Nëse ka akoma burra dhe gra në PS-Rilindje, që u vjen keq e turp për gjendjen, në të cilën është katandisur partia dhe atdheu i tyre, atyre u takon të pranojnë burrërisht apo shqiptarisht se gjatë rreth 11 viteve e gjysmë të qeverisjes së Edi Ramës kanë djegur jo vetëm atë individualisht dhe si ekip politik dhe qeveritar, por edhe të gjithë “të majtën” si dhe copat e saj tek “e djathta”, opozita, “shoqëria civile”...!? Mjafton për bindje të plotë vetëm një fakt apo shifër. Shqipëria 2024, edhe sipas censusit 2023, ishte rreth 1 milionë banorë më pak, kryesisht të moshave të reja... Përveç kësaj, një arsye tjetër e fortë gjendet tek “harresa” nga Edi Rama e “kamionit të madh” mbushur me premtime ekstazuese, marramendase dhe vota rrëmbyese, me të cilat erdhi në pushtet, më 23 qershor 2013 dhe rifitoi më 25 qershor 2017 dhe më 25 prill 2021. Mes këtyre premtimeve të parealizuara mund t’i kujtojmë disa, ndër më të freskëtit. Shumica e shqiptarëve që i kanë dhënë votën tri herë Edi Ramës, besuan dhe shpresuan se ai do të ishte i sinqertë dhe i suksesshëm edhe në premtimin se do të krijonte shtet ligjor të vërtetë, të fortë, funksional..., që do t’i detyronte bosët e krimit, trafiqeve, korrupsionit, të kërkonin fshehje e shpëtim nëpër “vrimat e minjve”. Por, në të kundërt, ai me dëshirën e tij apo me “rekomandime” nga bosë të krimit të organizuar shqiptar, futi plot prej tyre në parlament, në rradhët e grupit të tij të deputetëve dhe në përbërje të qeverisë, si ministra, zv.ministra, drejtorë të përgjithshëm., këshilltarë e këshilltare, sekretare e sekretarë...
Të tjerë, pa u parë “me lupë” CV e të kaluarën, i bëri kryebashkiakë, prefektë, kryekomisarë të policisë, kryedoganierë, kryetatimorë, drejtorë agjencish... Në këtë deng arsyesh që e shtyjnë Edi Ramën në “humnerën” e arkivit kryeministror, mund të vihet edhe skandali Bechetti, “kryevepër” e arrogancës dhe plotpushtetshmërisë së tij..
Pagesa e rreth 110-130 milionë euro si dëmshpërblim për biznesmenin italian, shpreh mungesë DREJTËSIE nëse kalohet lehtë nga elektorati “i majtë” e nga SPAK! Edi Ramën e ka bërë “kartë të djegur”, me duart dhe trutë e veta, edhe skandali i ish zyrtarit apo funksionarit të FBI-së, Charles McGonigal, me disa takime dhe biseda intime në Shqipëri apo në SHBA me atë apo me njerëz të tij tejet të besuar, përforcuar edhe nga disa shuma të larta në dollarë. Por, Edi Ramën e kanë “djegur” edhe 3 intervistat në SYRI TV të ish zv .kryeministrit dhe ish ministrit të financave, Arben Ahmetaj, mbush me fakte dhe indicie, sidomos në adresë të kryeministrit Edi Rama, zv.kryeministres Linda Balluku, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ministrit të brendshëm, Ervin Hoxha...!
34 vjet në politikë, “errozion” i fortë në imazh e besueshmëri edhe tek Berisha e Basha...!
Sali Berisha, ka qenë de jure rreth 25 vjet e de facto për rreth 34 vjet në krye të PD! Edhe 13 vjet në krye të qeverive dhe të presidencës së “të djathtës”! Gjatë gjithë këtyre viteve, për gabime dhe dështime të tij dhe destruktivitet, antidemokraci dhe antishqiptari të “së majtës”, nuk arriti ta përmbushte kërkesën e shumicës së demokratëve e të shqiptarëve në protestat popullore të viteve 1990- 1992, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa apo si Zvicra!
Po kështu, ai mund të quhet përgjegjësi kryesor për katandisjen e PD- së në këtë gjendje, si dhe për gabime, veprime të gabuara apo përzgjedhje të tij subjektive të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë! Plot prej këtyre, pasi i pinë si thithlopa qumësht dhe gjak “lopës PD” dhe u majmën prej saj financiarisht e politikisht, e braktisën qysh në mandatin e parë, më 1997 dhe pas 2013-tës! Por, duke i lënë në derë edhe “kopilët” dhe njollat e korrupsionit.
Për më keq, “e harruan” fare dhe pa ndjerë turp, nisën “flirtet” e pazaret me Rama-parti-qeverinë!? Në këtë stivë të lartë gabimesh të Berishës janë edhe plot të tjerë, që ia njohin mirë si kundërshtarët, ashtu edhe adhuruesit dhe mbështetësit e që nuk po i përmend, për koncizitet të shkrimit. Por, nëse do të viheshin në një peshore me stivën e sukseseve dhe të meritave, nuk mund të parathuhet me siguri e bindje të plotë se cilat do të rëndojnë më shumë. Zgjuarsia, intelektualizmi, pjekuria, përvoja, këshilltarët e mirë e të sinqertë..., nuk i kanë munguar...Atëherë: përse gaboi kaq shumë herë e nuk nxori mësime për të ardhmen, për të mos i përsëritur???? Dhe për gjithë këto gabime a nuk meriton të mbajë përgjegjësi individuale?
Po kështu, koha e gjatë si kryetar i PD-së, vegjetimi në krye të saj, apatia apo anemizmi i opozitarizmit partiak dhe qytetar, kalimi me deklarata sa për të larë gojën e për reklamë opozitarizmi, sidomos ndaj skandaleve zgjedhorë dhe korruptivë të qeverive dhe pushtetarëve socialisto-rilindas, zbulimi i lidhjeve të fshehta me Soros dhe me Rama-qeverinë; humbjet më 25 qershor 2017, më 25 prill 2021 e në zgjedhjet për pushtetin vendor; “vetëvrasja politike” e tij me Marrëveshjen e 18 majit 2017 me Edi Ramën, kanë bërë prej kohësh “kartë të djegur” edhe Lulëzim Bashën! Ai do të rifitonte plot pikë që ka humbur këto vitet e fundit, duke pasur kurajën të japë dorëheqjen nga drejtimi i copëzës së PD-së së tij, nga ambicie të tjera politike e për karrierë qeverisëse para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2025! Alternativa më e mirë për copat e PD-së do të ishte ulja në tavolinat e bisedimeve dhe kompromisi i sinqertë, demokratik mes liderëve dhe kryesive të tyre, për të pasur dhe ruajtur një PD dhe një koalicion opozitar të fortë, të afta të rrëzojnë më 11 maj 2025 apo më herët Edi Ramën me qeverinë e tij!
Ky objektiv madhor, së pari në të mirë të Shqipërisë, shqiptarëve, Kombit kërkon spastrimin e PD-së e të partive të tjera të opozitës nga "kuaj dhe pela Troje, Blloku, Ramiz Alije, Sorosi, Edi Rame", nga "mishëra të huaj", misionarë, pseudonimsa, gjuetarë postesh, nga “karta të djegura”...! Në të kundërt me prapaskenat dhe intrigat për interesa meskine individuale, grupimesh apo klanesh, me sherret dhe debatet plot nervozizëm dhe agresivitet, me përpjekjet diversioniste për t’i rrëmbyer njeri-tjetrit sa më shumë anëtarë, mbështetës dhe vota, mund të ishin më të frytshëm e më të vlefshëm bisedimet me gjakftohtësi, me tolerancë, lëshime apo tërheqje reciproke, kompromiset dhe harmonizimet e qëndrimeve...
Edhe pa bërë marrëveshje e pazare "të pista" për kryetarllëk, deputetllëk, poste...! Pas një debati kurajoz dhe thellësisht demokratik, analize të thellë, të sinqertë, transparente, objektive, pas njohjes dhe pranimit të gabimeve dhe përgjegjësive nga kryesitë e spastruara e të rinovuara të të gjitha palëve, mund të mendohej dhe punohej urgjentisht për një kuvend unifikimi, ndoshta aty nga mesi i muajit mars. Në këtë kuvend kompromisi e konsensusi, me dëshirën dhe qëllimin për të shmangur humbjen e katërt rradhazi të PD-opozitës e fitoren e mandatit të katërt nga Edi Rama, mund bëheshin edhe zgjedhjet e reja për kryesinë e re e për kryetarin e ri! Në shenjë mirënjohjeje për kontributin 34 vjeçar në drejtimin e PD-së, të shtetit dhe qeverive gjatë mandateve qeverisës të saj, si dhe për “ringjalljen” e saj pas rreth disa viteve në gjendje kome, gjykoj se do të kishte më shumë dobi se sa dëme, nëse Sali Berisha mund të zgjidhej Kryetar Nderi i përjetshëm, por, duke i udhëhequr PD dhe koalicionin opozitar deri në zgjedhjet e 11 majit...
Përse jo, edhe të shtyra deri në fillim tetor 2025. Edhe për të shmangur masakrat “tradicionale” në listat dhe kutitë e votimit, me kulme në këta 10 vitet e fundit, edhe në mos për t’i për të zëvendësuar, për t’i PAVARËSUAR dy “leva” të kryeministrit, Ilirian Celibashin dhe presidentin Bajram Bagaj, që për arsye të lehtëkuptueshme, mund t’i legalizojnë sy e gojëmbyllur këto gjëma elektorale. Ky sakrifikim apo vetësakrifikim i Berishës, përfshirë edhe tërheqien nga pretendimi, de jure e de facto, si kryeministër pas zgjedhjeve të ardhshme, në rast fitoreje të opozitës, mund të bëhet edhe si një “lëvizje diplomatike”, taktike dhe pragmatiste ndaj nongratizimit të tij, edhe pse jo bindës e akoma të paargumentuar publikisht e juridikisht nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe deri më sot, pa siguri për heqjen nga Trump, idealja edhe disa ditë para zgjedhjeve të 11 majit! Por, edhe për të mos “trembur” edhe një kontigjent votuesish “të pavarur”, natyrisht sipas standardit alla shqiptar të pavarësisë politike e partiake. Jam i bindur edhe se Berisha nuk mendon si Edi Rama se si ai, kryetar dhe kryeministër më të mirë në botë e jo më në Shqipëri, "nuk ka bërë nëna!"
Cilët mund ti zëvendësojnë Edi Ramën dhe Sali Berishën?
Logjikshëm, nga shumëkush mund të shtrohet pyetja: cili apo cila do t’i zëvendësojnë Edi Ramën dhe Sali Berishën si kandidat për kryeministër, nëse partitë dhe koalicionet e tyre fitojnë në zgjedhjet e 11 majit 2025? Pra, nëse, për shkak “të djegies së plotë” të tyre, nuk zbatohet rregulli, më shumë i imponuar prej tyre, që fituesi bëhet edhe kryeministër...?
Kështu "kujtohet" edhe një gabim apo faj tjetër i të dyve! Fjala është tek "harresa" e tyre për të pasur në kryesi e në qeverisje, sidomos me mplakjen e tyre të pashmangshme e me “pensionimin e parakohshëm” për gabimet dhe dështimet, zëvendësues të denjë, pse jo edhe më të mirë se ata, për kryetar partie dhe qeverie! Pavarësisht, këtij fakti, jam i bindur se edhe në majat e piramidave të PD- së e të PS-së nuk do të jetë fort e vështirë të gjenden pasardhës të aftë e të suksesshëm të Sali Berishës e të Edi Ramës në të dy postet! Nënkuptueshëm: jo nga "kartat e mykura apo ndryshkura", të konsumuara e të djegura me kohë dhe më shumë nga vetvetet...se sa nga betejat dhe “heroizmat”..! Por, në këtë opinion, jam i mendimit se qeveria e ardhshme të mos krijohet nga figura partiake brenda piramidave PS dhe PD. Gjykoj se vendi dhe gjendja kritike në të cilën ndodhet ai kërkon braktisjen e traditës 80 vjeçare.
Pra, qeveria e pas zgjedhjeve të reja të krijohet me ekspertë elitarë nga vendi dhe diaspora! Mbi të gjitha pa anime dhe angazhime të deklaruara e pa tesera partiake, pa lidhje familjare e klanore me liderët e partive kryesore. Por, më e mira, edhe në moshat 40-60 vjeç, me diploma dhe doktoratura nga universitetet prestigjioze në SHBA, Francë, Britani të Madhe, Gjermani, Austri, Zvicër, Itali..., në vendet e ulëta dhe ato nordike, e tj. Kam bindjen se nga ky kontingjent jo i pakët, nuk kërkon lodhje fizike e mendore për të gjetur 15-16 vetë për të krijuar qeverinë e pas 11 majit 2025! Nga shumëkush, sidomos nga dy partitë kryesore, mund të shtrohet me shqetësim pyetja: si mund të funksionojë kjo qeveri pa pasur kontrollin(tutelën) e partive që do të dalin fituese në zgjedhjet e 11 majit 2025? Përgjigja nuk kërkon vramendje: duke u monitoruar dhe analizuar për nga punët dhe veprat së pari nga komisionet parlamentare. Pastaj, nga vetë qytetarët, shoqëria civile, mediat...!
Nëse Berisha, Basha, Alibej, Shehaj, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Dash Shehu, Ekrem Spahiu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule...; Edi Rama me disa shoqe e shokë socialistë, me përfolje dhe akuza të faktuara të shumta,, nuk ndjekin shembullin pozitiv të Agron Dukës, për t'ua lënë vendet më të rinjve, më të pa konsumuarve, më të aftëve, më njerëzorëve, më shqiptarëve, më evropianoperëndimorëve...se ata, arrijnë të mbeten gjatë në kryesitë e reja të partive të tyre si dhe të futen në Parlamentin e ri e në qeverinë e re, të pas zgjedhjeve të reja, më 11 maj apo në fillim tetor, kam parandjenjën se gëzohemi kot sot e do të zhgënjehemi nesër apo pasnesër tepër fort...!