Hajni edhe me fe, edhe me ligj dënohet, e hajnia është e ndaluar.
Fatkeqësisht në Kosovë hajnia për 20 vjet ishte shndërruar në industri përfitimi për pushtetarët dhe ata të "nëntokës" që i komandonin këta mbi tokë.
Kështu, pasuria kombëtare u "litizua" në duar e disa njerëzve "të fortë" e që ishin mbi ligjin dhe mbi çdo normë shtetërore. Pavarësisht se cilës parti i përkisnin, interesat i kishin të përbashkëta; tenderet, zhvatjen, kontrollin ndaj drejtësisë dhe "selamin" kujdo që guxonte t'u prishte tymin, ishin pjesë e ligjeve të pashkruara të vendosura nga ata.
Shteti u ngulfat, po jepte shpirt deri me 14 shkurt 2021 kur dolën në opozitë. Pas katër vjet pa pushtet, si peshku pa ujë po " vdesin" nga mungesa e hajnisë. Andaj janë tërbuar, s’mund të imagjinojnë edhe katër të tjera pa "oksigjenin e tenderave", po përdorin çdo mjet për të mashtruar popullin që t'i votojnë prap pasi "edhe këta po vjedhin".
Ky narracion sa i tmerrshëm është edhe aq pa vizion në sensin që nuk ofron alternativën e dëshiruar nga qytetarët. Humbja e privilegjeve nga ata që janë mësuar me luks i ka tërbuar, ky tërbim ka shkaktuar mllef deri edhe në "kërcënime" ndaj kujdo që mendon ndryshe. Qytetarët s’do e kenë të vështirë të zgjedhin kë do e votojnë, mes atyre që kanë vjedh dhe atyre që luftojnë këtë fenomen, pavarësisht gabimeve eventuale që mund të dalin rrugës. E nesermja është ditë e rëndësishme se nga ku qytetarët vendosin të shkojnë, të ecin tutje apo të kthehen në të kaluarën.