Çfarë ndodhi me faqen e KQZ-së, a u manipuluan votat?!

Opinione

Çfarë ndodhi me faqen e KQZ-së, a u manipuluan votat?!

Nga: Faton Mehmeti Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 14:30
Autori Faton Mehmeti

Pas mbarimit të votimit, gjatë numërimit u shfaqën probleme. Vetë KQZ ka pranuar se faqja e të dielës, më 9 shkurt, u përball me probleme teknike në platformën ku publikohen rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare. Sipas tyre, mbingarkesa ishte arsyeja, ndonëse mbingarkesa e trafikut në server nuk shkakton ndryshim të shifrave në databazë.

Këtu lind dyshimi, pasi pas ndërprerjes dolën krejt shifra të tjera nga ato që në fillim u paraqitën. Kjo ndërprerje shkaktoi konfuzion te publiku që priste publikimin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare. S’ka dyshim se ka pasur çregullim të madh në faqën e KQZ-së.

P.sh, në komunën e Pejës, të dhënat e publikuara tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka grumbulluar 96.44% të votave. Po ashtu, në Podujevë, sipas sistemit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kryeson me 80.49% të votave, një rezultat tjetër i pazakontë për këtë komunë. Megjithëse këto më vonë u rregulluan, para kësaj VV-ja figuronte me 55.77% të votave, ndërkohë që ishin procesuar vetëm 23.65% e vendvotimeve.

Një rast tjetër, i zyrtarizuar dhe i publikuar në uebfaqen zyrtare të KQZ-së, është ai i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila rezulton se ka marrë 1190 vota në vendvotimin “2501/05” në shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj, edhe pse aty ishin vetëm 425 votues.

Këto shtojnë dyshimet dhe humbasin legjitimitetin e rezultateve, duke rritur thirrjet për rinumërimin e votave, në mënyrë që rezultati të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve dhe jo pazaret e grupeve të ndryshme të interesit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat