Fitorja e VV-së në Kosovë, raportet me RMV-në dhe ndërkombëtarët

Opinione

Fitorja e VV-së në Kosovë, raportet me RMV-në dhe ndërkombëtarët

Nga: Amir Shabani Më: 10 shkurt 2025 Në ora: 13:59
Amir Shabani

Zgjedhjet parlamentare të realizuara në Republikën e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën e lartë demokratike të qytetarëve dhe vetëdijen e tyre për premtimet e dhëna dhe përqindjen e realizimit të tyre nga pushteti.

Rreth 88.04% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Albin Kurti fitoi 41.29% të votave në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Në vend të dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.83% dhe në vendin e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.75%. Koalicioni AAK-NISMA ka 7.68% të votave, ndërsa Lista Serbe 3.96% – tregojnë të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë.

Këto zgjedhje janë ndjekur edhe nga shqiptarët e vendeve fqinje të Kosovës, ndër to edhe nga Maqedonia e Veriut ku pritet të ketë ndikim përkatës në marrëdhëniet e mëtejshme bilaterale mes dy vendeve. Koalicioni shqiptar në qeverinë e RMV-së, VLEN e ka përkrahur publikisht Vetëvendosjen gjatë gjithë kohës dhe anasjelltas, kjo duke u demonstruar edhe me praninë e zyrtarëve të lartë shtetërorë në tubimet e tyre.

Nga kjo rrjedhimisht kuptohet se ata që do ta formojnë qeverinë e re në Kosovë do të kenë shumë ndikim në marrëdhëniet e mëtejshme mes Shkupit dhe Prishtinës zyrtare. Pra, formimi zyrtar i qeverisë nga Kurti, nënkupton se do të vazhdojnë marrëdhëniet e mira me përmirësim të mëtutjeshëm, pikërisht si rezultat i marrëdhënieve të mira mes VLEN-it dhe Vetëvendosjes, por edhe kryeministrave të dy vendeve, Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti.

Kosova dhe i tërë Ballkani Perëndimor, me pengesa nga Serbia, janë drejt rrugës së anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO, si dhe partneritet strategjik me SHBA-të, andaj faktori ndërkombëtar duhet ta bëjë të qartë njëherë e përgjithmonë se shteti i vetëm destabilizues dhe inicues i agresioneve dhe ndikimeve ruse është Serbia. Vuçiqi është ai i cili dështoi në nënshkrimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Brukseli tani duhet qenë më vigjilent dhe të shoh qartë se kush është problemi kyç në rajon.

Ndonëse qeveria Kurti ka hasur në vërejtje dhe kritika nga SHBA-të, kjo nuk nënkupton prishjen e marrëdhënieve diplomatike dhe miqësore, duke pasur parasysh se SHBA-ja kontribuoi ndjeshëm në pavarësinë e Kosovës. Pasiqë filozofia e kryeministrit Albin Kurti nuk është në servilizimin ndaj ndërkombëtarëve, por partneritet dhe normalitet, si dhe krijimin e një shteti funksional, e jo shtet i mbajtur në këmbë çdoherë nga të tjerët.

Kryministrin Albin Kurti e kanë akuzuar edhe për pezullimin e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës, mirëpo kur etja për diçka (në këtë rast njohja) është shumë e madhe, atëherë me automatizëm do të të merret diçka shumë më e madhe vetëm për ca njohje. Rast i tillë ka ndodhur me BeH, ku boshnjakët e konsideruan mjaftë të rëndësishme njohjen ndërkombëtare dhe nga kjo etje e pranuan edhe Republikën Serbe brenda shtetit.

Kështuqë, Beogradi zyrtar në strategjinë e vet diplomatike ka përdorur të njejtën narativë duke aluduar se edhe shqiptarët e Kosovës bashkë me lidershipin e tyre janë të njejtë, se sakrifikojnë gjithçka për njohje ndërkombëtare dhe se nuk e kanë dert substancën shtetërore. Por Qeveria Kurti nuk ishte ashtu, ai nuk do pranonte as ulëse në OKB nëse do t'i krijohej një Republika Srpska brenda Kosovës. Albin Kurti beson se funksionimi i brendshëm shtetëror, integriteti territorial dhe sovraniteti janë shumë më të rëndësishme sesa njohjet ndërkombëtare (ndonjëherë edhe vetëm njohje në letër), duke zbatuar ligjin dhe kushtetutën e republikës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat