Fushata shpifarake – Bumerang për opozitën PAN-iste!

Opinione

Fushata shpifarake – Bumerang për opozitën PAN-iste!

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 14 shkurt 2025 Në ora: 15:48
Foto ilustrim

Kam përcjellur me vëmendje opozitarizmin e partive humbëse, sidomos të asaj PAN-iste. E mësuar me abuzimin e pushtetit të pamerituar, përgjatë këtij katër vjeçari, u shqua për destruktivitet, deri në përmasën e bashkëpunimit me Serbinë, kundër pozitës legjitime në pushtet. Pasi kishte rrënuar Sistemin e Drejtësisë, për t´i fshehur krimet vrastare dhe hajnore, uzurpoi Këshillin Prokurorial, Këshillin Gjyqësor, gjykatat në të gjitha nivelet, mediat në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Sforcimi shpifës dhe mohues i gjithëçkaje të pozitës, përfshi edhe shtrirjen e sovranitetit në veriun e Kosovës, kaloi kufijtë e normalitetit! Dhe, kjo iu kthyer bumerang, për t`u mos u besuar për asgjë si opozitë e çoroditur, që nuk di se çfarë kërkon?!

Çfarëdo kundërshtie ndaj shpifjeve të opozitës, në mbrojtje të së vërtetës, konsiderohej si blasfemi dhe pëekrahje e pozitës, respektivisht, të Albin Kurtit dhe të Vetëvendosjes së tij. Por, tani, që fushata dhe zgjedhjet përfunduan, prononcimi për mendimin ndryshe nuk të mëkaton si më parë. Është ndryshe të flasish dhe ndryshe të shkruash, aq më parë, për një gazetar profesionist, sepse, siç thonin latinët e hershëm "verba volant, skripta manent", fjala fluturon, e shkruara mbetet, andaj për t`i shpëtuar gjykimit, duhet thënë vetëm e vërteta, qoftë ajo edhe e hidhur.

LDK ndryshe nga PAN: në përbërje, në fushatë, në udhëheqje

Realisht, LDK-ja bëri fushatë ndryshe nga opozita tjetër. Premtimet i kishte reale, duke i shoqëruar edhe me burimet e realizimit të tyre. Për programin e qeverisjes kishin punuar një armatë e tërë specialistësh të fushave të ndryshme. Kishte krijuar komisionet ekipore, duke detajuar një program premtues zhvillimor. Kryetari Lumir Abdixhiku, edhe pse i vonuar, bëri mirë që përgjatë fushatës, nuk iu referuar slloganit kontestues "Rruga e re", sepse në anëtarësi dhe elektoratë, kuptohej si shmangie nga - Rugovizmi -, njësoj si "Lidhja" e proklamuar nga Isa Mustafa, e cila e çoi partinë e Rugovës në theqafje.

Listën e kandidatëve për deputetë, LDK-ja e kishte të pastër si loti, krahasuar me PAN-in, ku janë rrjeshtuar eksponentë të krimit, ish-burgaxhinj të djeshëm, hajna klasik dhe ordinierë neveritës. Emisarin amerikan, Richard Grenell, nuk e shqetësuan fare listat e pista të PAN-it. Por, hallin e kishte tek goditja e kryeministrit Kurti dhe LVV e tij. Ai bëri ndërhyrjen hiç diplomatike, madje turpëruese, në prag të zgjedhjeve në Kosovë. Ndërkohë që Kosova dhe bota e njehë atë si argat të paguar të Serbisë. Dhe, kjo duhet t`i mjaftonte opozitës dhe popullit të Kosovës, për të mos pasur asnjë ndikim nga shumë i përfoluri Grenell, madje as ortakun e tij, në pazare me Serbinë, i cili ka rastisur edhe djalë i presidentit Trump.

E gjithë fushata ishte një maskaradë e zhurmshme, me stërzgjatje të paligjshme, premtime paushalle dhe akuza e kundër akuza banale. Kushdo që provon ta ndëshkjojë Albin Kurtin me LVV e tij, pas të gjitha atyre sulmeve shpifëse e dinigruese, do të bëhet qesharak dhe injorant në sytë e opinionit të brendshëm dhe atij botërorë. Populli foli, jo me aklamacionin, kancer i demokracisë, por me votën e tij të fshehtë, të lirë dhe, tërësisht, demokratike. Pra, nuk qenka mashtruar populli nga "mashtruesi Albin Kurti", por është mashtruar, madje me dashje, opozita PAN-iste e çoroditur, me shumësinë e llapaqenëve anal-banalistët e përnatshëm dhe të përditshëm, të instruktuar nga shërbimet e huaja, armike të Kosovës.

Për reforma PAN-it i duhet bisturia e kirurgut, "i sëmuri kanceroz i Kosovës!

Opozitës nuk i mbetet gjë tjetër, veçse kërkim-falja popullit të Kosovës dhe shqiptarëve të përbotshëm, për lansimin e gënjeshtrave, shpifjeve, denigrimeve, duke u bërë palë me Serbinë, për vënien e sanksioneve dhe duke ftuar ndërkombëtarët, përkatësisht, Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare t`ua heqin qafe "kryeministrin kokëfortë se po u bënë zullum serbëve të Kosovës, duke ua mbyllur institucionet paralele të Serbisë në Kosovë!"

Kërkim-falja e opozitës duhet të lëndëzohet, duke i ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme, për bërjen e Qeverisë Kurti 3, duke e lutur të përzgjedhë një partner në loalicion, për të qenë një qeveri stabile e solide, për mbylljen e proceseve të hapura, që sot përballet Kosova. 

Partitë e opozitës, të koalicionuara më parë në PAN, përkatësisht, PDK-AAK-NISMA, nuk bënë asnjë përçapje, për t`u reformuar. Pengesa është e brendshme. Eksponentët partiakë të tyre, u zhytën në krime vrastare dhe hajnore, andaj, nuk kanë guximin të fillojnë asnjë reformë, seleksionim të brendshëm. Dhe, vazhdojnë të ecin, çalueshëm, me krime nëpër këmbë. 

Përkundër, LDK-ja nismoi reformat, por, anashkaloi disa nga kuadrot e Dr. Rugovës, duke mos i listuar as në Këshillin e Përgjithshëm, ku hapësira është më e mundshme. Dhe, përjashto zgjedhjen demokratike të kryetarit të partisë, të gjitha zgjedhjet, më saktë, emërimet u bënë aklamative! Duhet pranuar se strukturat e partisë kishin filluar të seleksionoheshin dhe të pastroheshin nga kuadrot e thekur rugovistë. Kjo hajkë goditëse u thellua edhe më shumë nga klani Mustafa. 

Koalicionin LVV-LDK e zhbenë Thaçi-Grenell-Vuçiq-Rama-Mustafa, jo LVV

LDK-ja duhet ta tërheq akuzën-shpifëse se, gjoja, LVV prishi koalicionin e Qeverisë Kurti 1. Këtë e demanton kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kur thotë se "Richard Grenell na dha urdhër-afat një javë, për ta prishur koalicionin me LVV"! Më vonë, ish-kryetari i partisë, Isa Mustafa, pranoi: "Unë e prisha koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje".

Realisht e saktësisht, koalicionin e prishi Hashim Thaçi, Grenell, Vuçiq, Edvin Rama, Isa Mustafa. Ishte një dëm i madh që iu bë Kosovës, në radhë të parë, pastaj edhe LDK-së. Pallavrat se Kurti i shkarkoi ministrat Veliu e Hoti, ishin sa për -ngile-, vendime që di të marrë vetëm Albini. Por, prishjen e bënë të tjerët. E vërteta është se ministrat në fjalë ishin në dijeni të kësaj prishjeje. Ata heshtnin në mbledhjen e qeverisë, nga ana tjetër kokëtonin me Hashim dallaveren. 

E konsideroj se edhe kjo pengesë, për ndonjë koalicion të mundshëm, në mes të LVV me aleatë dhe LDK, u hoq për kryetarin Lumir Abdixhikun.

Deklarata-bombë e kryetar Lumirit, se "nuk bëj koalicion me Vetëvendosjen", vetëm dy ditë para zgjedhjeve, ishte një bllof i tij, madje bie ndesh me prudencën, maturinë e tij si pedagog universitar dhe intelektual i mirëfilltë. Kjo zhgënjeu dhe ndikoi në moralin dhe zellin që kishin aktivistët e fushatës, madje edhe tek elektorati i LDK-së, të cilët abstenuan në votim, ngaqë u nënkuptua bashkëpunimi bllokues me opozitën-bandë PAN-iste.

Edhe arsyetimi i fyerjes nga Kurti se "akuzoi opozitën se është palë me Serbinë", në kundërshtinë e veprimeve sovraniste, nuk përbënë arsye bazike, për refuzimin e koalicionit të mundshëm me LVV. Andaj, edhe nuk është arsye e besueshme, sepse Kosova eshtë në krizë politike dhe LDK-ja duhet të marrë rolin parësor. Lënë të dyshohet se mos është një "selame" nga Grenelli, për bllokimin e Kurtit dhe kundërvënien me një kompozim të Qeverisë të opozitës së bashkuar. Ndërhyrja e vrazhdët e tij, në jetën politike të Kosovës, ka ulur pazarin e personalitetit të tij, deri në përmasen që deklaratat e Grenellit të shpërfillën dhe të mos merren më seriozisht.

Termi "hajvan" për premtuesit banal, por jo aq fyes sa "Albin Serbia"!

Vërtet, termi "hajvan", i mbetur nga turqishtja, thënë shqip, -mendje-trashë-, është pezhorativ. Mësuesi im, në Universitetin e Tiranës, Eqrem Çabej, na thoshte se disa fjalë turke, me përdorim të dendur në popull, që kanë hyrë në zhargonin popullor të shqipes, duhet pranuar familjarizimin e tyre në shqipe. Andaj, nuk duhet të përjashtohen si të huaja. Në rastin konkret, koha e - hajvanatit -, është e tejkaluar, nuk përkon me aktualitetin. Por, fjala ishte për, krerët partiakë dhe eksponentët tjerë të opozitës PAN-iste, të cilët duke e ditur se nuk e arrijnë pushtetin, pra, nuk fitojnë, premtojnë pa doganë fare, pa asnjë mbulesë financiare, për rritjen e pagave dhe të pensioneve. Opozita PAN-iste, pa LDK-në brenda, është provuar, faktikisht dhe ligjërisht, për autorësi të krimeve vrastare dhe hajni industriale. 

Premtimet enorme, siç thoshte -mulla Ramushi-, dëshmor nga Itogu, "çka nuk ta merr mendja, as në qitap nuk shkruan", për të zhvatur, sforcueshëm, vota, janë jo morale, për të mos thënë rrugaçërore. Sa për dijeni, pensioni mesatar i një punëtori fizik, në Gjermani, sillet rreth 700 euro në muaj, edhe pas një stazhi 30 vjeçar. Ndërkohë që opozita e çoroditur PAN-iste premtonte shuma marramendëse, për mundësitë reale të Kosovës.

Ata janë falsifikatorë të listave të "veteranëve" të rrejashëm, të cilët, tashmë, numërohen 42.500 sish. Vetë Komisioni i listë-bërësve, është njëetnik, pra, vetëm i PAN-it! Përjashtohen tërësisht subjektet tjera politike. Rrjedhimisht, shumësia absolute e "veteranëve" të rrejshëm, sot, janë klientelë elektorale të partive të PAN-it, përkatësisht, PDK, AAK, NISMA. Shto këtu edhe armatën e fryrë burokratike të nëpunësve shtetërorë, prej 80 vetësh, të punësuar për dy dekada radhazi nga subjektet politike të PAN-it, përbëjnë bazën elektorale solide të tyre.

Partitë e PAN-it, në vend që të premtonin në fushatën e tyre seleksionimin, spastrimin e listave nga 42.500 "veteranëve" e rremë dhe të apelonin për trajtimin e dinjitetshëm të 12.700 veteranëve të vërtetë, këto parti kërkojnë, madje, ngulmërisht e idiotisht, trajtimin njësoj për veteranët e rremë me ata të vërtetë. Pra, paradoksalisht, kërkojnë legalizimin e hajnisë më të madhe zyrtare, të të gjitha kohërave, meqë bëhet fjalë për zhvatjen e buxhetit shtetëror, në kohë-zgjatje për dekada radhazi, me llogaritje shumë milionshe euro! Prandaj, realisht, ata janë më shumë se -hajvanë-, por, një xhentelmen si Albini, nuk duhej përdorur. Në vend të kësaj mund t`i quante ata - hajna zyrtarë, abuzim me pronën shtetërore, rrjedhimisht, kriminelë kundër shtetit-Kosovë, për karrierë dhe pasurim personal e gruporë.

Fundja termi -hajvan- assesi nuk është fyerje më e madhe se sa "Kurti është argat i Serbisë dhe i Rusisë" apo thirrja korale, në salla e sheshe publike, nga opozita PAN-iste, "Albin Serbia!" Akuza e bërë Kurtit, për termin jo adekuat, nuk është aq mëkatare, sa fyerjet, shpifjet, sharjet idioteske, të bëra nga krerët opozitarë të PAN-it. Dhe, një llogari e thjeshtë: Aq sa e kanë sharë horrakët e zuzarët opozitarë Albin Kurtin me Vetëvendosjen e tij, që është afërsisht gjysma e popullit të Kosovës, për balancim sharjesh, Kurtit i duhen dekada, madje duke përdorur të gjithë katalogun pezhorativ të gjuhës shqipe dhe turke, të marra së bashku!

Kompozimi i qeverisë LVV-LDK, zgjidhje e natyrshme, më e mira

Për disa javë radhazi vazhdojnë debatet për kompozimin e qeverisë pas zgjedhore. Me keqardhje, për këtë ka mendime paushalle si nga anal-banalistët e porositur, që është normale, sepse ata paguhen nga padronët e tyre, për mjegullnajë e huti në opinion. Por, në këtë grackë po bien edhe disa analistë, opinionistë serioz dhe me përgaditje solide intelektuale, akademike. Populli pret nga ata ta thonë të vërtetën lakuriqe, se njerëzit e shantazhuar me dosje penale faktike, nuk duhet lejuar të kenë pushtet, pozita vendimmarrëse, sepse nuk kanë as guxim dhe as integritet, për të mbrojtur interesat shtetërore. Dhe, dorëzohen, lehtazi, para armikut, duke bërë lëshime e kalkulime, deri në tradhti, siç ka ndodhur, përgjatë këtij çerek-shekulli.

Eksponenti i PDK-së, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese, mjerisht, Kadri Kryeziu, i përkdheluri i Hashim dallaveres, thotë: "Është mirë që opozita ta formojë qeverinë, që pushteti të pushojë pak". Ky zotëri, i cili çarrakuqet, mërdhezet deri ke veshët, kur mbronë krimin dhe kriminelët, sepse ishte brenda rrethit të gjarpërinjve dhe e di mirëfilli se "e hanë turpin me bukë", duke i amnistuar shefat e tij. Ky monstër i partisë-bandë, PDK-së, edhe pse është bërë yll televiziv me dizinformime, gjithherë në dëm të Kosovës, nuk i ka sugjëruar asnjëherë "të pushojë pak", -klubit të stërvjetëruar politik" të PAN-it, i cili riciklohet në pushtet për dy dekada radhazi! Janë, pikërisht, këta politikanë të zgjyrosur, të dalë boje, që i kanë bërë gjëmën Kosovës, me vrasje e hajni dhe pretendojnë, sërishmi, ta mjerojnë edhe më tej popullin e përvuajtur të Kosovës, ndër dekada e shekuj.

Shoqëria kosovare, rrast e kontaminuar, ka pak hapësirë për të zgjedhur partner të shëndetshëm për koalicion, bashkëpunim qeverisës. Aktualisht, LDK dhe LVV, me partnerë "Alternativa" dhe "Guxo", konsiderohen se i kanë shpëtuar ndotjes me punë të pista, krahasuar me subjektet, dikur të koalicionuara në PAN. Prandaj, zgjidhja më e pranueshme, madje e vetme, në kompozimin e qeverisë së re, do të ishte bashkëqeverisja LVV-LDK, një garanci për ta shmangur, jo vetëm krizën qeveritare, por edhe sigurinë e qëndrueshmërisë politike dhe të zhvillimit normal të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat