Do ta kisha votuar Lumir Abdixhikun, por, meqenëse ai nuk ka pasur guxim të shkëputet nga tutori Mustafa, lë të nënkuptohet se do të vazhdojë të trajtojë shtetin mu si rrënuesi i LDK-së, që sot është kryetar nderi.
Ish-komunisti jugosllav dhe bashkëpunëtori i Rrahman Morinës.
Ose me Rugovën, ose me Mustafën.
Gjersa ishte gjallë Rugova, as që ka guxuar t'i afrohet LDK-së.
Prandaj, nuk do ta votoja Abdixhikun. I mungoi guximi. Parapëlqeu të mbetet nxënës i vogël i Mustafës, por jo të bëhet pasardhës i madh i Rugovës.
Nuk premtoi shtet ligjor, por investime, ku mund të vidhet më shumë. Do të pendohet më 10.02.25.
Ose, do ta kisha votuar Hamzën, sikur të kishte pasur guxim të shkëputet nga PRONTO, por, meqenëse mburret me atë klan, lë të nënkuptohet se do të trajtojë shtetin mu si ata.
Prandaj, nuk do ta votoja kurrë. I mungon guximi. Po dëshmohet nxënës i zellshëm i PRONTO-s. Nuk premtoi shtet ligjor, por investime, ku mund të vidhet më shumë.
Ramushi dhe Lima nuk janë të votueshëm. Ndoshta do ta kuptojnë...
Pse jo ata të përmendur më sipër?
Sepse ata e shpërfytyruan Republikën e Kosovës mu siç i konvenonte Serbisë dhe e zhvatën shtetin deri në palcë. Si Serbia dje.
Pra, mbetet Kurti, duke shpresuar se do të gjejë një mënyrë, një rrugë, për të ndrequr raportet me SHBA-të. Nëse jo, Trump do ta rrëzojë përsëri. Ose do ta rrëzojë populli.
Mua më duhen edhe dy gëzime në këtë jetë: mënjanimi i Vuçiqit dhe largimi i Grenellit. Grenelli është më Lajçak se vetë Lajçaku. Ai flet dhe shkruan çfarë dëshiron të lexojë Vuçiqi.
Trump ia mohoi gjininë, ndoshta edhe e largon.
Kam një parandjenjë se do të ndodhë.
I lutem Nënë Terezës të ndikojë te Trumpi për ta larguar Grenellin nga Ballkani.
AMIN!
Ky është mendimi im. Ju e keni lirinë për të menduar dhe për të votuar si dëshironi ju, unë për të menduar si di unë dhe sa di unë.
Lirinë e mendimit nuk mund të ma ndalojë as zoti, as njeriu!
Fituesit të zgjedhjeve i dëshiroj fat! Cilido që të jetë! Do të dëshiroja një koalicion të madh për të marrë vendime historike!
Çfarëdo marrëveshje paqësore që të nënshkruajë një Kryeministër me Serbinë, nga një pjesë e popullit do të quhet akt tradhtie...