A është më mirë një qeverisje e përkohshme e Kurtit, apo dalja e tij në opozitë?!

Opinione

A është më mirë një qeverisje e përkohshme e Kurtit, apo dalja e tij në opozitë?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 12 shkurt 2025 Në ora: 11:29
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti festoi fitoren e zgjedhjeve të 9 shkurtit bashkë me qytetarë të shumtë në Prishtinë

Zgjedhjet në Kosovë përfunduan. Rezultatet e tyre konfirmojnë Vetëvendosjen si partinë politike më të preferuar për të formuar qeverinë. Ajo ka fituar më shumë vota sesa dy partitë politike të vendit të dytë dhe të tretë. Dhe me numërimin e votave të diasporës mund të ndodhë që të ketë po aq vota sa të tri partitë politike parlamentare shqiptare në opozitë. Kjo do të thotë se partia e zotit Kurti ka të drejtën morale dhe legjitimitetin e plotë ta krijojë qeverinë e re. Gjithashtu edhe kalkulimet për ta realizuar këtë dëshmojnë se kryeministri aktual i ka të gjitha mundësitë ta bëjë këtë.

Megjithatë duket se për krijimin e një qeverie të ardhshme zotit Kurti do t’i duhen jo vetëm 11 votat e minoriteteve, përveç Listës Srpska. Do t’i duhen pak më shumë se kaq. Ndoshta diaspora ka votuar në përqindje të lartë për Vetëvendosjen dhe Kurti do ta ketë mundësinë të krijojë qeverinë me votat që përmenda më lart. Por në çdo rast do të duhet të kuptojmë se koalicioni qeverisës është i paqëndrueshëm. Me një ose dy deputetë më shumë sesa numri 60 ekziston gjithnjë një rrezik krize qeveritare, shenjë kjo se zgjedhjet e parakohshme do jenë aty.

Nga rezultati zgjedhor mundet që koalicioni PDK-LDK-AAK-Lista Srpska të keno 60 dhe Kurti+minoritetet e tjera po ashtu 60 deputetë. Pra që asnjëra palë të mos ketë mundësinë e krijimit të qeverisë për shkak të mungesës së mazhorancës. Megjithatë kjo është një llogari mundësish. Klasike është që qeveria e re me zotin Kurtin të krijohet përmes një koalicioni me një prej tri partive shqiptare parlamentare. Unë e përjashtoj një koalicion të VV dhe LDK-së. Së paku për momentin kjo është e pamundur për shumë arsye. Kësisoj që PDK dhe AAK janë dy subjektet politike më të mundshme për të marrë pjesë në qeverisjen e ardhshme. Dhe secila prej këtyre dy subjekteve do ta kishte kusht të panegociueshëm pozicionin e presidentit të Republikës. Por zgjedhja e presidentit kërkon praninë në sallë të 2/3 e deputetëve, që do të thotë se AAK-ja nuk mund ta plotësojë këtë kusht!

Nëse kemi parasysh eksperiencën e qeverisjes në Kosovë nga viti 2008 e këtej, atëherë mësojmë se asnjë qeveri nuk e ka realizuar një mandat të plotë. Shumica e krizave ka ardhur për shkak se partia në koalicion, sapo ka realizuar kërkesën kryesore të saj, ka shkaktuar krizën e radhës në qeveri e për pasojë kanë ardhur zgjedhjet e parakohshme. Nëse sot Vetëvendosja e Albin Kurtit do të bëjë koalicion me Memli Krasniqin, atëherë të gjitha gjasat janë që pas një viti, kur presidenti i ri merr detyrën, PDK do të dale nga koalicioni dhe do të shkaktojë krizën e qeverisjes. Pra ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ka shumë prej atyre që thonë se asnjëra prej partive shqiptare nuk bën koalicion me zotin Kurti. Por kjo nuk është e vërtetë. Nëse zoti Kurti do t’ia garantonte postin e presidentit, Haradinaj me bizhama do të shkonte për t’i thënë se “Për hir të interesit të Kosovës AAK është e gatshme të bashkëpunojë me Albin Kurtin” dhe se “Akuzat kundër Kurtit për spiun serb, ishin për efekt fushate elektorale”! Por pas një viti sërishmi do t’i kthehet Albinit me akuzat e mëparshme. Kjo do të ndodhë edhe me Partinë Demokratike të Kosovës.

Në këto kushte Vetëvendosja dhe Albin Kurti duket se nuk kanë shanse të mëdha për të krijuar një qeveri të qëndrueshme dhe me autoritet të plotë për t’i çuar përpara pa vështirësi politikat e sigurisë dhe të forcimit të shtetësisë e të sovranitetit territorial në Kosovë. Kushtëzimet që do t’i bëhen Kosovës edhe në të ardhmen për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë do të shtohen, gjithnjë në dëm të lirisë dhe integritetiti institucional dhe territorial të saj. Kurti nuk do t’i ketë numrat për të marrë vendimet që do të dëshironte vetë. Ndaj dhe është më mire të dale që sot në opozitë dhe të deklarojë se nuk është i gatshëm ta formojë qeverinë e ardhshme. Partitë shqiptare në opozitën e sotme nuk do të kishin asnjë shans për ta krijuar këtë qeveri, për shkak të konflikteve midis partive opozitare. Dhe kësisoj Kosova do të shkojë sërishmi në zgjedhje të reja.

Zgjedhjet e reja do të çonin te elektorati mesazhin se Kosova ka nevojë për një qeverisje të qëndrueshme dhe domosdoshmërinë e një vote që realizon stabilitetin politik të vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat