksën Haradinaj” për mallrat serbe dhe pasi Hoti hoqi reciprocitetin, shpreh se Grenell dhe të tjerë në Uashington, Beograd, Moskë, Pekin, dëshironin ta shtynin Kosovën drejt pabarazisë, inferioritetit dhe vasalitetit ndaj Serbisë! Në këtë kushte, kur Grenell “ka harruar” t’i bëjë presione dhe vendosë kushte edhe Serbisë, nga shumëkush njeri objektiv, shqiptar apo ndërkombëtar, mund të shtrohen logjikshëm, e pakta, dy pyetje: More, ky Grenell është më shumë “mik dhe aleat” i Kosovës, të çliruar nga SHBA-ja, në kohën e presidentit Bill Klinton dhe të pavarësuar po nga SHBA-ja në kohën e presidentit Xhorxh W. Bush, apo i Serbisë së mundur prej tyre? Si diplomat amerikan, qoftë edhe “mediokër” apo “dështak”, si nuk e kupton se me këto qëndrime dhe veprime të njëanshme, pa apo me dashje, po “çon ujë në mullirin e Serbisë dhe të Vuçiçit si dhe të Rusisë dhe të Putinit!?”
Në përforcim të kësaj piste mund të merret edhe një deklaratë e James Pardew- ish-ambasador i SHBA-ve në Bullgari, ish-ndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Në artikullin e botuar në “The Hill”, në fillim prill 2020 ai shkruante: “Shumë pikëpyetje e rrethojnë misionin e Grenellit në Kosovë. Pse po mban Grenelli një qëndrim pro-serb në bisedime? Pse SHBA-të po destabilizojnë një vend pro-amerikan në një kohë kaq të ndjeshme? Diçka mban erë këtu. Si një luftëtar entuziast i dhënë pas Trumpit, Grenelli mund të jetë thjesht duke u përpjekur me gjithë forcat për të kënaqur shefin e vet. Por dyshoj se këtu bëhet fjalë për diçka më shqetësuese, veçanërisht pas dyshimeve të thella, që më mbeten për marrëdhënien mes Trumpit dhe Vladimir Putinit…”.
Në mbyllje të shkrimit tim të 17 qershorit 2020 shprehesha: “Ne shqiptarët kemi të drejtë t’i gjykojmë Trumpin si president dhe si politikan, si dhe disa nga bashkëpunëtorë të tij, për aq sa kanë bërë, po bëjnë dhe do të bëjnë me vepra e jo me fjale, në dobi të Kosovës, Shqipërisë dhe Botës Shqiptare. Ne nuk do të harrojmë kurrë dhe do t’i jemi mirënjohës përjetë SHBA-ve, për ato që kanë në të mirë të të gjithë shqiptarëve. Nëse Bill Klinton e çliroi, Xhorxh W. Bush e pavarësoi, nuk mund të mos shqetësohemi nga fakti se në në keta 3.5 vjet të presidencës Trump, nga qëndrimet dhe presionet e Bolton, Palmer, Grenell, Kushner, Kosnett..., Kosova është në pikëpyetje të madhe si shtet i pavarur, me integritet dhe sovranitet të pacënueshëm, me rrezik potencial dhe real të humbë veriun, sidomos Trepçën. Në të kundërt, Serbia në këto 3.5 vjet nuk e ka ndjerë më veten si të mundur nga Klinton e Bush, por pritet me nderime të mëdha në Shtëpinë e Bardhë dhe në DASH…!” Duke u larguar nga ky shkrim i mes qershorit 2020, gjykoj se ishte qysh atëherë lehtësisht e kuptueshme që ekipi Trump, për të fituar aksione politike, që i kishte të pakta në fushën e politikës dhe i ishin pakësuar ndjeshëm nga koronavirusi dhe nga protestat masive e të dhunshme, nisur më 27 maj në Minessota, kishte interes që marrëveshja Kosovë-Serbi të nënshkruhej, qoftë edhe 1 muaj para zgjedhjeve, që ta regjistronte si fitore politike personale të Trump. Rrjedhja e kohës e bëri edhe më të qartë këtë të vërtetë...!
Njëherazi, e lakuriqësoi edhe më shumë Grenell-in si mik dhe ortak me Aleksandar Vuçiç-in e si biznesmen me copa Kosove e Shqipërie dhe me interesa kombëtare shqiptare! Për të krijuar bindje më të plotë për figurën, rolin, qëndrimin, anësinë... e Grenell, sidomos ndaj Serbisë e Kosovës, ndihmojnë edhe këto ngjarje e data: 21 Shtator 2020, Hashim Thaçi, si president i Republikës së Kosovës dekoroi Grenell me “Medaljen Presidenciale të Meritës”, për kontributin e dhënë në arritjen e dokumentit të zotimeve në Washington! 25 Tetor 2023, Aleksandar Vučić, si president i Serbisë i ka dhënë ish të dërguarit të SHBA-së Grenell, “Urdhërin e Flamurit Serb”, për shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së”. Për të gjitha sa ka bërë, thënë e shkruar vetë Grenell, sa kanë thënë e shkruar për atë si njeri si diplomat dhe si misionar diplomatik analistë politikë dhe politikanë amerikanë, gjermanë, shqiptarë, serbë...kam bindjen se shpejt presidenti Donald Trump, ndihmuar edhe nga detyrimi i vetë Grenellit për ta shklyer krejt maskën e për t'i shërbyer miqve të tij jo vetëm për biznese në Beograd, por edhe për antishqiptari, anti Albin Kurti, anti Kosovë si dhe për orgji... do ta rishikojë shpejt vazhdimësinë e mbajtjes së tij pranë vetes...!