Rilindja dhe shteti i së drejtës!

Opinione

Rilindja dhe shteti i së drejtës!

Nga: Prof.Dr. Enver Bytyçi Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 14:31
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Kryeministri Rama çdo ditë përsërit frazën se “Vetëm Partia Socialiste mund të bëjë shtetin e së drejtës”! Kjo është teza e tij verbale. Por çfarë thotë horoskopi i antitezës?

Nëse diskriminimi, presioni, shit-blerja e interesave dhe persekutimi janë drejtësi, atëherë këtë lloj shteti di ta bëjë mësë miri Rilindja e Edi Ramës.

Nëse korrupsioni është tipar i së drejtës, atëherë këtë tipar kishte dhe ka shtëti i Rilindjes!

Nëse PPP-të janë drejtësi, atëherë këtë lloj privilegji për ortakët e qeverisë di ta bëjë më mirë Rilindja! Madje edhe për porositësit e vrasjeve dhe grabitqarët e territoreve shqiptare!

Nëse burgosja dhe persekutimi i kundërshtarëve politikë është drejtësi, atëherë pikërisht këtë lloj “drejtësie” di ta bëjë më mirë sesa vetë djalli Edi Rama!

Nëse Shpërngulja masive e shqiptarëve vjen prej shtetit të së drejtës së Rilindjes, atëherë në djall shkoftë ky lloj shteti!

Nëse rriten taksat e çmimet dhe nuk rriten pagat e pensionet, pra, nëse rriten fitimet e oligarkëve pranë qeverisë, atëherë u shoftë ky lloj shteti “i së drejtës” që predikon kreu i Rilindjes!

Nëse shteti i së drejtës i jep privilegjin kryeministrit të vendit të udhëtojë me avion special edhe për shoping në Nju Jork e të harxhojë miliona euro nga taksat tona, atëherë duhet të ketë ndërruar kuptimi i këtij nocioni. Duhet që filozofët dhe teoricienët e politikës të djegin librat dhe veprat që ata kanë shkruar për këtë lloj shteti! Duhet të rishikohen teoritë e shtetit që prej Platonit e Aristotelit e deri të Immanuel Kant, Jean Jacques Rousseau e John Rawls!

Shteti i së drejtës, nuk ia jep kryeministrit atributin të manipulojw e të uzurpojw të gjitha pushtetet në duart e tij, siç ka ndodhur në 12 vitet e Rilindjes. Dhe nëse duhet ta pranojmë këtë, atëherë duhet të pranojmë edhe se e drejta ka ndërruar vendin e saj me padrejtësinë!

Nëse Edi Rama e quan të drejtë burgosjen e 38 mijë shqiptarëve në një vit për kundravajtje, me qëllim të mos shihej kanabizimi i Shqipërisë, siç ndodhi në vititn 2014-2015, atëherë në ferr shkoftë ky lloj shteti “i se drejtes”!

Ai që për 12 vite nuk dëshmoi asnjë moment se di e do të ndërtojë shtetin e së drejtës, ai edhe 120 vjet të tjera nuk do ta bëjë këtë! Thjesht se nuk do ta bëjë! Arroganca dhe diktatura, lakmia për pushtet, pasuri, lavdi e për prestigj janë e kundërta e shtetiy të së drejtës. Edi Rama heq dorë nga jeta e vet, por jo edhe nga lakmitë e përmendura më sipër!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat