Edhe kësaj radhe fushata zgjedhore në Republikën e Kosovës u karakterizua me premtime boshe dhe gjuhë ofenduese ndaj njëri -tjetrit.
Asnjëri nga liderët partiakë nuk u mor me zgjidhjen e problemeve aktuale por u dhanë premtime që vështirë mund t'i realizojnë edhe shtetet me ekonomi të zhvilluar si Zvicra, Gjermania, Britania e Madhe etj.
Asnjëri nga liderët partiakë nuk u mor me problemet esenciale të qytetarëve të Kosovës.
Asnjëri nga liderët partiakë nuk foli për ajrin e ndotur e as shkatërrimin e lumenjve dhe liqeneve.
Askush nuk ofroi program konkret mbi furnizimin e tregjeve me prodhime vendore, dhe shmangien e importimit të prodhimeve të skaduara nga vendet e rajonit.
Askush nuk foli për themelimin e ndonjë enti për mbështetjen e fëmijëve jetimë.
Askush nuk foli për hapjen e qendrave mjekësore dedikuar personave të moshuar që u mungon përkujdesja e familjes.
Tuberkulozi bën kërdinë e askush nuk e pati në program ndërtimin e një spitali të sëmundjeve të Kraharorit, apo rinovimin dhe shtimin e kapaciteteve të atij ekzistues në Pejë.
Askush nuk foli për mbrojtjen e shëndetit oral të nxënëseve në shkollat 9-vjeçare dhe të Mesme.
Askush nuk foli për përmirësimin e kushteve të personave me sëmundje mendore në strehimoren e Shtimes, që më tepër ngjanë në Kamp nazist të përqendrimit sesa në strehimore.
Askush nuk foli për personat me aftësi të kufizuara dhe angazhimin e tyre në ndonjë aktivitet.
Asnjëri nga liderët nuk tha që Kosovës i nevojitet një fabrikë farmaceutike, me çfarë do të ndërpritej kontrabanda dhe furnizimi me barëra të skaduara nga vendet fqinje.
Askush nuk tha do të rritet cilësia e shërbimeve në spitalet tona dhe do të ndërpriten shkuarjet për shërim jashtë vendit.
Askush nuk foli për sigurinë e qytetareve dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Askush nuk foli për ndërtimin e çezmave e tualeteve publike, e as të trotuareve për këmbësorët në qytetet tona.
Askush nuk e pati në planprogram ndërtimin e qendrave për riciklimin e mbeturinave.
Askush nuk e diskutoi pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura e lëre më ndërtimin e parqeve. Askush nuk foli për globalizmin dhe sfidat e tij.
Askush nuk i zuri në gojë ata që i kanë bojkotuar institucionet e dhunshme të Serbisë, dhe vite të tëra kanë punuar vullnetarisht, e sot janë nëpërkëmbur dhe fyer me 120(njëqindenjëzet) euro pension moshe.
Askush nuk paraqiti program konkret për mbrojtjen e pyjeve . Askush nuk e tha as edhe një fjalë të vetme për fshatrat e braktisura e mbipopullimin e qyteteve.
Askush nuk foli për nevojën e kultivimit të bimëve industriale dhe të atyre foragjere.
Askush nuk foli për vendosjen e pompave të ujitjes në arat e kullosat e vendit.
Askush nuk foli për ndërtimet e egra dhe shëmtimin e pamjeve të bukura të zonave kodrinore-malore.
Askush nuk tha se tash e tutje rreth këtyre problemeve do të vendoset nëpërmjet organizimit të referendumeve popullore.
Askush nuk paraqiti program mbi zonat industriale dhe mbrojtjen e tyre.
Askush nuk foli për kaosin urbanistik dhe shtëpitë e ngritura paleje, deri në mbylljen e dritareve fqinjëve.
Askush nuk foli për gjetjen e alternativave dhe debllokimin e rrugëve nga veturat e panumërta në rrugët e Kosovës
Koorporatat industriale Trepça dhe Kek-u, nuk u zunë fare -fare në gojë, sikur na ka zënë mallkimi që ato të shfrytëzohen pafundësisht nga të tjerët.
Askush nuk foli për ekuilibrimin e çmimeve në treg. Askush nuk foli për monopolet dhe konkurrencën.
Të gjithë përmenden ndërtimin e çerdheve e askush reformat që ndryshojnë gjendjen e mjerë në shkollat fillore dhe të mesme të vendit.
Askush nuk e pa të udhës të thotë që Kosovës i duhet patjetër një Task-forcë operacionale dhe e specializuar për luftimin e krimeve ekonomike dhe ndalimin e zhvatjes së pasurisë së popullit.
Askush nuk foli për fshehjen e pasurisë dhe shmangien e tatimit nga individë të përgjegjshëm.
Arsimi terciar apo universitar as që u përmend . Askush nuk tha se do t’i përkrah dhe do t’i bëjë me strehë novatorët apo shpikësit e rinj.
Askush nuk tha se do ta ndihmojë avancimin e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në Diasporë.
Askush nuk tha se në vend të filialeve partiake duhet të bëhen projekte të përbashkëta kulturore me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Ulqinin e Krajën, Medvegjën, Preshevën e Bujanocin.
Askush nuk tha se mërgimtarëve do t’u krijojë lehtësi doganore. Askush nuk tha se në krye të Ministrisë së Shëndetësisë do ta sjellë ndonjë mjekë shqiptar të formuar dhe me rezultate evidente nga Zvicra apo Gjermania.
Askush nuk e përmendi krijimin e një Fondi të veçantë në rast fatkeqësish natyrore e as të atij të rezervave ushqimore.
U premtua ndërtimi i magjistrales Shalë e Bajgores -Podujevë, u harrua që ende s’është përfunduar rruga Podujevë-Prishtinë.
U tha që do të nisë ndërtimi i hekurudhës Prishtinë -Durrës e nuk u përmenden fare hekurudhat jashtë përdorimit në Kosovë.
Askush nuk tha që Kanuni i Lekë Dukagjinit relikt shekujsh duhet të hiqet nga përdorimi dhe në vend të tij, duhet të fuqizohen Prokurorit dhe Gjykatat.
U përmend ndërtimi i një fabrike të municionit pa u thënë; që së pari duhet të krijohet Akademia Ushtarake e Kosovës, e pastaj të mendohet ndërtimi i fabrikës.
Askush nuk tha që Kosova duhet ta aplikojë shërbimin e rregullt ushtarak sikurse të gjitha vendet e tjera të botës.
Më herët është folur për pranimin e të burgosurve nga Danimarka, ne kemi nevojë për shkëmbim përvojash në fusha të tjera ,se burgjet i kemi përplot me të burgosur.
Askush nuk theksoi ikjen masive të të rinjve nga Kosova, sikur të gjithë janë pajtuar me boshatisjen e saj.
Askush nuk foli mbi shkaqet e papunësisë. Askush nuk ceku diskriminimin në tregun e punës dhe dallimin e madh në paga.
Askush nuk i zuri në gojë normat e larta të kamatave. Askush nuk foli për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit.
Askush nuk e përmendi papërgjegjësinë e punëdhënësve ndaj punëtorëve, që punojnë më gjatë se orari i plotë i punës, ku janë të diskriminuar të rinj e të reja të punësuar, sidomos ata në sektorin e shitjes dhe të gastronomisë.
Askush nuk foli për çmimet e tokës dhe qirasë. Askush nuk u mor me analizimin e krimit ekonomik. Askush nuk e tha qoftë edhe një fjalë të vetme rreth raporteve të Ekonomisë dhe Drejtësisë.
Askush nuk tha se kush qeverisë me tregun individët apo shteti . Askush nuk përmendi mbështetjen e zejeve tradicionale.
Askush nuk foli për shkaqet dhe llojet e inflacionit. Askush nuk i zuri në gojë shkeljet e rënda të të drejtave të punëtorëve nga punëdhënësit, e as vdekjet tragjike të dhjetëra personave në sektorin e ndërtimtarisë.
Askujt s’i shkoi mendja tek mohimi i të drejtave elementare të shqiptarëve të Medvegjës, Preshevës e Bujanocit, nga ana e Serbisë.
Askush nuk u mor me mbrojtjen e pronave të shqiptarëve në ish-republikat jugosllave.
U premtuan pishina të shumta e u harrua që s’kemi uji të mjaftueshëm të pijes.
Të gjithë thanë do të ketë rritje të pensioneve prej 120(njëqindenjëzet ) eurosh në 500(pesëqind) euro. Vërtetë kjo është e pakapshme për trurin. Premtim qesharak dhe i pambulesë.
Nuk është thënë rastësisht se aty ku thuhet ka dredhëza shumë merreni shportën sa më të vogël.
Kudo u përdor gjuhë ofenduese dhe denigrim i kundërshtarit me çfarë u vërtetua se ende jemi larg të dëshiruarës dhe njerëzores.
Demokracia na i largoi prangat e robërisë, por jo edhe mendësinë e mykur titisto-enveriste të eliminimit të kundërshtarëve me metodat më të ndyta.