Greneli ndërhyn brutalisht në zgjedhjet parlamentare të Kosovë

Opinione

Greneli ndërhyn brutalisht në zgjedhjet parlamentare të Kosovë

Nga: Skender Musliu Më: 4 shkurt 2025 Në ora: 18:54
Skender Musliu

Ditë më parë, në cicërimën e tij, Grenal i jep vetes liri dhe të drejtë, që nuk i takon, të flet në emër të komunitetit diplomatik dhe institucioneve euroatlantike duke kritikuar Qeverinë Kurti se, ai nuk paska qenë i besueshëm as gjatë mandatit të Bidenit, as për republikanët e as për demokratët, sepse, kinse, Kurti me veprimet e tij të njëanshme dhe të pakoordinuara me faktorin ndërkombëtar, e paska destabilmizuar rajonin, dhe se, BE-ja dhe NATO si dhe komuniteti ndërkombëtar, qenka, i bashkuar kundër Kurtit !?

Në këtë kontekst, dëshiroj të përmendi se, sikur të ishte koordinuar Kurti me faktorin ndërkombtar, ashtu siç pretendon Grenel, në Kosovë ende do t’i kishim barrikadat, rrugët ilegale të kontrabandës, strukturat kriminale serbe me Radojçiqin dhe Veselinoviqin, laboratoret e drogës, postat dhe bankat e Serbisë në Kosovë ku shpërlaheshin nga një miliard euro në vit, komunat ilegale të Serbisë, targat e vjetra, dokumentet e tj. Prandaj duke iu falemnderuar kryeministrit Kurti, të gjitha këto dhe shumë të tjera, nuk ekzisotjnë më. Por a thua Vuçiqi, të cilin të dërguarit special të SHBA-ve për Kosovën e konsideronin si palë konstruktive të dialogut, a u koordinua me faktorin ndërkombëtar kur në maj të vitit 2023 në Zveçan, strukturat kriminale të Vuçiqit sulmuan ushtarët e KFOR-it, policinë e Kosovës dhe gazetarët, ku u plagosën mbi 90 ushtarë të KFOR-it, a thua u koordinua Vuçiqi kur i bëri agresion shtetit të Kosovës në Banjskë , ose kur i kidnapoi Serbia tre zyrtarë policor gjatë patrullimit në territorin e Kosovës……, Sigurisht se jo, mbase Kurti me veprimet e tij vendosi rendin dhe ligjin dhe shtriu sovranitetin në Veri të Kosovës, kurse Vuçiqi në vazhdimsi ka destabilizuar, jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin. Atëherë, çka kërkon Grenel !?

Në formimin e opinionit tek faktori ndërkombëtar, sidomos te BE-ja mbi Kosovën, rol të rëndësishëm kanë luajtur dezinformatat e Borell dhe Lajçak, informatat e servuara nga ata, BE-ja i ka marrë si të mirëqena, e që nuk e kanë reflektuar realitetin, mbase ata vinin nga shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, rrjedhimisht ishin të njëanshëm ndaj Serbisë, për çka disa herë kanë reaguar deputetët e Parlamentit Europian duke kërkuar vendosjen e sanksioneve Serbisë.

Së pari, konsideroj se, këto vlerësime të Grenelit janë të njëanshme, të paqëndrueshme dhe tendencioze, së dyti, ai flet edhe në emër të BE-së, NATO-s dhe tërë komuniteit ndërkombëtar, që skajshmërisht është e papranueshme dhe sharllataneske, sepse Grenel nuk ka kompentenca, kapacitete, legjitimitet, legalitet dhe asgjë tjetër, të flet në emër të institucioneve më relevente ndërkombëtare, që vërtetë tregon se veprimet e tij janë jokonvencionale dhe jodiplomatike, e që bien ndesh edhe me Konventën e Vienës që e rregullon këtë materie.

Grenel po ashtu në postimin e tij shkruan se, kompani amerikane po zgjerojnë aktivitetin në Shqipëri dhe Serbi, e jo edhe në Kosovë për shkak Kurtit. Gjykoj se, në Shqipëri dhe Serbi është lehtë të investosh, sepse atje funksionon korrupcioni dhe krimi i organizuar në shkallë të lartë, kurse në Kosovë me Qeverinë Kurti, si Qeveri e pakorruptuar dhe me duar të pastra, ka shtet ligjor ku investimet e huaja garantohen nga shteti, e që dikujt nuk i konvenon të investojnë.

Grenel është shprehur se ka shumë miq në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe rajon, që konsideroj se ndër t’a janë edhe ata që donin t’a coptojnë Kosovën.

Ajo çka është sinjifikative në këtë postim të Grenelit, është momentumi kur ai pozicionohet kundër Kurtit, respektivisht në kohën kur fushata zgjedhore ka hy në fazën përfundimtare, ai qëllimisht interferon për të ndikuar në rezultatin zgjedhor kundër Kurtit e në favor të opozitës. Por kjo nuk është hera e parë që Grenel brutalisht ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës, sepse edhe gjatë mandatit të parë të Trumpit, ai në bashkëpunim dhe në marrëveshje me Vuçiqin dhe Hashim Thaqin, pas trusnive ndaj LDK-ës, që aso kohe ishte në pushtet me LVV-në, LDK-ja doli nga ky koalicion, dhe mundesoi rrëzimin e Qeverisë Kurti 1, me të vetmin qëllim, t’a kthejë në pushtet kastën e inkriminuar, sepse nënshkrimi i marrëveshjes për ndarjen e Kosovës, ishte shumë afër. Edhe tani, nuk është larg mendjes që Grenel kritikon Kurtin për ti orientuar votat drejt kësaj opozite, respektivisht PLAN-it, për të vazhduar aty ku e lanë para katër viteteve, dmth ndarjen e Kosovës.

Vlenë të theksoj se, Grenel për dy vite ishte ambasador i SHBA-ve në Gjermani, dhe pikërisht për shkak sjelljeve jokonvencionale dhe jodiplomatike, pas disa kërkesave të opozitës gjermane për t’a shpallur Grenelin « persona non grata », dhe me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ai detyrohet t’a ndërprejë mandatin dhe të largohet për SHBA.

Jo vetëm Greneli ishte kundër Qeverisë Kurti, mbase edhe Palmer me Eskobarin si të dërguar special për dialogun, ia kanë mbajtur anën Serbisë, në dëm të Kosovës, të cilët janë të lidhur me Serbinë me lidhje familiare dhe biznisore, duke qenë haptazi në konflikt interesi, dhe kur kësaj ia shtojmë binomin Borell-Lajçak, dhe afërsinë dhe miqësinë e Grenelit me Hashim Thaqin, atëherë nuk ka asgjë për t’u habitur.

Konsideroj se Greneli, me këtë cicërimë ka bërë ndërhyrje flagrante dhe brutale në proçesin zgjedhor të Kosovës duke bërë thirrje që të votohet kundër Albin Kurtit. Këto deklarata të Grenelit, duhet t’i shërbejnë si impuls plotësues elektoratit të Kosovës, që t’a votojnë LVV-ën, Listën « Guxo » dhe Alternativën, me qëllim që të mos lejojnë kthimin e politikanëve tradhtar, të shantazhuar që nuk guxojnë t’i thojnë JO faktorit ndërkombëtar.

Dhe në gjithë këtë histori, fatkeqësisht, opozita dhe disa televizione, me të ashtuquajtur gazetar dhe analista të shitur, shpejtuan t’a kritikojnë kryeministrin Kurti për poena elektorale. Mirëpo gjykoj se, kjo ndërhyrje e Grenelit dhe reagimet e opozitës, do t’i sjellin më shumë vota kryeministrit Kurti sesa opozitës.

Bruksel, 4 Shkurt 2025 Skender Musliu, jurist i diplomuar

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat