Kosova është shteti më demokratik në Ballkan, ku liria e fjalës dhe shprehjes është në maksimumin e manifestimit dhe frekuentimit të vet demoratik. Qytetari i këtij vendi i ka të drejtat e veta themelore, që ta shpreh lirshëm, pa frikë e ndëshkim qëndrimin e tij përballë ligjeve ekzistuese të shtetit. Janë të drejta elementare, të avancuara demokrakisht, falë ndihmës ndërkombëtare që është prezente aty. Këto standardetë dhe të drejta nuk janë të nivelizuara sa duhet në shtetet fqinje. Liria dhe ligjet nëpër ato shtete përreth janë ende të kufizuara dhe shumë hakmarrëse. Kjo zezonë poshtëruese atje, shihet qartë nga qeverisjet e tyre të
dobëta gjatë këtyre viteve demokratike. Kjo gjendje manifestohet përherë atje nga jostabiliteti politik dhe nga vendimmarrjet e brishta të njerëzve të paaftë nëpër vende pune, të cilët me veprimet e tyre të ulta janë duke e trazuar e shpërngulur popullatën, në mënyrë marramendëse, nëpër vise të ndryshme të botës.
Dallimi dhe krahasimi në Ballkan mund të shihet qartë gjatë këtyre zgjedhjeve në Kosovë (Dardani) që jemi tani duke i përcjellur me vëmendje të madhe. Partitë e ndryshme poltike që janë në garë konkuruese për pushtet, nuk kanë patur kurrfarë censure apo përndjekjesh nga autoritetet shtetërore për t'i shprehur bindjet e tyre të lira. Edhe pse nga euforitë e shumta, liria e shprehjes së tepruar ngadonjëherë e ka tejkaluar normën e euforisë së vet dëshiruese, duke ofenduar, shpifur e atakuar politikisht, për ta dëmtuar reputacionin e njëri-tjetrit nëpër gara interesi. Çdo abuzim është i mbrojtur me ligj, prandaj tentimet e dikujt (që akoma jetojnë dhe mbijetojnë nëpër grupe fisnore) për t'i ndaluar manifestimet dhe të drejtat e qytetarëve, “cep më cep” të vendit, janë të dënueshme. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë që bindjet dhe kërkesat e tyre lirshëm t'ia dedikojnë subjektit të vet partiak. Pluralizmi e lejon këtë të drejtë qytetare. Cili subjekt politik është më i drejtë, më premtues, më realizues me programin e trumbetuar, do të ketë mundësinë në ditën e votimit të përkrahet më shumë. Qytetari i njeh fortë mirë njerëzit e vet nëpër komuna, fshatra e qytete, si kanë qeverisur dhe si do të qeverisin vendin nëpër organe të ndryshme shtetërore. Sepse ata janë të përzgjedhur e që do të përzgjidhen tani, për t'ua lehtësuar jetën qytetarëve dhe jo për ta keqpërdorur vendin e punës për interesa personale të grupeve të caktuara të interesit. Nëpër këto poste matet mirë dhe vëzhgohet funksionimi i demokracisë. Nga ky përceptim serioz në sytë e qytetarit maten mirë bindjet e tyre. Prandaj nuk është mirë të premtohen gjëra që nuk realizohen, sepse subjektet politike e humbin kredibilitetin e vet partiak. Gjuha e tyre politike duhet të ketë baza reale dhe të realizueshme në mandatin e tyre qeverisës. Madje fjalori i tyre duhet të jetë i kujdesshëm dhe jo ofendues të mos i tejkalonë normat e përgjegjësisë. Çdo gjë që tanimë është thënë në publik dhe nëpër media është manifestuar pa ndonjë ndalesë represive. Nëpër Kosovë mbretëron demokracia e vërtetë dhe është bërë shumë punë që të arrihet ky standard kulture në popullatë, për ta emancipuar drejtë e mirë shoqërinë. Por ka edhe shumë punë për t'u bërë e për t'u ndierë tërësisht qytetari i lirë dhe në të drejtë, pa dallime partiake, etnike, fetare dhe gjinore, ashtu siç zbatohet liria dhe qeverisja nëpër shumë shtete e vende të standardizuara të perëndimit. Për të mbërritur në destinacionin demokratik të vërtetë perëndimor, qytetarët duhet të largohen nga armata fisnore e bindjes politike dekadente, që e ngulfat prespektivën e zhvillimit normal të shtetit. Vota nuk mund të imponohet dhe keqtrajtohet, çdo individ duhet të çlirohet nga ndikimet farefisnore, që të funksionojë edhe më mirë demokracia. Ai duhet të jetë i lirë në bindjet e veta për votim.
Shumë herë këtë prespektivë demokratike të popullit e ngadalëson edhe niveli i ulët gazetaresk dhe i mediave që nuk korespondojnë fare me nivelin e lartë politik të Albin Kurtit. Gazetarët ngadonjëherë e kanë keqpërdorur pozicionin e vet me fjalorin e tyre abuziv dhe ofendues. Edhe pse ata kanë të drejtë të provokojnë në kërkesat e tyre në të mirë të vendit, por jo të jenë tendencioz dhe në dëm të shtetit. Kërkesa për të debatuar me liderët është e lejueshme, por jo të marrin qasjet e tyre me konotacion shpifës dhe denigrues. Liderët e subjekteve të ndryshme politike i njohin mirë nivelet e intelektuale të gazetareve të vendit. Ata janë përballur shumë herë me ta dhe ua dinë animet, talentin dhe orientimet e tyre.
Tani për tani për shkak të situatës me faktorin ndërkombëtar, Kryeministrit të Kosovës i mjafton të debatojë vetëm me gazetarë të huaj për ta realizuar qëllimin e duhur, në dobi të shtetit të Kosovës. T'i bjerë pikës aty ku duhet, se me zhurmime e debate të kota nëpër studiot mediatike të vendit, është lodhur qytetari. Rrjedhshmëria e komunikimit të këtyre gazetarëve tendenciozê është e cunguar nga zhurmimi dhe mungesa e kriterit intelektual të duhur në trajtimin e çështjeve me peshë kombëtare. Ndaj është humbje kohe e niveli debatimi me ta, mbase nuk jepen alternativa tjera bindëse të pikëpamjeve poltike, se kah duhet ta ketë prosperitetin vendi. Kosova nuk ka nevojë më për gazetarë të këtij formati të skaduar politik që nuk janë bindës në gjykimet dhe paragjykimet e tyre.
Shqiptarët në Kosovë (Dardani), janë një mëhallë e vogël ekzistuese dhe në këtë territor aq sa është, “cep më cep”, të gjithë e njohin njëri-tjetrin, për të mirë e për të keq, për të bëmat dhe pabëmat e tyre, qoftë ato të jenë majtas apo djathtas, me bindjet e tyre politike. Këto gjëra i kanë përjetuar gjatë këtyre viteve demokratike, kush ka bërë e çka ka bërë me sjelljet e tyre, të gjitha janë të qarta... Jo vetëm njëherë, por përherë qytetarët duhet ta kthejnë kujtesën e tyre prapa, nëpër etapa kohore, sidomos pas luftës dhe pavarsisë së Kosovës, deri në ditët e sotme, dhe do ta shohin ndryshimin. Shumë lehtë është të kujtosh individët nga prespektiva se nëpër çfarë labirintesh kanë kaluar dhe si kanë vepruar ata. Kush kanë qenë dhe çka kanë bërë mbi supet e këtij populli. Qytetari tanimë është ngritur dhe vetëdijsuar shumë mirë politikisht dhe duhet ta tregojë dëshirën dhe prespektivën shoqërore me votën e vetë, që është katalizatori ose kandili orientues për të shkuar shteti përpara. Të gjithë keqbërsit duhet larguar nga politika, nëse duan një shtet stabil e të qëndrueshëm, me drejtësi dhe barazi kombëtare bindëse.