Akoma më ka ngelur e fiksuar në mendje shprehja e ish - udhëheqësit komunist, Ramiz Alia, “shkelim në rrugë të pashkelura”, që përdorej si mjet represiv i atij regjimi, me qëllim që njerëzit të pranonin “shtrëngimin e rripit”, apo “të hanin edhe bar” vetëm që ideali (në fakt ideologjia komuniste), të mbijetonte e të triumfonte. Ndoshta Ramizi, ishte shprehësi më i drejtpërdrejtë i kësaj, por e tillë ishte edhe mendësia e partisë sunduese dhe klasës së saj drejtuese, që përfaqësonte vetëm veten, pasi pretendonin se vendin e kishin futur në të ashtuquajturën fazë të ndërtimit të plotë të shoqërisë socialiste, ku mungonte çdo përvojë e mëparshme, e ku kontributi jonë (i tyre) ishte origjinal. Nuk dua të zgjatem më tej në këtë aspekt, pasi njerëzit e kanë akoma të freskët kujtesën se sa “origjinal” ishte ky kontribut. Do të duhej të shfrytëzoheshe në punë si kafshë edhe me pak bukë, të zëvendësoje makineritë e munguara e me zor të nxirrje bukën e fëmijëve, do përfundoje në burg edhe për një fjalë ndryshe, thjesht të menduar, apo të atribuar, se po e fole…, do të punoje tokën në vend të traktorit e qeve, ndonëse nuk e prodhonte as farën, se ndryshe… ishe sabotator. Le të ishe talent i rrallë, apo i shkelqyer në mësime, por do studjoje aty “ku kishte nevojë atdheu”, e sa të tjera xhevahire që e shndërruan një popull të tërë në kavie eksperimentale të modelit komunist. Të pa përgatitur për vetvendosje e të pa pjekur aspak si shoqëri demokratike, të njejtin slogan, por tash në shërbim të qëllimeve të tjera, gjasmë demokratike, aplikuam e po aplikojmë edhe sot e kësaj dite, veçse tash i paraqesin si “lëkurën e ujkut” varur mbi trinë, fantazma aspak reale, si ajo e rrezikut komunist etj.
Forcat politike kryesore që kanë alternuar pushtetin gjatë këtyre tridhjetë e pesë viteve, më së shumti janë kujdesur që përmes mekanizmave të dyshimta, apo “kinezërive” politiko - administrative, t’a ruajnë pushtetin për vete, duke përjashtuar kategorikisht mundësinë e hyrjes në sistem të partive dhe elementëve të rinj, që do të orientonin permes programit të tyre një gamë më të gjërë pikëpamjesh e mundësishë konkuruese për alternimin e forcës, apo forcave në pushtet. Kur kjo është dukur thuajse e pamundur, nuk kanë munguar xhonglimet e marrëveshjet politike nën rrogoz, mes PD e PS. Kurrë këto forca nuk e orientuan vendin drejt një kodi zgjedhor që t’a pasqyronte saktësisht vullnetin e votuesit dhe për të patur një votë me të njejtën peshë, pavarësisht vendit ku voton qytetari, madje u shpikën “Dushku” e “mega Dushku” e të tjera “kinezërira” që i japin votës vlerë të dyfishtë, e jo të barabartë. Njejtë vazhdon edhe sot, kodi zgjedhor nuk mundëson barazinë e votës, pasi në qarqe të caktuara duhen 20 mijë vota për një mandat, e diku tjetër rreth 7 mijë, se një parti merr një mandat plus me 3 - 5 mijë vota, e një tjetër nuk e fiton atë as me 20 mijë! Prapë “ecim në rrugë të pashkelura”, ndonëse bota i ka gjetur dhe i ka funksionale prej dekadash e shekujsh mekanizmat e duhura demokratike që prodhojnë besueshmëri e stabilitet, duke mos angazhuar energji, para e mjete të shumta për zgjidhjen e krizave shoqërore, por duke i parandaluar ato. Shpikje apo “kinezërira” bëjmë (bëjnë, se ne s’kemi patur, as kemi gjë në dorë, veç fjalës!) edhe me administrimin e votës. Sistemi politik dypartiak i administrimit ka rezultuar dështimi më i madh deri më sot. Secili për hesap të vet manipulon në kurriz të partive të përjashtuara ligjërisht nga administrimi, rezultati i zgjedhjeve vonohet tmerrësisht, deformohet e bëhet shkak për tensione shoqërore e konflikte permanente politike. S’duan t’ia dinë fare, mjafton rezultati PD ose PS dhe kaq! Pse nuk ecet drejt administrimit “të ftohtë” të rezultateve zgjedhore me anë të mjeteve teknologjike, apo përmes numërimeve nga trupa apolitike, të cilat të mbajnë përgjegjësi të rëndë ligjore për deformimin e mundshëm të procesit? Sa zor e kemi të veprojmë të paktën si Kosova jonë, një shtet i ri e me njëmijë halle, që na jep falas leksione demokracie?! Atje, pa kaluar as 24 orë nga mbyllja e votimeve, kemi një rezultat zgjedhor pothuajse përfundimtar, partitë politike e pranojnë rezultatin dhe pretendojnë mundësinë e qeverisjes vendit sipas ligjit, pa patur SPAK e “speciale”, e me pak vite përvojë shtetformimi. Policia arreston një ministër në detyrë e askush nuk i del në mbrojtje atij, as nuk turret kundër prokurorisë me fjalor rrugaçëror, siç ndodh rëndom në vendin tone.
Pse kjo gjendje tek ne dhe akoma askush nuk e ve gishtin aty ku dhemb plaga? Unë mendoj se ky sistem duhet shkatërruar, sepse fjala reformim s’ka më kuptim për të. Ç’na duhen 140 deputetë, shumica kukulla kriminale në kuvend, kur vendi po shkretohet dita – ditës dhe ata nuk përfaqësojnë thuajse askënd? Gjysma janë mjaftueshëm, e ata duhet të zgjidhen me sistem proporcional kombëtar me lista 100% të hapura, ku kryetarët e partive të kenë kompetenca në zgjedhje fare pak, e ku vota të përkthehet proporcionalisht në mandate, duke marr praktikisht të njejtën vlerë, pavarësisht nga kush jepet e ku ushtrohet e drejta e saj. Pse akoma mbajmë një administratë shtetërore aq të fryrë, aq burokratike, totalisht të korruptuar e në shumicën e rasteve të paaftë, që konsiderohet nga populli, as më pak e as më shume, por si “mish i huaj”, parazitë që pinë gjakun e tij, në vend që të mbajmë vetëm pak e sak? Sapo bëhet një shkurtim diku, hapet një portë tjetër shkarpë që e shton “pa u ndie” numrin e tyre, kryesisht kjo në prag zgjedhjesh. Edhe sot, në vitin 2025, kemi drejtorë rajonal që as arsimin e mesëm nuk e kanë të përfunduar (të larta kanë nga dy e nga tri diploma!), që nuk e kanë idenë se pse është, e për çfarë na duhet shteti, përveçse të vjedhin para, të blejnë e vjedhin vota e të përçmojnë e nënçmojnë këdo që s’është si ata. Pse administrata jonë, edhe kjo e niveleve të mesme e të ulta zbatuese, ka kaq zor të zbresë nga makina shtetërore me xhama e perde të zeza, kur në botën demokratike edhe presidenti mban radhën, udhëton me këmbë, diku edhe me mjetet e transportit publik, e përdor makinën personale jashtë orarit të punës, takojnë njerëzit e japin zgjidhje halleve të tyre duke ua lehtësuar ligjërisht zgjidhjen, ndërsa në administratën tonë, një me nder drejtor alifmatrak të bën varrin!
Prap Kosova është shembull e kjo mua më gëzon për ata, por më bën helm për këta “kapadaitë” tanë të çdo niveli. Bëj pjesë ndër ata që s’kam ndonjë konsideratë kushedi se çfarë për Albin Kurtin, por i ndodhur rastësisht diku në Kosovë edhe unë munda t’i jap dorën, pa patur asnjë njohje, ndërsa kur kalon Kryeminstri ynë policët të shkatërrojnë nervat me bilbila, makina, këmbë e dorë, kurse shoqëruesit e shumtë nuk të lënë as t’i hedhësh sytë, jo më t’a takosh, apo t’a nderosh përfaqësuesin e shtetit tënd. Kur këto ditë po kalonte një ministër apo edhe kryeministri në rrugë, polici rrugorë gati shkaktoi skandal e përplasje në trafik, a thua bëhej nami të merrej më me qetësi situata, e secili të vazhdonte në rrugën e tij. Po ashtu, as për Osmanin s’kam ndonjë konsideratë kushedi, por t’a shohësh atë të shkojë në radhë me popullin për të votuar, apo kur në mes të procesit bën thirrje për kujdes në administrimin e votës, apo kur mban qëndrime të pjekura për zhvillimet në vend e ato ndërkombëtare, respekti të krijohet vetvetiu. Po kryetarët e partive politike kosovare, që gjithë fushatën qenë kundërshtarë të matur ndaj njëri - tjetrit në përpjekjet për të marrë sa më shumë vota, a mund t’i krahasojmë me sharjet e këndejshme, sidomos ato të tipit Berisha - Meta, e ku nuk ngelet pas as vetë z. Rama, bile as të ashtuquajturat parti të reja, fjalimet e të cilëve konkurojnë fjalorin më rrugaçëror, e tejkalojnë me akuza edhe fantazinë më të sëmurë. Po nuk janë këto të vetmet kinezërira!
Një ligj prodhohet për të normuar një marrëdhënie të rëndësishme shoqërore dhe si i tillë, ai duhet të jetë i shprehur qartë, shkurt e pa mëdyshje, i kuptueshëm për njerëz të nivelit mesatarë. Por ç’ndodh? Mund të them se jo vetëm ligjet, por edhe aktet nënligjore, ngjajnë me romane të stërgjatura, shkruar në gjuhë të huaj ose përkthyer keq, duke u bërë vërtetë “kinezërira”. Këtu pastaj, në këtë xhungël, “vallëzon” polici që as emrin e vet s’di t’a shkruaj, lundron pushtetari me autoritetin e prapanicës (karriges), luan prokurori e gjyqtari. Kjo, jo se nuk dinë t’i bëjnë ligjet ashtu siç duhet, por se nuk duan! Nuk duan se kështu ju pëlqen atyre, me synim që injorantët të sundojnë gjatë. Thuhet se kapitalizmi është i thjeshtë dhe i kuptueshëm, por a jemi në kapitalizëm ne? Nuk besoj! Akoma jemi duke ecur “në udhë të pashkelura” ku ata që duhet të na prijnë duke na ndriçuar udhën, janë pikërisht ata që na fusin thellë e më thellë në “xhunglën” që kanë ngritur vetë, me qëllim që sa të vërtitemi ne në “vendnumëro”, ata të numërojnë mandate, para e pasuri, madje të sigurojnë edhe ndonjë azil politik në Zvicërr apo gjetkë, e pastaj… rroftë Evropa! Ja pra një tjetër kinezëri mashtruese tash tridhjetë e pesë vite. E them me bindje se këto “kinezërira” allashqiptarçe, as kinezë të mirë s’na bëjnë, se evropianë jo e jo! I ndodhur në Kinë këtu e 25 vite më parë, akoma ruaj përshtypjen se ne as nuk mund t’u afrohemi atyre dhe pse xhonglojmë veten e njëri - tjetrin me “kinezërira” të tilla pa fund.
Bota duhet të jetë e thjeshtë. Pse e ndërlikojmë ne atë? Përvoja pozitive dhe efektive gjenden kudo, qoftë edhe në traditën popullore vetqeverisëse, por ne “shohim larg” se duam t’a bëjmë ushtrimin sa më të vështirë, me qëllim që të mbretërojnë horrat e horllëku. Pa stabilizuar kollonat, ndërtesa s’mund të jetë e qëndrueshme dhe e besueshme. Bëjeni deputetin të shihet si model ndershmërie, qytetarie e zgjuarsie, jo objekt batutash popullore, që të kemi Kuvend të respektueshëm, bëjeni pushtetarin e çdo rangu të shquhet si njeri i shërbimit, jo kapadai e fodull kokëbosh, luftëtar i zgjidhjeve, jo i ndërlikimeve, njeri i thjeshtë që detyrën e ka të shejtë, jo hajdut me trastë, që njerëzit të besojnë në shtetin e tyre. Bëjeni atë të shihet si lehtësues i problemeve të njerëzve, jo barrë mbi barrët e halleve të tyre. Fitoni autoritet duke shërbyer, jo duke u hakërryer!
Një ditë kjo “tufa e deleve” që e mashtroni tash tri dekada e gjysëm, do të zgjohet… ndoshta deri atëherë do t’i kenë dalë “edhe brirët”, por turmës kur i del jermi vepron dhunshëm. Mos e lejoni veten e vendin të shkojë deri në këtë shkallë.
Sot është vonë… nesër kot!