Në Kosovë dje fituan demokracia dhe LVV, ndërsa humbën armiqtë e saj të jashtëm dhe bashkëpunëtorët e tyre brenda Kosovës

Opinione

Në Kosovë dje fituan demokracia dhe LVV, ndërsa humbën armiqtë e saj të jashtëm dhe bashkëpunëtorët e tyre brenda Kosovës

Nga: Ejup Berisha Më: 10 shkurt 2025 Në ora: 16:34
Autori Ejup Berisha

Përkundër të gjitha analizave, interpretimeve dhe opinioneve tendencioze dhe dashakeqe në opinion, ekziston një e vërtetë absolute, dhe ajo është se në Kosovë, në zgjedhjet e djeshme parlamentare, kanë fituar qytetarët e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Ndërsa humbës janë armiqtë e Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tyre brenda territorit të vendit. Përsëris, ky është realiteti dhe kjo është e vërteta absolute. Jashtë kësaj, në sipërfaqe dalin tendencat për gënjeshtra, intriga, manipulime dhe shtrembërime të realitetit dhe të fakteve për interesa të ngushta politiko-partiake dhe për interesa të elementeve armiqësore të shteteve të jashtme, të pranishme në forma dhe në mënyra të ndryshme në territorin e RKS-së. Këtu fjalën e kam jo vetëm për tendencat, por edhe për ndikimin faktik në punët e brendshme të Kosovës nga dy shtete si Rusia dhe Serbia. Ky ndikim dhe përzierje nga ana e tyre janë jo vetëm evidente, por edhe shumë të realta në Kosovë.

Fatkeqësisht, këto dy shtete me strukturat dhe shërbimet e tyre intelegjente janë mjaft prezente këmbëkryq në Kosovë. Edhe pse pas luftës së fundit, e shkaktuar nga Serbia, është dashur të bëhen përpjekje dhe aktivitete konkrete dhe reale për eliminimin e ndikimit të Rusisë dhe Serbisë, ose, nëse nuk ka pasur sukses, të paktën për zvogëlimin maksimal të këtij ndikimi brenda vendit. Mirëpo, si duket, kjo nuk është bërë siç duhet, dhe prandaj kemi përzierje dhe ndikim faktik ruso-serb brenda Kosovës. Dhe tani, pas më shumë se trembëdhjetë vitesh të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, dalin në pah fakte dhe realitete se shërbime dhe struktura të shteteve të jashtme janë mjaft aktive në territorin e RKS-së. Dhe aty, këto shtete i kanë gjetur edhe argatët ose bashkëpunëtorët e tyre. Këto janë struktura të caktuara politike, shtëpi mediatike, analistë, opinionistë, madje edhe disa intelektualë.

Si duket, Rusia dhe Serbia këto subjekte dhe elemente bashkëpunëtorësh në Kosovë i kanë joshur dhe po i joshin me para dhe me resurse të ndryshme materiale dhe jomateriale. Ndërsa sa i përket punëve të brendshme të Kosovës, strukturat politike e duhet të organizojnë zgjedhje për vete, e jo për dikë tjetër. Më tej, qytetarët e Kosovës duhet të dalin dhe të votojnë për t’i zgjedhur në mënyrë të lirë e të pavarur përfaqësuesit e tyre politikë, të cilët do t’u shërbejnë atyre dhe institucioneve të Republikës, dhe askujt tjetër. Apo, shkurt, shqip e qartë: Kosova duhet të mbajë zgjedhje për të kënaqur nevojat e veta, e jo nevojat dhe apetitet e shteteve të huaja që janë armiqësore ndaj saj. Kosova duhet të mbajë zgjedhje në kushte të ndikimit të minimizuar, ose të bëjë përpjekje për eliminimin e ndikimit të shteteve të jashtme dhe strukturave të tyre.

Gjithashtu, ët duhet të votojnë për kënaqësinë e tyre dhe për inat të Rusisë e Serbisë dhe establishementeve të tyre politike, policore dhe ushtarake, të cilat jo vetëm që duan të ndikojnë, por është e dukshme se kanë ndikuar dhe po ndikojnë në punët e brendshme të Kosovës, bile edhe në zgjedhjet e djeshme. Opinioni në Kosovë, fatkeqësisht, është polarizuar në dy blloqe: në ata që votojnë pa ndikime nga Rusia e Serbia dhe në ata që i janë nënshtruar në mënyrë aktive këtij ndikimi. Me këtë, një pjesë e shoqërisë e, me vetëdije, me qëllim dhe me tendenca, është duke i rrezikuar lirinë e fituar me gjak e sakrifica, sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke luajtur rolin e argatëve të djallit.

E këta, me këto sjellje të papërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme, janë duke i sjellë në pikëpyetje edhe vlerat kombëtare shqiptare. Kjo qasje dhe sjellje tendencioze dhe negative e një pjese të shoqërisë e është e papranueshme dhe e patolerueshme. Për interesa të ngushta personale dhe grupore, nuk guxon të rrezikohen e tashmja dhe e ardhmja e Republikës dhe e qytetarëve të saj. Mbushuni mend, o njerëz, se nuk e keni në rregull!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat