Parashikimet e para të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare janë të ndryshme, mirëpo e përbashkëta e tyre është se fituesi dhe humbësi janë të njohur. Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku mund të mburren me rezultatin, derisa Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj janë humbësit. Pavarësisht rënies së vogël, Albin Kurti është fitues i këtyre zgjedhjeve dhe, me shumë mundësi, i vetëm, me minoritetet joserbe, do ta formojë qeverinë e re. Ky rezultat është produkt i qeverisjes 4-vjeçare, derisa opozita, konkretisht PDK dhe AAK, morën dënimin e merituar nga votuesit.
Nëse sadopak do të ketë moral politik, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj duhet të japin dorëheqje pas debaklit të pësuar. Këto zgjedhje u manifestuan me kulturë të lartë qytetare, ndonëse me një rezultat që lë hapësira të ndryshme për interpretim. Megjithatë, liderët politikë duhet të marrin përgjegjësi për këtë rezultat. Duhet pritur ende rezultati përfundimtar nga KQZ, megjithë projeksionet që tregojnë se VV është shumë përpara të tjerëve.
Opozita, që ishte e sigurt në fitore, mori ndëshkimin e merituar pasi për 4 vjet nuk ka arritur të reformohet. Andaj, qytetarët e ndëshkuan edhe një herë, njësoj si në vitin 2021. Ky rezultat duhet të lexohet dhe pranohet me përgjegjësi nga të gjithë, me Memlin dhe Ramushin që duhet të largohen përfundimisht nga politika. Sovrani e dha fjalën e tij, tani u mbetet politikaneve të formojnë qeverinë sa më shpejtë; opozita të reformohet, sepse në të kundërtën, ky rezultat do ta ketë edhe pas katër vitesh.