Për të pasur një mendim të shëndoshë, duhet të jesh vetë i shëndoshë. Është e qartë se shumë pak njerëz kanë mbetur të paprekur mendërisht nga konfliktet dhe luftërat në ish-Jugosllavi. Fatkeqësitë dhe përjetimet kanë prekur pothuajse të gjitha shtresat e shoqërisë – nga ideologët, udhëheqësit politikë, komandantët, intelektualët, mjekët, hoxhallarët, e deri te popujt e Ballkanit. Më të prekurit nga kjo krizë janë shqiptarët e Kosovës, serbët, boshnjakët dhe kroatët, ndërsa sllovenët dhe maqedonasit kanë pësuar më pak. Megjithatë, nuk mund të injorohet popullata e Luginës së Preshevës, e cila gjithmonë ka shërbyer si monedhë kusuritjeje dhe ende sot trajtohet si e tillë. Ky rajon ka vuajtur më së shumti dhe ende po e paguan çmimin, duke pritur përfundimin e lojës politike mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas luftës, politika ndërkombëtare u kthye në një vëzhguese pasive, duke ia lënë në dorë zgjidhjen e çështjeve vetë popujve të përfshirë, gjë që është e pamundur. Këta popuj kanë luftuar për shekuj për territore, herë në emër të fesë, herë të nacionalizmit, herë të shovinizmit dhe herë të perandorive. Kur më në fund erdhi koha për të zgjidhur problemet, çështja iu la në dorë atyre që kishin luftuar mes veti. Por sipas psikologëve dhe sociologëve, këta njerëz duhej të rehabilitoheshin dhe të largoheshin nga pushteti, e jo t’u jepeshin pasuri dhe kompetenca. Fatkeqësisht, kjo ndodhi para syve të ndërkombëtarëve!
Nuk do ta harroj momentin kur një delegacion ndërkombëtar më vizitoi në zyrën time, kur isha kryetar i KBI-së në Komunën e Bujanocit. Më pyetën për paqen dhe stabilitetin, dhe si e shihja situatën. Pa hezitim iu përgjigja: “Jam i vetëdijshëm dhe i vendosur të ec në rrugën e paqes. Kam promovuar këtë ide në Luginë gjatë gjithë kohës, duke vepruar dhe duke rrezikuar, vetëm e vetëm që të shuhet zjarri i konflikteve.
Nuk i jam frikësuar askujt. Kam dalë përballë çdo rrëmuje pa stres e pa hezitim, sepse besimi im ishte i fortë. Në një kohë kur shumica ishin të infektuar me urrejtje e frikë, të dalësh dhe të kërkosh ndalimin e armëve, që problemet të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit, do të thoshte të ishe i rrezikuar nga të gjitha anët. Por unë këtë e kam bërë, sepse i kam besuar rrugës së Zotit dhe të mirës, jo rrugës së djallit dhe së keqes.
Gjithashtu, i paralajmërova ndërkombëtarët: “Mos i ulni të gjitha palët në një tavolinë dhe të kërkoni mendime, sepse vetëm do t’i zvarritni çështjet. Shqiptarët dhe serbët, me sa i njoh, dinë si t’ju mashtrojnë edhe juve. Këta dy popuj kanë luftuar së bashku kundër Perandorisë Osmane, kanë qenë partizanë bashkë, por edhe kanë bërë luftëra mes vete për pushtet dhe pazare.”
Popujt dhe mendësia e robit
Në përgjithësi, popujt nuk kanë dëshiruar kurrë luftëra e konflikte, por ato u janë imponuar nga qarqet e brendshme dhe të jashtme. Unë kam qenë në Sarajevë para luftës, ku banoja në një banesë afër Bashçarshisë. Pronari ishte serb dhe askush nuk besonte se do të kishte luftë – as unë nuk e besoja! Kisha shokë dhe miq nga të gjitha anët. Por ndodhi ajo që ndodhi…
Sot, më shumë se dy dekada pas luftërave, më shqetëson pyetja: Ku kemi arritur dhe ku po shkojmë? Çfarë po ndodh para syve tanë? Sepse nesër të gjithë do të mbajmë përgjegjësi dhe do të paguajmë faturën e gabimeve dhe lëshimeve.
Në vend që popujt të edukohen, të kulturohen, të avancohen dhe të bashkëpunojnë për një integrim të shpejtë në Bashkimin Evropian, ata mbështesin përsëri populistë, njerëz konfliktuozë dhe ngatërrestarë, të cilët nuk mund të mbijetojnë pa përçarje dhe kriza. Parlamentet, në vend që të shërbejnë për dialog, janë kthyer në arena konfliktesh, me britma, fyerje dhe përçmime, duke përdorur mediat si armë për të shpërndarë akoma më shumë urrejtje dhe ndasi.
Unë besoj se zgjidhja e këtyre problemeve, të shkaktuara me vetëdije ose pavetëdije nga aktorët politikë, duhet të nisë pikërisht aty ku rruga devijoi dy dekada më parë. Një shoqëri që jeton me sharje, etiketime, fyerje e përbuzje nuk ka të ardhme. Zjarri nuk shuhet me zjarr! Nëse duam një të ardhme të ndritur, duhet të punojmë për paqe, edukim dhe bashkëpunim, jo për ndasi e konflikte të pafundme.
(Autori është publicist dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve nga Lugina e Preshevës)