Orientalizmi politik dhe kompleksi i vlerave të vogla

Opinione

Orientalizmi politik dhe kompleksi i vlerave të vogla

Nga: Gëzim Mekuli Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 21:41
Gëzim Mekuli

Nëse Edward Said do të ishte gjallë sot dhe do të hidhte një vështrim mbi opozitën e Kosovës, gjasat janë që filozofi Said do të pësonte një krizë ekzistenciale. Ai që kritikoi Perëndimin për mënyrën sesi e shihte dhe e përkufizonte Lindjen, do të gjente një «Lindje të re» në Kosovë, jo si një produkt i jashtëm, por si një gjendje mendore e psikologjike të imponuar nga vetë opozita dhe mediat që shkelin mbi të veten, mbi Kosovën; shkelin mbi vetëvehten sall për të kënduar këngën e të huajve. Opozita e Kosovës nuk ka më një ideologji, një bosht, një moral, një qëllim; ajo është një orkestër e hallakatur pa dirigjent që i bie instrumenteve sipas ritmit të Serbisë dhe oligarkëve, me Grenellin si sponsor të koncertit.

Ku jeni ju, ooooooo opozitë?

Në cilën pistë jeni duke kërcyer? Në njërën anë, të kamufluar si atdhetarë me retorika të dala boje, ndërsa në anën tjetër, përkrahës të projekteve serbe që ia marrin oksigjenin vendit. Më keq se kaq, keni zhvilluar një kompleks të vlerave të vogla, një sindromë që i bën mendjet e paformuara të besojnë se «vlera» vjen vetëm nga jashtë, se vetëm ajo që vjen nga ambasadat e ka vulën e dijes dhe drejtësisë, se vetëm ajo që vjen nga X dhe nga Grenell është e pathyeshme, se vetëm bizneset e oligarkëve janë në të drejtë, ndërsa çdo përpjekje për të ndërtuar një shtet sovran është një kërcënim për "stabilitetin rajonal".

Ramush Haradinaj, një figurë që dikur e imagjinonte veten si një luan të politikës së Prishtinës, sot është shndërruar në një karikaturë që mezi shqipton fjalët e veta, një personazh tragji-komik që shfaqet vetëm për t’u bërë protagonist i ndonjë skandali. Nëse Edward Said do ta analizonte këtë fenomen, ai do të vërente se Ramushi është një produkt tipik i një oborri politik që përpiqet të maskojë paaftësinë e tij me folklorizëm të zbrazët; me popullizëm. Në vend që të luftojë për sovranitetin e Kosovës, ai betohet për stabilitetin e rrejshëm të Beogradit dhe grushton tavolinat dhe, më pas, zbutet dhe i falë tokë Malit të Zi. E kjo sall për të ruajtur status quo-në e korruptuar.

Abdixhiku, një tjetër karneval politik, një hije e heshtur që e sheh veten vetëm përmes pasqyrës së ambasadave, do të ishte një tjetër arsye pse Said do të dorëzohej dhe do të çonte duart përpjetë. Ai përfaqëson atë kategori politikanësh që nuk kanë qëndrim, që nuk kanë ide, që sillen si ndërmjetës mes vendit të tyre dhe interesave të oligarkëve, gjithmonë duke e vlerësuar suksesin e tyre në varësi të miratimit nga jashtë, e jo nga qytetarët. Ncuk, ky njeri është qyqani i LDK-së! Pikë!

Dhe pastaj kemi gazetarët, ata që duhet të ishin zëri kritik i këtyre budallallëqeve, por që janë kthyer në vegla të establishmentit. Edward Said do të kishte një fjalor të pasur për t’i përshkruar këta shërbëtorë të «vetëorientalizmit». Këta njerëz janë ata që kur përmendet ndonjë sukses vendor, përpiqen të gjejnë një «behone» a një këndvështrim negativ. Gazetarët janë ata të cilët verbërisht hedhin baltë, gënjeshtra, rrena, gjuajnë «gurë e dru» mbi qeverinë e tyre, por qyqanat heshtin kur Serbia i shpall haptazi planet e saj fashiste. Pse? Sepse janë të lidhur me interesa, sepse nuk mund të jetojnë jashtë këtij rrethi vicioz, sepse kanë humbur ndjesinë e përgjegjësisë kombëtare. Pikë!

Të dashurit e mi,
Lexues,
Ne, fatbardhësisht, në anën tjetër, kemi një lider si Albin Kurti, i cili është i vetmi që nuk e sheh Kosovën me syzet e interesave të oligarkëve. Ncuk! Ai përfaqëson një model tjetër, një model të sovranitetit, një model ku vlerat nuk blihen e shiten si aksione e si kriptovalutë.

Të nderuar lexues,
Orientalizmi i Said-it na mëson se, mënyra se si një komb e përkufizon veten, nuk duhet të varet nga mënyra se si e sheh atë bota e jashtme. Opozita e Kosovës ka zgjedhur të shohë veten vetëm përmes syzeve të huaja, vetëm përmes interesave të të tjerëve, dhe në këtë proces ka humbur çdo identitet, çdo pavarësi mendore, çdo dinjitet. Pikë!

Konsekuent deri në fund; nëse Edward Said do të kishte rastin të analizonte këtë opozitë, ai do të qante me lot. Do të qante jo nga mllefi, por nga keqardhja; keqardhja për një opozitë që nuk është opozitë, për politikanë që janë hije të urdhrave të tjerëve, për gazetarë që janë shërbëtorë e hyzmeqarë të agjendave të huaja, për një shoqëri që ende lufton me kompleksin e vlerave të vogla.
Dhe mbi të gjitha, ai do të pyeste: "Pse vallëzoni me Serbinë more? Pse keni frikë nga liria hej? Pse i tuteni Pavarësisë ore?."

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat